.

vije ndarëse

Postuar më: 03/01/2019

Shëndetësia në gadishmëri: Ja masat për përballimin e motit të ftohtë

Ministrja Manastirliu zhvilloi sot një takim me strukturat e shëndetësisë për të organizuar shërbimin për përballimin e emergjencave të mundshme nga moti i ftohtë dhe ngricat.

Tiranë, 3 Janar – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një takim me strukturat e shëndetësisë për përballimin e emergjencave të mundshme që lidhen me motin e ftohtë.
Ekipet e përforcuara të Urgjencës Kombëtare do të jenë në gadishmëri të përforcuar, me personel shtesë edhe pas ditëve të festave, me shërbimin e urgjencës në territor dhe Njësinë e Helikopterëve 24/7.
Spitalet janë në gadishmëri për çdo situatë kritike që lidhet me motin e ftohtë që ka përfshirë vendin tonë.
Të gjitha qendrat shëndetësore që rrezikojnë bllokimin nga moti i keq, janë pajisur me barna dhe materiale mjekësore shtesë për të përballuar të gjithë periudhën e dimrit. Janë 92 qendra shëndetësore nga veriu në jug të vendit të pajisura me medikamentet e nevojshme për sezonin e dimrit.
Në Tiranë vijon shërbimi 24/7 në katër qendra shëndetësore për urgjencat pediatrike dhe përforcim me mjekë në Pediatrinë e QSUT-së.
Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik vijon informimin e qytetarëve për masat për të përballuar të ftohtin. ISHP rekomandon qëndrimin në ambjente të ngrohta me temperaturë jo më të lartë se 21-23 gradë celsius, të cilat duhet të ajrohen disa herë në ditë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqëndrimin e mikrobeve në shtëpi.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët që për çdo emergjencë të telefonojnë në numrin 127 dhe të ndjekin këshillat e ekspertëve të shëndetit publik për të mbrojtur shëndetin nga i ftohti dhe ngricat.