9 Shkurt 2020- Informacion i përditësuar për Koronavirusin

Situata aktuale ndërkombëtare

Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së e datës 9 shkurt 2020-të është si më poshtë:

Në nivel global, janë raportuar në total
37 564 raste të konfirmuara me 2019 nCoV –
Në Kinë: 37 242 raste të konfimuara
812 vdekje

Jashtë Kinës: 322 raste të konfirmuara
1 vdekje ne Filipine
26 shtete të përfshira

Vlerësimi i riskut dhe masat e marra në vendin tonë

Deri tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus dhe rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët.
Gjatë raportimit nga Task-Forca u deklarua se, në çdo pikë kufitare janë ngritur dhoma të posaçme për monitorimin e rasteve të dyshuara.
Është përcaktuar rruga që ndjek çdo person që dyshohet që është i kontaminuar. Çdo rast i dyshuar, i mundshëm ose i konfirmuar me 2019 -nCoV e ri, do raportohet menjëherë pranë NJVKSH-së përkatëse dhe më pas prej NJVKSH-së ose direkt pranë ISHP-së me formularin rutinë të njoftimit. Kjo procedurë duhet të zbatohet menjëherë dhe brenda 24 orëve menaxhimi i transportit të rasteve do të kryhet nga Urgjenca Mjekësore Kombëtare. Çdo rast do të hetohet sipas udhëzimit përkatës, me qëllim : ndjekjen e kontakteve të rastit të dyshuar, të mundshëm ose të konfirmuar me 2019 n-CoV.
Janë shpërndarë  protokollet klinik në të gjithë NJVKSH, të hetimit epidemiologjik; të përkufizimit të rastit, ndjekjes së kontakteve, mbi masat në nivel kufitar, mbi  masat për kontrollin e infeksionit, si dhe në lidhje me kohën dhe mënyrën e implementimit të tyre për parandalimin e infeksionit të n CoV 2019  dhe  njëkohësisht vazhdojnë trajnimet kaskadë në çdo nivel.
Janë marrë masat në Spitalin Infektiv në QSUT, me dhomat e izolimit të cilat janë pajisura me mjetet përkatëse : aparatet respiratore të monitorimit, sistemin e gazrave mjekësor, si dhe mjetet personale mbrojtëse. Edhe pse rreziku mbetet  i ulët, MSHMS-ja po forcon masat paraprake.
Janë marrë masat në Institutin e Shëndetit Publik për furnizimin me kite reagentë për kryerjen e analizës së koronaviruseve. Deri tani janë testuar gjithsej 5 raste, të cilat kanë rezultuar negative ndaj koronavirusit.
Është mundësuar që testimi për koronavirus të kryhet në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik dhe brenda javës së dytë të muajit Shkurt 2020, do të mundësohet diagnozë e plotë e koronavirusit të ri human.
Më shumë se 200 mjekë, infermiere dhe epidemiologë janë trajnuar në zbatim të masave që plani i veprimit përcakton.
Eshtë menduar organizimi i karantinës, nëse do të jetë e nevojshme.
Eshtë rritur shkëmbimi i informacionit (në kohë reale) mes strukturave të Ministrisë së Shëndetësisë, si: ISHP, ISHSH, QSUT dhe Spitalit “Shefqet Ndroqi”. Mes këtyre strukturave ka një koordinim të masave bazuar mbi rekomandimet e OBSH-së.
Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat e mëposhtme: Kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje,  të telefonojnë urgjencën kombëtare 127!

Rekomandime dhe këshilla nga OBSH

Gjatë shpërthimeve të mëparshme nga koronaviruset e tjerë (Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme “MERS” dhe Sindroma Respiratore Akute e Rëndë  “SARS” ), transmetimi nga njeriu te njeriu ndodhi përmes spërklave të përshtymës, kontaktit të drejtpërdrejtë human (fizik), apo kontaktit indirekt (nëpërmjet sipërfaqeve/objekteve të kontaminuara). Këto fakte sugjerojnë që mënyra e transmetimit të 2019-nCoV mund të jetë e ngjashme. Parimet themelore për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të transmetimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes përfshijnë masat e mëposhtme:
• Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
• Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
• Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake ashtu edhe të egra).
• Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami/letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).
• Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standarde të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.

Në rast të simptomave të lidhura me infeksionet respiratore, qoftë gjatë udhëtimit ashtu edhe pas tij, udhëtarët inkurajohen të kërkojnë kujdes mjekësor dhe të ndajnë historinë e tyre të udhëtimit me personelin shëndetësor.