.

vije ndarëse

Postuar më: 29/05/2014

Dezinsektimi në Divjakë, më shumë siguri për turizmin dhe banorët

 

Tiranë, 29/05/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, vizitoi dje (28/05/2014) Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë me rastin e nisjes së programit të dezinsektimit në këtë zonë, në vijim të planit të kontrollit të integruar të mushkonjës të lançuar një javë më parë në zonën e Butrintit. Në takimin ku ishin të pranishëm edhe Deputeti i Partisë Socialiste z. Erion Braçe, Kryetari i Bashkisë së Divjakës, z. Fred Kokoneshi, përfaqësues të tjerë të qeverisjes vendore dhe përfaqësues të OJF-ve mjedisore në vend, si dhe specialistë të shëndetit publik, z. Beqaj theksoi midis të tjerash risinë që solli përdorimi i teknikave të reja të dezinsektimit nëpërmjet agjentëve biologjikë në këtë program, të cilat luajnë një rol vendimtar jo vetëm për kontrollin e mushkonjave, por janë edhe tërësisht të padëmshme për shëndetine njerëzve dhe miqësore ndaj mjedisit.

Gjithashtu, Ministri Beqaj falënderoi Deputetin Braçe për vullnetin dhe këmbënguljen, kërkesa insistuese e të cilit për t’u marrë me këtë çështje, jo vetëm që ndihmoi së tepërmi për jetësimin e këtij projekti të munguar prej 23 vitesh, por ndikoi që  në parashikimin e buxhetit afatmesëm 2015 – 2017, të parashikonim edhe fondet që ky proçes të bëhej në mënyrë shumë më të gjerë dhe në një periudhë gjatë gjithë vitit.

Nga ana e tij, z. Braçe theksoi midis të tjerash se “do të doja të falënderoja në radhë të parë Kryeministrin, që u bë mbështetës i gjithë këtij proçesi, ishte ai që e vuri në lëvizje gjithë proçesin dhe që natyrisht e shtyu përpara, dhe padyshim Ministrin e Shëndetësisë z. Beqaj, i cili u bë promotor për ta shtyrë akoma më tutje dhe për të dalë nga zona e Divjakës në gjithë vijën bregdetare, nga Velipoja deri në Butrint. Ashtu siç dua të falenderoj të gjithë ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, të cilët kanë qenë këtu në këtë zonë për të bërë studimin e tyre dhe natyrisht për të bërë të mundur që ky proçes të përfundojë me sukses dhe jo të dështojë. Dhe natyrisht dua t’ju them se, janë dy vendime shumë të mira të kësaj qeverie, fakt i kryer dhe që kanë sjell një ndryshim rrënjësor të gjithë situatës edhe në Parkun e Divjakës – Karavastasë,” – tha ai.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Përshëndetje,

Në fakt, sot ne fillojmë proçesin e dezinsektimit në  Divjakë, një proçes që do të zgjasë deri në Tetor. Ndoshta më tej specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, por edhe përfaqësues të kompanisë që do të realizojë në këtë pjesë të Shqipërisë dezinsektimin, do të japin edhe më shumë detaje të teknikave, të kalendarit.

Është një proçes që s’po përsërim gjëra të tjera, por unë  besoj se, fakti që po ndodh sivjet, është në radhë të parë, meritë e një personi, që është deputeti Erion Braçe. T’ju them të drejtën, në fund të janarit të këtij viti, kur filloi nga Erioni kërkesa me insistim për t’u marrë me këtë çështje, nuk e prita edhe aq mirë në kuptimin që më prishte planin vjetor që kisha bërë në fillim e punës.

Pastaj, entuziazmi, me të cilin Erioni i bën të gjitha gjërat, është fat praktikisht për Divjakën. Por nga ky entuziazëm dhe këmbëngulja e Erionit përfitoi gjithë bregdeti këtë vit. Dhe madje, po them paraprakisht, që në buxhetin afatmesëm 2015 – 2017, ne kemi parashikuar fondet që ky proçes të bëhet në mënyrë shumë më të gjerë dhe në një periudhë gjatë gjithë vitit. Praktikisht, arritëm që të gjejme fondet, teknikat.

Po përfitoj sërish nga rasti të them diçka, që po më vjen t’i jap përgjigje zërave, që pavarësisht nga qëllimi me të cilin janë nisur, kur janë përpjekur të thonë se “po dëmtohet mjedisi, fauna, etj., etj.”, ne jemi përpjekur që të japim garancitë maksimale, madje garancitë absolute që do të përdoren vetëm agjentë biologjikë, që nuk synojnë të zhdukin asnjë lloj insekti përveç mushkonjës.

Ky është një proçes që ne e kontrollojmë këtë insekt, nuk dëmtojmë mjedisin, bashkëjetesën e bimësisë dhe botës shtazore, insekteve, etj, etj, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Por, kontrollojmë këtë insekt, i cili në radhë të parë, në mënyrë masive sjell bezdi për qytetarët, për pushuesit, për turizmin, për sipërmarrjet. Por, të vetëdijshëm  se në radhë të parë ne jemi të përgjegjshëm për shëndetin publik, sjell here pas herë edhe pasoja të shëndetit publik, sepse çdo sezon turistik ka herë pas here raste që nga ngacmimet e këtij insekti, vijnë pastaj edhe pasoja në shëndet.

Është një proçes që do ta vazhdojmë në bashkëpunim me prefektin, me drejtorinë e shëndetit publik dhe me drejtuesit e komunave dhe bashkive gjatë vijës bregdetare. Periudha e fillimit të proçesit u ngatërrua pak, dhe jo çdo datë të parashikuar, e kemi mbajtur sepse kushtet e motit në këtë maj nuk na kanë lejuar.

Sigurisht, ne jemi të bindur se është një sipërmarrje e mirë, por jemi të vetëdijshëm që qytetarët shqiptarë, notën do të na e vënë në Tetor, sepse është një proçes që zhvillohet pas shumë vitesh, por zhvillohet me teknika krejt të reja, që nuk janë shumë të njohura për ne në mënyrë praktike, por për fat të mirë kemi një ekspertizë shumë të mirë në Institutin e Shëndetit Publik, por edhe praktikisht bashkëpunimi i drejpërdrejtë dhe transparent që ne bëjmë me sipërmarrjen e bëri të mundur që këtë vit, në dy pjesë të Shqipërisë të mund të kemi kompani private që të marrin përsipër ta realizojnë këtë proçes.

Unë do t’ju ftoja ju në radhë të parë përfaqësues të mediave ta ndiqni këtë proçes, të mund edhe të na përcillni mesazhe që vijnë nga terreni, nga perceptimi që kanë edhe vetë banorët, por sigurisht do të donim, që edhe nëpërmjet jush të përcillnim mesazhet e sigurisësë së shëndetit publike në radhë të parë.

Por, edhe kushteve normale të sipërmarrjes së turizmit. Por padyshim, edhe le të themi edhe të promovimit të këtyre teknikave të reja bashkëkohore që përdorim sot. Nuk po zgjatem shumë.

Faleminderit për pjesëmarrjen!

—###—