20 Shkurt 2020- Informacion i përditësuar për Koronavirusin COVID – 2019

Situata ndërkombëtare sipas ECDC-së është si më poshtë:

  • Në nivel global, janë raportuar në total 75 744 raste të konfirmuara me COVID – 2019.
  • Azi:          75 037 raste të konfimuara
    • 2127 vdekje
  • Afrikë 1 rast i konfirmuar
  • Amerikë: 23 raste të konfirmuara
  • Australi: 15 raste të konfirmuara
  • Europë: 47 raste të konfirmuara
    • 1 vdekje

 

Tabela 1. Numri i rasteve të konfirmuara deri në datën 20 shkurt 2020 sipas shteteve (sipas ECDC):  https://www.ecdc.europa.eu/en/novel-coronavirus-china

 

Shteti Nr i rasteve të konfirmuara (20 shkurt 2020)
Kina 74 670
Japoni 84
Republika e Koresë 82
Vietnam 16
Singapor 84
Australi 15
Malajzi 22
Kamboxhia 1
Tajland 35
Taivan 24
Nepal 1
Indi 3
Filipine 3
Iran 2
Sri Lanka 1
Rastet e tjera në një mjet transporti detar Japoni 621
USA 15
Kanada 8
Finlanda 1
Franca 12
Gjermani 16
Rusia 2
Spanja 2
Belgjika 1
Suedia 1
Anglia 9
Italia 3
Emiratet e Bashkuara Arabe 9
Egjypt 1
Total 75 744

 

 

 

Grafiku 1. Shpërndarja e rasteve laboratorike të konfirmuara për COVID – 2019 sipas

 kontinenteve (përveç Kinës), 20. 02.2020

1. Situata në  Europë dhe në vendin tonë sipas ECDC–së është si më poshtë:      

  • Europë: 47 raste të konfirmuara
    • 1 vdekje
  • Shqipëri: Janë testuar 6 raste të dyshuara, të cilat kanë rezultuar negative

 

 

Grafiku 2. Shpërndarja e rasteve të konfirmuara në laborator të COVID – 2019 në vendet e    BE, EEA dhe Mbretërinë e Bashkuar, 20 Shkurt 2020

 

Masat e marra në Shqipëri

Si në të gjitha vendet e Europës, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) ka përgatitur një plan parapërgatitjeje të masave ndaj shpërthimit epidemik të koronavirusit të ri, sipas të gjitha rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ECDC-së bazuar edhe në zbatimin e Rregullores Ndërkombëtare të Shëndetit, duke patur parasysh të gjthë skenarët për rrezikun e infeksionit nga koronavirusi i ri COVID – 2019 për popullatën në Shqipëri. Duhet të theksojmë që, aktualisht ky rrezik mbetet i ulët.

Rreziku i infeksionit nga COVID – 2019 për popullatën në Shqipëri është aktualisht i ulët. Në vendin tonë deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Koronavirus COVID-19, janë testuar 6 raste të cilat pas testimit kanë rezultuar negative. Në Laboratorin e Virologjisë, i çertifikuar nga OBSH, në Institutin e Shëndetit Publik tashme kryhet diagnoza e plotë konfirmuese për koronavirusin COVID-19.

Vazhdojmë të kemi të përforcuar survejancën e infeksioneve respiratore dhe specifikisht të rasteve me vështirësi respiratore/sindromën e rëndë respiratore akute, si dhe sistemin e lajmërimit të shpejtë në një situatë shëndetësore jo të zakonshme, kjo e fundit mbështetur dhe në Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (2005,OBSH), me qëllim zbulimin dhe ndjekjen në kohë të rasteve të dyshuara, izolimin dhe menaxhimin e tyre.

Instituti i Shëndetit Publik në koordinim me Inspektoratin Shëndetësor Shtetëror, Autoritetin Portual në Durrës dhe Operatorin Shëndetësor po vijon me zbatimin e listws sw pyetjeve mbi kontrollin e udhëtarëve për rastet e dyshimta me sëmundje infektive (për të evidentuar specifikisht COVID – 2019), për çdo pikë kufitare të të gjitha niveleve tokësore, detare dhe ajrore; ku merren të dhënat e sakta në të njëtën kohë mbi vendbanimin, vendnisjen e udhëtimit dhe transitit, por dhe të dhëna klinike mbi infeksionin respirator apo shenja klinike me mbizotërim të temperaturës dhe rrufës.

Është kryer shpërndarja e Mjeteve Mbrojtëse Personale nga ISHP –ja për QSUT, Aeroportin e Rinasit (ISHSH), Spitalin “Sh.Ndroqi”, QKUM dhe Operatorin Qendror (Spitalet rajonale) për t’u patur në kushte urgjence ndaj rasteve që mund të paraqiten në urgjencat e spitaleve rajonale, dhe pse menaxhimi klinik i tyre deri në këtë fazë do të kryhet nga QSUT-ja.

Nga Shërbimi i Sëmundjeve Infektive (QSUT), janë përcaktuar bokset /dhomat e izolimit funksionale, në se do të ketë raste të dyshuara për COVID_19. Eshtë përcaktuar ambienti karantinë, për ta përdorur atëherë kur do të jetë e nevojshme, si dhe është kryer trajnimi paraprak i personelit shëndetësor që do të jetë pjesë e shërbimit në karantinë.

Gjithashtu po vijohet me trajnimin e personelit shëndetësor spitalor, si dhe në çdo nivel, nga personeli i NJVKSH – ve, si dhe ISHP – së. Janë kryer takime informuese dhe trajnuese me përfaqësues dhe specialistë të spitaleve jopublike për masat dhe parapërgatitjen e tyre, në rast se paraqiten pranë urgjencave të tyre raste të dyshuara me COVID_19.

Ministria e Shëndetësisë rekomandon qytetarët të cilët kanë udhëtuar së fundmi në Kinë dhe kanë shenjat e mëposhtme: Kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje, të telefonojnë urgjencën kombëtare 127!

 

Rekomandime dhe këshilla të OBSH – së

 

Gjatë shpërthimeve të mëparshme nga koronaviruset e tjerë (Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme “MERS” dhe Sindroma Respiratore Akute e Rëndë “SARS”) transmetimi nga njeriu te njeriu ndodhi përmes spërklave të përshtymës, kontaktit të drejtpërdrejtë human (fizik), apo kontaktit indirekt (nëpërmjet sipërfaqeve / objekteve të kontaminuara). Këto fakte sugjerojnë që mënyra e transmetimit të COVID – 2019 mund të jetë e ngjashme. Parimet themelore për të zvogëluar rrezikun e përgjithshëm të transmetimit të infeksioneve akute të frymëmarrjes përfshijnë masat e mëposhtme:

  • Shmangia e kontaktit të ngushtë me njerëzit që vuajnë nga infeksione akute të rrugëve të frymëmarrjes.
  • Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.
  • Shmangia e kontaktit të pambrojtur me kafshët (qofshin ato shtëpiake apo të egra).
  • Personat me simptoma të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes duhet të praktikojnë higjienën respiratore të lidhur me kollën (ruajtja e distancës, mbulimi me shami / letër ose rroba kur teshtijnë apo kolliten, larjen e duarve).
  • Brenda mjediseve të kujdesit shëndetësor, forconi praktikat standard të parandalimit të infeksionit dhe kontrollit në spitale, veçanërisht në shërbimet e urgjencës.

Në rast të simptomave të lidhura me infeksionet respiratore qoftë gjatë udhëtimit, ashtu edhe pas tij, udhëtarët inkurajohen të kërkojnë kujdes mjekësor dhe të ndajnë historinë e tyre të udhëtimit me personelin shëndetësor.