10 shkurt 2020- Informacion i përditësuar për Koronavirusin

Vlerësimi i riskut dhe masat e marra në vendin tone

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale me struktuat shëndetësore po vijojnë të zbatojnë planin e masave për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri.  Eshtë përforcuar survejanca e infeksioneve respiratore dhe specifikisht të rasteve me vështirësi respiratore/sindromën e rëndë respiratore akute në të gjithë vendin. Deri tani në Shqipëri janë testuar 5 raste për koronavirusin, të cilat kanë rezultuar negative. Pra, nuk ka asnjë rast me koronavirusin e ri dhe rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët. Testimi për koronavirus kryhet në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik dhe brenda 15 Shkurtit 2020, do të mundësohet diagnozë e plotë e koronavirusit të ri human.

 

Po vijohet me trajnimet kaskadë për mjekët dhe infermierët dhe janë marrë masat për ndjekjen e çdo rasti potencial edhe në spitalet jo-publike, për transportimin drejt QSUT.

Janë marrë masa për stokun e mjeteve personale në pikat kufitare dhe në spitale si dhe është gati plani për çdo situatë, sipas shkallës së rrezikshmërisë.

 

Janë marrë masat në Spitalin Infektiv në QSUT, me dhomat e izolimit të cilat janë të pajisura me mjetet përkatëse: aparatet respiratore të monitorimit si dhe mjetet personale mbrojtëse.

Eshtë organizuar një strukturë pritëse për karantinën, me personelin e trajnuar, nëse do të jetë e nevojshme.

 

Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat e mëposhtme: Kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje,  të telefonojnë urgjencën kombëtare 127!

 

Situata aktuale ndërkombëtare

 

Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së e datës 10 shkurt 2020-të është si më poshtë:

  • Në nivel global, janë raportuar në total 40 553 raste të konfirmuara me 2019 –
  • Në Kinë:  40 216 raste të konfimuara

909 vdekje

  • Jashtë Kinës: 337 raste të konfirmuara

1 vdekje në Filipine

26 shtete të përfshira

Tabela më poshtë paraqet numrin e rasteve të konfirmuara deri në datën 10 shkurt 2020 sipas shteteve (sipas ECDC):  https://www.ecdc.europa.eu/en/novel-coronavirus-china

 

Shteti Nr i rasteve të konfirmuara (10 shkurt 2020)
Kina 40 216
Japoni 26
Republika e Koresë 27
Vietnam 14
Singapor 43
Australi 15
Malajzi 18
Kamboxhia 1
Tajland 32
Taivan 18
Nepal 1
Indi 3
Filipine 3
Sri Lanka 1
Rastet e tjera në një mjet transporti detar Japoni 70
USA 12
Kanada 7
Finlanda 1
Franca 11
Gjermani 14
Rusia 2
Spanja 2
Belgjika 1
Suedia 1
Anglia 4
Italia 3
Emiratet e Bashkuara Arabe 7
Total 40 553

 

 

 

 

Rekomandime dhe këshilla nga OBSH

Gjatë shpërthimeve të mëparshme nga koronaviruset e tjerë (Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme “MERS” dhe Sindroma Respiratore Akute e Rëndë  “SARS” ), transmetimi nga njeriu te njeriu ndodhi përmes spërklave të përshtymës, kontaktit të drejtpërdrejtë human (fizik), apo kontaktit indirekt (nëpërmjet sipërfaqeve/objekteve të kontaminuara). Këto fakte sugjerojnë që mënyra e transmetimit të 2019-nCoV mund të jetë e ngjashme. Parimet themelore për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të transmetimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes përfshijnë masat e mëposhtme:

  • Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
  • Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
  • Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake ashtu edhe të egra).
  • Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami/letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).
  • Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.

 

Në rast të simptomave të lidhura me infeksionet respiratore, qoftë gjatë udhëtimit ashtu edhe pas tij, udhëtarët inkurajohen të kërkojnë kujdes mjekësor dhe të ndajnë historinë e tyre të udhëtimit me personelin shëndetësor.