12 Shkurt 2020/ Informacion i përditësuar për Koronavirusin COVID_19

Masat e marra në vendin tonë
 
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) ka vënë në zbatim një plan parapërgatitjeje të masave ndaj shpërthimit epidemik të koronavirusit të ri, sipas të gjitha rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ECDC-së bazuar edhe në zbatimin e Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit, duke patur parasysh të gjthë skenarët për rrezikun e infeksionit nga koronavirusi i ri COVID_19 për popullatën në Shqipëri.

 

Task-Forca për koordinimin e ndërhyrjeve të domosdoshme të parandalimit dhe më tej të kontrollit të sëmundjes nga koronavirusi i ri COVID_19, e cila përbëhet nga drejtues institucionesh dhe ekspertë kryesorë të fushës të MSHMS-së, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit dhe të tjera Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QMUK), Shërbimi Infektiv QSUT, Shërbimi Infektiv Pediatri, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) dhe pika aeroportuale Rinas, Operatori Qendror, Operatori Rajonal Tiranë, SUSM, Drejtoria e Kufirit dhe Zyra Rajonale e OBSH-së në, raporton se probabiliteti i infeksionit për popullatën në Shqipëri konsiderohet shumë i ulët dhe deri më tani nuk ka patur asnjë rast me koronavirusin e ri të importuar në vendin tonë. Deri tani në Shqipëri janë testuar 6 raste për koronavirusin e ri, të cilat pas testimit kanë rezultuar negative.

 

Komiteti Teknik për koronavirusin e ri COVID_19 i cili përbëhet nga ekspertë, që diskutojnë çështjet teknike të ngritura në Task-Forcë apo çështje të tjera të lidhura me këtë virus. Sipas Komitetit Teknik ne vijojmë të kemi përforcuar survejancën e infeksioneve respiratore dhe specifikisht të rasteve me vështirësi respiratore/sindromën e rëndë respiratore akute, si dhe sistemin e lajmërimit të shpejtë në një situatë shëndetësore jo të zakonshme, kjo e fundit mbështetur dhe në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (2005,OBSH), me qëllim zbulimin dhe ndjekjen në kohë të rasteve të dyshuara, izolimin dhe menaxhimin e tyre.

 

Është hartuar algoritmi i pritjes dhe transportit të rasteve të dyshuara nga vendndodhja e tyre drejt QSUT-së, në Shërbimin e Sëmundjeve infektive (nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore (vendosja e algoritmit në ambientet e QKUM-së dhe në ambulancë). Menaxhimi i transportit të rasteve do të kryhet nga Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore.

 

Nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive (QSUT), janë përcaktuar bokset /dhomat e izolimit funksionale, në se do të ketë raste të dyshuara për COVID_19 dhe janë marrë masa të shtuara mbi zvogëlimin e hyrje-daljeve në Shërbimet Infektive dhe Urgjencën Polivalente ( QSUT). Gjithashtu, janë vendosur/afishuar në mënyrë skematike procedurat e veshjes dhe zhveshjes së MMP-së në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive – QSUT (moshë pediatrike dhe të rritur), dhe në të gjitha hallkat e tjera të menaxhimit të rastit për parandalimin e kontrollit të infeksionit spitalor. Është pajisur Shërbimi i Sëmundjeve Infektive (QSUT) me të gjitha mjetet e mbrojtjes personale. Është përcaktuar ambienti karantinë, për ta përdorur atëherë kur do të jetë e nevojshme, si p.sh.: për kontaktet e shëndosha në fazën kur në vend do të konfirmohet rasti i parë me COVID_19, si dhe është kryer trajnimi paraprak i personelit shëndetësor që do të jetë pjesë e shërbimit në karantinë.

 

Janë vendosur kapacitetet laboratorike për diagnozën e COVID_19 duke siguruar kitet përkatëse. Analizat për testimin e kroronavirusit kryhen në Institutin e Shëndetit Publik. Rastet e dyshuara me kroronavirus testohen në laboratorin pranë ISHP, në Laboratorin e Virologjisë me nivel biosigurie, i çertifikuar nga OBSH. Brenda 15 Shkurtit 2020, do të mundësohet diagnozë e plotë e koronavirusit të ri human.

 

Po kryhet trajnimi i personelit shëndetësor spitalor, si dhe në çdo nivel, nga personeli i NJVKSH – ve, si dhe ISHP – së. Gjithashtu janë kryer takime informuese dhe trajnuese me përfaqësues dhe specialistë të spitaleve jopublike për masat dhe parapërgatitjen e tyre, në rast se paraqiten pranë urgjencave të tyre raste të dyshuara me COVID_19.

 

Inspektorati Shëndetësor Shtetëror po kryen në mënyrë sistematike vlerësimin   monitorimin mbi dezinfektimin dhe kushtet higjieno-sanitare të të gjitha pikave doganore të çdo niveli.

 

Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat e mëposhtme: Kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje,  të telefonojnë urgjencën kombëtare 127!

 

Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së është si më poshtë:

  • Në nivel global, janë raportuar në total 45 179 raste të konfirmuara me COVID_19.
  • Azi:          44 925 raste të konfimuara

1115 vdekje

  • Amerikë: 20 raste të konfirmuara
  • Australi: 15 raste të konfirmuara

 

Tabela 1. Numri i rasteve të konfirmuara deri në datën 11 shkurt 2020 sipas shteteve (sipas ECDC):  https://wwwecdc.europa.eu/en/novel-coronavirus-china

 

Shteti Nr i rasteve të konfirmuara (12 shkurt 2020)
Kina 44 724
Japoni 25
Republika e Koresë 28
Vietnam 15
Singapor 47
Australi 15
Malajzi 18
Kamboxhia 1
Tajland 33
Taivan 18
Nepal 1
Indi 3
Filipine 3
Sri Lanka 1
Rastet e tjera në një mjet transporti detar Japoni 174
USA 13
Kanada 7
Finlanda 1
Franca 11
Gjermani 16
Rusia 2
Spanja 2
Belgjika 1
Suedia 1
Anglia 8
Italia 3
Emiratet e Bashkuara Arabe 8
Total 45 179

 

 

Grafiku 1. Shpërndarja e rasteve laboratorike të konfirmuara për COVID_19 sipas

 kontinenteve (përveç Kinës), 12.02.2020

Situata në  Europë sipas ECDC–së është si më poshtë:   

  • Europë: 45 raste të konfirmuara

 

 

Grafiku 2. Shpërndarja e rasteve të konfirmuara në laborator të COVID_19 në vendet e BE, EEA dhe Mbretërinë e Bashkuar, 12 Shkurt 2020

1. Rekomandime dhe këshilla të OBSH – së

 

Gjatë shpërthimeve të mëparshme nga koronaviruset e tjerë (Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme “MERS” dhe Sindroma Respiratore Akute e Rëndë “SARS”) transmetimi nga njeriu te njeriu ndodhi përmes spërklave të përshtymës, kontaktit të drejtpërdrejtë human (fizik), apo kontaktit indirekt (nëpërmjet sipërfaqeve / objekteve të kontaminuara). Këto fakte sugjerojnë që mënyra e transmetimit të COVID_19 mund të jetë e ngjashme. Parimet themelore për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të transmetimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes përfshijnë masat e mëposhtme:

 

  • Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
  • Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
  • Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake apo të egra).
  • Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami / letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).
  • Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standard të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.

 

Në rast të simptomave të lidhura me infeksionet respiratore qoftë gjatë udhëtimit, ashtu edhe pas tij, udhëtarët inkurajohen të kërkojnë kujdes mjekësor dhe të ndajnë historinë e tyre të udhëtimit me personelin shëndetësor.