.

vije ndarëse

Postuar më: 14/11/2018

Hap dyert materniteti i ri i Sarandës

Vizite me kryeministrin

Foshnjat që do të vijnë në jetë në qytetin e Sarandës dhe jo vetëm, si dhe nënat e reja marrin shërbim në kushte më të mira. Këtë e garanton materniteti i ri i Sarandës, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 336 milionë lekë, i cili u shërben 140 mijë qytetarëve të katër bashkive Sarandë, Konispol, Delvinë dhe Finiq. Me infrastrukturë të standardeve europiane dhe i pajisur me aparatura të teknologjisë së lartë, materniteti i ri i Sarandës është pjesë e korpusit spitalor, që sëbashku me ndërtimin e spitalit të kirurgjisë dhe patologjisë, garantojnë një standard të ri shërbimi në spitalin bashkiak të Sarandës.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizituan maternitetin e ri të Sarandës, ku sapo janë shënuar 4 lindjet e para. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se investimi për maternitetin ishte një domosdoshmëri, pasi ndërtesa e vjetër e tij ishte tërësisht e amortizuar dhe nuk ofronte as kushtet më minimale për trajtimin e nënës dhe fëmijës. Ndërsa aktualisht puna vijon me pajisjen e dy reparteve të reja brenda korpusit të spitalit, kirurgjisë dhe patologjisë. “Kemi investuar në spitalin bashkiak të Sarandës, në maternitetin e ri të qytetit. Dikur ka qënë në një zonë në qendër të Sarandës, por komplet i degraduar, sot ne një ndërtim të ri, investim i buxhetit të shtetit i nisur  në vitin 2017, në vlerën 336 milionë lekë, bashkë me pajisjet. Ndërkohë  jemi duke mobiluar patologjinë dhe kirurgjinë, pra, është një tjetër investim së bashku me maternitetin, kështu që përfundojmë të gjithë korpusin e spitalit të Sarandës.”

Duke e cilësuar maternitetin e ri një model shërbimi, ministrja Manastirliu tha se me buxhetin e vitit 2019 do të investohet edhe në maternitetet e qyteteve të tjera. “Në buxhetin e vitit 2019 kemi planifikuar fillimin e rikonstruksionit dhe ndërtimit të ri të maternitetit të Beratit, të Lezhës dhe do të përfundojmë gjithashtu dhe projektet për dy maternitete e tjera, siç është materniteti i Pogradecit dhe materniteti i Kukësit, faza e parë e të cilit tashmë ka filluar,”  – u shpreh ministrja Manastirliu.

Përveç investimit në infrastrukturë, një investim shumë i rëndësishëm është ai në teknologji. Vetë mjekët dëshmojnë se kushtet e reja janë tejet favorizuese për të ushtruar profesionin e tyre, ndërsa mungonin tërësisht në maternitetin e vjetër. “Unë kam punuar 15 vjet në Greqi. Mbarova specializimin atje dhe kam 6 vjet që jam këtu.  Kam punuar edhe në spitalin e vjetër. As nuk ka të krahasuar me këtë tani,”- u shpreh mjeku neonatolog.

Për ministren Manastirliu, standardet e reja që do të ketë çdo spital në vend, janë njëkohësisht investim edhe për t’u krijuar ambientin e duhur të punës mjekëve në Shqipëri.  “Ka kushte shumë më të mira për mjekët. Do të thotë që është një nga ato investime që ne po bëjmë për të tërhequr mjekët dhe për t’i mbajtur në Shqipëri, pasi kushtet e punës po ndryshojnë, politika e re e qeverisë për pagat gjithashtu, bonusi dhe incentivat financiarë janë disa nga ato elementë për planin tonë për mbajtjen e mjekeve në Shqipëri.”

Një prej mjekëve  tregoi se të gjitha ndërhyrjet që kryhen në kliniken universitare të Tiranës kryhen edhe në spitalin e Sarandës, por vështirësi mbetet mungesa e mjekëve reanimatorë. Ministrja Manastirliu u shpreh se për këtë problematikë qeveria ka ndërmarrë disa incentiva për të mbështetur mjekët që të kontribuojnë me punën e tyre, në vendin e tyre, duke nënvizuar bonusin për mjekët që punojnë në spitalet rajonale, patronazhin dhe 300 mjekët specialistë që dalin në janar.

Kryeministri gjithashtu theksoi se do të rritet mbështetja për stafet mjekësore. “Në janar kemi daljen e 300 specialistëve të parë, se ishte 4 vjet vakum, pasi nuk u bënë specializime dhe do kemi menjëherë mbushjen e vakumit të krijuar në vite. Do keni rritje tjetër rrogash për infermieret, mjekët dhe gjithë personeli. Besoj që krahasuar me nga u nisem, jemi përpara, krahasuar me ku duam të shkojmë, kemi shumë akoma. Por e dini ju, fëmijët rriten ngadalë, nuk rriten menjëherë.”

Risi për infrastrukturën spitalore është edhe ndërtimi i helikodromit të ri mbi godinën e re të Kirurgjisë dhe Patologjisë, i cili do të shërbejë për transportin e pacientëve me helikopter drejt spitaleve universitare për një shërbim më të specializuar.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama, duke u takuar me nëna të reja, i njohu edhe me incentivën më të fundit të qeverisë, atë që njihet si bonusi i bebes, 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë për fëmijën e tretë.