Font Resize
Contrast
.

vije ndarëse

Postuar më: 25/03/2015

Helikopter i ri për shërbimin e transportit mjekësor

Fillon nga puna helikopteri i ri i shërbimit të transportit mjekësor
Beqaj: “Fuqizojmë dhe modernizojmë kapacitetet në zbatim të angazhimit të Programit Qeverisës për shërbimin e urgjencës mjekësore

Tiranë, 25/03/2015 – Flotës së Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter (NJTMH) iu shtua një helikopter i ri modern i specializuar për transportin e të sëmurëve dhe urgjencave mjekësore. Lajmi u bë me dije dje (24/3/2015) nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në ceremoninë e organizuar me këtë rast në mjediset e kësaj Njësie, që përkoi edhe me 20-vjetorin e krijimit të saj (23/3/1995).

Nevoja për të fuqizuar dhe modernizuar kapacitetet e NJTMH-së, misioni i së cilës është ofrimi i shërbimit të transportit mjekësor në rastet e urgjencave mjekësore, lidhet me zbatimin e angazhimeve të Programit Qeverisës për shërbimin e urgjencës mjekësore. Ne jemi zotuar se do të ngrejmë një Shërbim Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, i cili do të mund të sigurojë prani të shpejtë e profesionale në të gjithë territorin e vendit, duke vendosur standarde të njëjta në të gjitha qendrat pritëse duke i’u përgjigjur nevojave të ndryshueshme gjatë stinëve të vitit për të ofruar kujdes shëndetesor në sëmundshmëri dhe trauma, tha midis të tjerash në fjalën e tij Ministri Beqaj.

Për këtë qëllim, tha më tej z. Beqaj, “do të vazhdojmë të fuqizojmë Shërbimin Kombëtar të Urgjencës, i cili është një projekt madhor i këtij mandati qeverisës, për të filluar qoftë me ngritjen e miratimin ligjit, bazën ligjore, fuqizimin e plotë të flotës me 20 autoambulanca të reja, të cilat janë praktikisht operative në terren,” duke shtuar se “ky investim i filluar që vjet është tashmë i gatshëm”.

Helikopteri i tipit EC-135 i prodhuar nga kompania Airbus Helicopters, një kompani me reputacion të shquar ndërkombëtar në fushën e prodhimit të helikopterëve civilë dhe ushtarakë, dhe veçanërisht helikopterëve të specializuar për transportin e të sëmurëve dhe urgjencave mjekësore, të prodhuar dhe të çertifikuar sipas standardeve të EASA-s (European Aviation Safety Agency – Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit), Certification Specifications Part 27; USA Federal Aviation Regulations Part 27/29; dhe atyre JAR-OPS 3 (the Joint Aviation Requirement for the operation of commercial air transport), që kërkohen posaçërisht për këtë lloj transporti ajror është i pajisur, ndërmjet të tjerash, edhe me: monitor; defribilator; aspirator; 3 bombola oksigjeni për 200 minuta fluturim; dy barrela për sipas përcaktimeve të njohura ndërkombëtarisht për sistemin HEMS (Helicopter Emergency Medical Service – Shërbimi i urgjencës mjekësore për helikopterë); sedilje specifike për HEMS; mbledhëse gjaku; kabinet mjeku. Të gjitha këto pajisje mjekësore janë përputhje me standardet EASA.

“Pajisja e Njësisë me helikopterin e ri EC-135, me konfigurim të plotë për misione “EMS”, është ngritje në një shkalle më të lartë e përfaqësimit të punës së saj, që tregon se shërbimi i ofruar do të jetë më i sigurtë dhe më bashkëkohor sipas kërkesave të EASA-s dhe JAR-OPS 3”, theksoi z. Albert Xhafaj, Shef i NJTMH. Gjate këtyre 20 vjetëve, NJTMSH ka realizuar gjithsej: 30 350 fluturim; për 7 468 orë; duke kryer 9 000 operacione urgjence mjekësore në të gjithë vendin.

—###—

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

Përshëndetje dhe mirë se keni ardhur të gjithë, miq, dashamirës, profesionistë dhe të ftuar!

Së pari, po e filloj duke e korrigjuar pak komandant Bertin (z. Albert Xhafaj, Shef i Njësisë së Transportit Mjekësor me Helikopter), që sigurisht nuk e bëra unë të mundur, ai ishte një investim i shtetit shqiptar, i cili u realizua në mbyllje të vitit të kaluar si pjesë e projektit madhor të Qeverisë, për të ngritur Shërbimin Kombëtar të Urgjencës.

Megjithatë, kjo ditë përkon edhe me 20-vjetorin e krijimit të këtij shërbimi (Njësia e Transportit Mjekësor me Helikopter), kështu që sot është momenti për të përshëndetur të gjithë ata që e krijuan dhe e mbështetën në vite, pra të gjithë ministrat e shëndetësisë që kanë qenë në detyrë përpara meje, që nga 1995 deri në 2013.

Por, sigurisht falënderimet i shkojnë teknikëve, pilotëve, personelit, që e mbajnë gjallë përditë këtë shërbim.

Siç e prezantoi edhe komandant Berti, praktikisht bëhen rreth 400 fluturime në vit, pra ne kemi mesatarisht çdo ditë, apo edhe më shumë se 1 fluturim në ditë, që kryhen nga kjo Njësi, të cilat sigurisht shpëtojnë jetë apo sjellin shumë shpejt pranë qendrave shëndetësore, institucioneve shëndetësore të kualifikuara pacientët për një shërbim shëndetësor më të avancuar, që do të shkurtojë invaliditetet.

Sot, besoj se duhen falënderuar edhe ata që e ndihmuan konkretisht këtë projekt. Ne kemi patur një bashkëpunim shumë të mirë me përfaqësuesit e Aviacionit Civil, edhe dua t’i falënderoj ata për të gjithë proçedurat e shpejta dhe më efiçencë, që u kryen për mjetin, për trajnimin e teknikëve dhe pilotëve.

Padyshim, duhet falënderuar edhe kompania Aircopter, si pjesë e grupit Airbus (Airbus Helicopters), për mbështetjen që i ka dhënë në vite edhe mjeteve të tjera të kësaj Njësie, qoftë edhe me mirëmbajtjen që ka mundur të ofrojë dhe sigurisht që, edhe me këtë helikopter të ri, ne do të ofrojmë një shërbim edhe më cilësor, sepse edhe siç do të mund ta shihni më pas, edhe pajisjet që helikopteri ka, janë të një niveli më të lartë, qoftë si cilësi, qoftë si gamë pajisjesh në krahasim me ato që ne kemi deri më sot.

Sigurisht, do të vazhdojmë të fuqizojmë shërbimin kombëtar të urgjencës, është një projekt madhor i këtij mandati qeverisës, për të filluar qoftë me ngritjen e miratimin ligjit, bazën ligjore, fuqizimin e plotë të autoambulancave me 20 autoambulanca, të cilat janë praktikisht operative në terren, dhe ky investim i filluar që vjet, tashmë është i gatshëm.

Nuk dua të zgjatem më shumë, dua të ftoj Dr. Skënder Bratajn, i cili prej pak ditësh është edhe Drejtor i Shërbimit Kombëtar të Urgjencës, që për të pranishmit, sidomos për ata që nuk janë specialistë, të na prezantojë  helikopterin dhe çfarë risish ka ai.

Faleminderit!

—###—

Për foto nga takimi, mund të konsultoni:

Faqen zyrtare të MSH në Facebook: http://tinyurl.com/pdsu3or

Profilin zyrtar të MSH në Twitter: @BeqajIlir