.

vije ndarëse

Postuar më: 17/06/2019

Manastirliu: 11 mijë fëmijë përfituan bonusin e bebes

Tiranë, 16 Qershor- Rreth 11 mijë fëmijë kanë përfituar çekun e bebes nga 40, 000 në 120,000 lekë që nga Janari 2019.

Gjatë pjesëmarrjes në një klasë prenatale ku mjekët  e Maternitetit Mbretëresha Gerladine tek Reja, diskutuan me nënat rreth shtatëzënisë, lindjes, periudhës paslindjes, të porsalindurve dhe ushqyerjen e tyre, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, vuri theksin te rëndësia e edukimit rreth fëmijëve tek nënat e reja.

“Këto modele klasash prenatale, do të jenë në përditshmëri, në konsultoret tona të nënës dhe fëmijës, pranë lagjeve tuaja, që përveçse bëjnë një punë fantastike për ndjekjen e fëmijëve, duhet ta fillojmë më herët edukimin, që në fillim të shtatëzanisë”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja Manastirliu, deklaroi se bonusi i bebes i mundëson një start të barabartë për çdo fëmije të porsalindur, pavarësisht statusit social të prindërve të tij.

“Rreth 11 mijë fëmijë kanë përfituar çekun e bebes nga 40, 000 në 120,000 lekë që nga Janari 2019, nga të cilët, rreth 2 mijë, janë fëmijë të qytetarëve shqiptarë të lindur jashtë vendit dhe të regjistruar në Shqipëri”, tha Manastirliu.

Një shtyllë tjetër ku po investohet për mirëqënien e nënës dhe fëmijës janë edhe maternitetet në të gjithë vendin. Pas Korçës dhe Sarandës, vijojnë investimet në Berat, Kukës, Lezhë e më pas në Burrel e Pogradec. Investime ka patur në vijim në pajisje mjekësore modern, inkubatorë etj, për të garantuar shërbim cilësor afër vendbanimit. Gjithashtu po investohet edhe te burimet njerëzore, të cilat janë më të rëndësishmet për të siguruar objektivin e Ministrisë së Shëndetësisë, me fokus te shëndeti i nënës dhe fëmijës.