.

vije ndarëse

Postuar më: 14/11/2018

Dita Botërore e Diabetit, Manastirliu: Fishat falas edhe për studentët

Ekzaminime ne terren

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi në një aktivitet ndërgjegjësues me rastin e Ditës Botërore të Diabetit se është lehtësuar edhe procedura e përfitimit të barnave me rimbursim dhe pacientët nga rrethet nuk kanë më nevojë të vijnë në Tiranë për konsultën në QSUT

 

Tiranë, 14 Nëntor – “Pas fëmijëve 0-18 vjeç fishat e diabetit do të jenë falas edhe për studentët”. Në Ditën Botërore të Diabetit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dha lajmin e mirë në një aktivitet të zhvilluar për ndërgjegjësimin e qytetarëve në lidhje me masat për parandalimin e diabetit.

“Me buxhetin e vitit 2019 do të mundësojmë që edhe për studentët, pra të gjithë personat me diabet deri në 23 vjeç, fishat e diabetit të jenë falas, duke bërë një tjetër hap drejt lehtësimit të personave që vuajnë me diabet dhe familjeve të tyre”, tha Manastirliu.

 

Duke vlerësuar rëndësinë e Kontrollit Mjekësor Bazë për parandalimin e kësaj sëmundjeje, Ministrja Manastirliu deklaroi se: “Rezultatet e deritanishme të Kontrollit Mjekësor Bazë tregojnë se 9.3% e personave 35-70 vjeç që kanë kryer check up janë me nivel glicemie mbi normën, një shifër shumë e lartë që tregon për rëndësinë që ka kontrolli periodik, për të parandaluar pasojat e diabetit”.

Duke u ndalur te trajtimi I diabetit, Manastirliu theksoi se Qeveria ka garantuar trajtimin 72 mijë personave me diabet, me një financim prej mbi 16 milion dollarë në vit vetëm për rimbursimin e barnave për diabetikët.

“Personat me diabet përfitojnë falas 36 lloje barna që përbëjnë terapinë e plotë për këtë sëmundje”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lajmëroi gjithashtu një tjetër lehtësi për personat me diabet, të cilët deri pak ditë më parë, detyroheshin të vinin periodikisht për konsultë në QSUT nga rrethet për të përfituar terapinë e rimbursimit.

“Ne kemi mundësuar prej pak ditësh një procedurë të re për lehtësimin e personave me diabet që kanë nevojë për konsulta në QSUT. Nuk është më e nevojshme që pacientët nga rrethet të vijnë në QSUT, por konsultat po realizohen nëpërmjet telemjekësisë mes QSUT dhe spitaleve rajonale, ku vetë pacienti merr shërbimin dhe përfiton trajtimin me rimbursim, pa patur nevojë të bëjë kilometra të tëra për të ardhur në Tiranë.

 

Të dhëna për diabetin:

Diabeti është një sëmundje kronike  me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike.

Mjafton të nënvizohet fakti i publikuar së fundmi që në çdo 10 sekonda në botë shtohen dy persona të tjerë me diabet dhe se çdo 8 sekonda vdes një njeri nga shkaqe që lidhen me diabetin. Çdo vit në botë zbulohen 7 milionë raste të reja me diabet.

 

Në Shqipëri janë të diagonstikuar rreth 75 mijë diabetikë, ndërkohë që çdo vit diagnostikohen afërsisht 4-5 mije raste reja me diabet.

 

Diabeti  ka kosto të lartë shëndetësore, pasi është një sëmundje që po nuk u zbulua  dhe u mjekua në kohë  dhe në mënyrë të rregullt, ai shkakton ndërlikime serioze si: sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave- deri në insuficiencë renale e dializë, infeksione urinare, amputime të këmbëve etj. Tek të sëmurët diabetikë rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se tek personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek personat pa diabet.

FJALË PËRSHËNDETËSE Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale  dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rriten me 50%. Diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës  dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në  rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë sot numërohen mbi 420 milionë diabetikë dhe në vitin 2030 mendohet se mund të jenë  afërsisht 500 milionë diabetikë, apo 6.3 % e popullsisë së botës të  jetë  prekur nga diabeti.