Fushata e vaksinimit ‘Shqipëria buzëqesh’

Shqipëria nisi në datë 11 Janar 2021 fushatën e vaksinimit antiCOVID “Shqipëria Buzëqesh”. Qendra e parë e vaksinimit antiCOVID u hap në Tiranë, në Stadiumin ‘Air Albania’. Dy qendrat e tjera të vaksinimit antiCOVID janë në Vlorë dhe Shkodër, ndërsa vijojnë të krijohen pole vaksinimi në mënyrë kapilare në të gjithë vendin.
Sipas planit kombëtar të vaksinimit, të parët që kanë nisur vaksinimin janë ekipet mjekësore dhe të moshuarit në institucionet e kujdesit afatgjatë, ndërsa do të vijohet me grupet e tjera të riskut, sipas fazave të planit të vaksinimit.

Shqipëria ka siguruar 500 mijë dozat e para të vaksinës nga marrëveshja direkte me kompaninë Pfizer si dhe ka kontratë me COVAX, ku ka siguruar 1,114,000 doza vaksine, për të cilat ka parapaguar 3.9 mln dollarë. Deri tani, qeveria ka siguruar vaksina për 800,000 qytetarë (1,6 milion doza) nëpërmjet marrëveshjes së drejtpërdrejtë me Pfizer dhe marrëveshjes me COVAX.
Përpos këtyre dy marrëveshjeve, qeveria është në negociata të drejtpërdrejta edhe me kompaninë Astra- Zeneca, për të rritur sasinë e vaksinave antiCOVID.

Vendi ynë zotëron kapacitetet e zinxhirit ftohës për secilën nga vaksinat që do të vijnë në Shqipëri. Vaksinat aktuale të Pfizer ruhen brenda të gjitha parametrave të sigurisë, në Institutin e Shëndetit Publik, në kushte të standardeve ultra të ftohta -70 °C – -80 °C.
Nga masat e marra nga MSHMS, kapacitetet aktuale për ruajtjen e vaksinave në temperaturën -70 °C janë për 250,000 doza vaksine njëherësh, për vaksinën e Pfizer. Për vaksina si ajo e kompanisë Moderna, që kërkojnë një temperaturë ruajtje -20 °C, kapacitetet janë siguruar për të pritur 950,000 doza vaksine njëkohësisht, ndërsa për vaksina si e Astra Zeneca, që kërkon temperaturë ruajnë 2-8 °C, kapacitetet janë për deri në 7 milion vaksina njëherësh.