.

vije ndarëse

Postuar më: 20/12/2019

Manastirliu në spitalin e Lezhës: Hapet për herë të parë shërbimi i mamografisë

Nga Janari, edhe 70 mjekë specialistë i shtohen spitaleve rajonale

 

Lezhë, 19 Dhjetor – Dy muaj pas vizitës në spitalin e Lezhës, ku deklaroi se brenda vitit do të vendoset mamografia në këtë spital, Ministrja Manastirliu u rikthye sot në Lezhë për të parë nga afër funksionimin e shërbimit të ri të mamografisë.

“Siç e premtuam, vendosëm për herë të parë mamografinë në spitalin e Lezhës, me një teknologji të avancuar, që do i shërbejë grave të kësaj zone ta marrin shërbimin afër vendbanimit, pa patur nevojë të vijnë në Tiranë për ekzaminimin e gjirit”, tha Manastirliu.

Me vendosjen e mamografisë në Lezhë dhe së shpejti në Fier, plotësohen të gjitha nevojat e spitaleve rajonale në vend.

“Bëhemi gati për të nisur programin kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit, me vendosjen e mamografisë së detyrueshme për gratë. Synojmë të arrijmë targetin për të depistuar 40 mijë gra në vit”, tha Manastirliu.

Në spitalin e Lezhës është japur për herë të parë edhe shërbimi i kimioterapisë.

“Me hapjen e kabinetit të kemioterapisë në Lezhë shkon në 7 numri i spitaleve rajonale që ofrojnë kemioterapinë afër vendbanimit për pacientët që vuajnë nga tumoret. Me buxhetin 2020 mbështesim trajtimin me citostatikë në spitale”, tha Manastirliu.

Duke u ndalur tek investimi në burimet njerëzore, Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se nga Janari do t’i shtohen spitaleve rajonale edhe 70 mjekë specialistë.

“Investimet në infrastrukturë janë të rëndësishme por për ne është po aq i rëndësishëm investimi në burimet njerëzore. 130 mjekë specialistë u punësuan në spitalet rajonale gjatë vitit të fundit, ndërsa 70 mjekë të tjerë specialistë përfundojnë specializimin në Dhjetor dhe do të punësohen në spitalet rajonale vitin e ardhshëm”, tha Manastirliu.

Gjatë vizitës në spitalin e Lezhës, Ministrja e Shëndetësisë vlerësoi punën e mjekëve të spitalit të Lezhës që po përballojnë fluksin e pacientëve të shtruar që vijnë dhe nga qyteti i Laçit për shkak të dëmtimit të spitalit si pasojë e tërmetit. Manastirliu garantoi se do të vijojmë investimet në vitin 2020, për të siguruar shërbim cilësor afër vendbanimit.

Buxheti 2020 mbështet investimin për ndërtimin e maternitetit të ri të Lezhës, Beratit dhe Kukësit si dhe investimet për modernizimin e QSUT me ndërtimin e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme, rindërtimin dhe zgjerimin e pediatrisë së Tiranës dhe Durrësit dhe rindërtimin e 120 qendrave shëndetësore në vend.