.

vije ndarëse

Postuar më: 29/04/2014

Garantojmë qytetarët për sigurinë, cilësinë dhe efektshmërinë e barnave

Beqaj në analizën tetë-mujore të punës së QKKB-së: “Garantojmë qytetarët për sigurinë, cilësinë dhe efektshmërinë e barnave”

Tiranë, 29/04/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, zhvilloi sot (29/04/2014) një konferencë për media, në të cilën prezantoi problematikën dhe nismat e ndërmarra gjatë tetë muajve të fundit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave (QKKB) për normalizimin e gjendjes tepër të vështirë dhe të mjerueshme në të cilën u trashëgua sektori i shërbimeve farmaceutike në vend. Kemi arritur, tha midis të tjerash z. Beqaj, që me shumë punë, përkushtim dhe një menaxhim më të mirë të bëjmë një përmirësim të prekshëm të situatës, me një impakt të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve farmaceutike që ofrohen tashmë për qytetarët.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takimin me mediat.

—###—

Mirëdita! Faleminderit për prezencën. Në fakt, komunikimin e sotëm po e bëjmë për arsye se në këtë debat që kemi përcjellë shumë mirë për opinionin publik lidhur me problemet e barnave, është tentuar që të spostohet vëmendja tek, gjoja, pasiguria e barnave që mund të vijnë në Shqipëri.

Pikërisht për këto, unë dua të bëj të njohur nëpërmjet jush për publikun, për institucionin e Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, për objektin e punës së saj dhe për ato që ne kemi bërë me qendrën në këto 7 muaj.

Funksioni i qendrës është që, në rradhë të parë, të garantojë që furnizimi i shqiptarëve me barna, të jetë me barna të sigurtë, cilësorë dhe efikas. Në këtë proçes, QKKB-ja monitoron qoftë proçesin e prodhimit të barnave në Shqipëri, qoftë proçesin e importit, dhe kur ka eksport, si edhe të shpërndarjes së barnave brenda tregut farmaceutik. Analizon cilësinë e barnave që qarkullojnë në treg, garanton që të ketë uniformitet në çmimet me të cilat barnat tregëtohen, meqënëse çmimi i barnave në Shqipëri është një çmim i rregulluar, kontribuon në bashkëpunim me institucionet e tjera për të luftuar kontrabandën e barnave, për specifikën që ka, jo vetëm si kontrabandë mallrash, por edhe për ndjeshmërinë që ka bari si mall specifik.

Ne gjetëm një situatë kaotike në atë institucion, ku mbizotëronte qoftë moszbatimi i ligjit, qoftë mungesa e profesionalizmit, duke bërë të pamundur realisht ushtrimin e detyrave normale që ka si institucion. Gjetëm një situatë të vështirë të gjendjes me pullat e barnave, të cilat nuk mund të hidhen në treg pa një pullë specifike. Gjetëm një situatë shumë specifike. Kishte mungesa të ndjeshme të pullave. Përgjithësisht, në Shqipëri, kemi nevojë për rreth 3,5 milion pulla në muaj, ne gjetëm vetëm 607 mijë.

Arritëm ta përballojmë këtë, pa krijuar probleme në treg, ndërkohë që të gjitha proçedurat administrative që subjektet kanë nevojë për të marrë autorizimet e importimit kryhen tashmë në një afat optimal, dhe gjithashtu, vumë dorë edhe në proçesin e regjistrimit, të ri-regjistrimit, sepse siç e kam bërë të njohur për publikun, ishte një proçes i bllokuar që prej fillimit të vitit 2012, ndërsa vetëm javën e parë të shtatorit kemi dhënë leje për regjistrim barnash për 2-3 ditë, madje kishte dhe raste shumë të çuditshme, që leja ishte dhënë sot, ndërsa kërkesa për leje ishte bërë të nesërmen.

Megjithatë, specifikisht jemi marrë me raste të veçanta për të verifikuar në vendet e origjinës për 22 barna, si edhe kemi kryer analiza fiziko-kimike për 78 barna. E them këtë, për të nënvizuar që ne i kemi mundësitë profesionale për të bërë analiza të barnave, dhe ndërkohë, vazhdojmë proçesin. Kemi në proçes analizimi 185 barna duke u nisur në rradhë të parë nga koncepti i principit aktiv.

Është shumë e rëndësishme të dallojmë principin aktiv me disa alternativa të barit. Ne, si ministri, jemi të interesuar për principin aktiv. Nëse ka aktorë të tjerë jashtë ministrisë që interesohen për një alternativë, prapa së cilës është një markë apo një patentë, ky është biznes, por ne jemi të interesuar për principin aktiv, për efektshmërinë e këtij principi në kurimin e një sëmundje të caktuar.

Sigurisht, gjatë kësaj periudhe, qendra ka bërë edhe aktivitet administrativ, kontrolle të ndryshme, si funksionon farmacia; a janë drejtuesit teknikë, farmacistët me arsimin e lartë, kushtet e tregëtimit të barnave të importuara; kushtet teknike të ruajtjes së barnave; dhe ndërkohë gjatë këtij proçesi, janë marrë disa masa administrative, për disa farmaci është kërkuar heqja e liçencës, dhe ndërkohë, ka barna që për arsye administrative janë bllokuar apo sekuestruar në një vlerë rreth 1,4 milion euro.

Të gjitha këto barna të cilat kishin probleme për proçese administrative, janë vënë në dispozicion të shërbimit spitalor për tu përdorur dhe ndërkohë vazhdon ky proçes. Sigurisht kemi shtuar bashkëpunimin me Sektorin Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Policinë e Tiranës, kur kemi ndërhyrë  për të punuar me ta për raste të kontrabandës së barnave.

Sigurisht, që proçesi vazhdon, unë dua të risjell në vëmendjen tuaj, ta shfrytëzoj këtë mundësi përsëri për të ndarë me publikun atë se çfarë është thënë në mënyrë të padrejtë se gjoja alternativat e reja të cilat janë më të lira sivjet se vitet e mëparshme, janë barna pa cilësi. Eshtë thënë në mënyrë të ulët, niseshte, allçi etj., etj. Dhe, dua të bëj ilustrimin me disa barna, që janë në listën e rimbursimit. Së pari, dua të garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se çfarë barnash ka në këtë listë, çfarë barnash ka të regjistruar në listën e rimbursimit, janë të gjithë barna me cilësi.

Po ju sjell për ilustrim një bar: Imatinib 100 mg tabletë.

Alternativat e Barit Çmimi Kompania
Imatinib 100 mg tab. 1,776.2lek Alvogen [Luksemburg]
Imatinib 100 mg tab. 1,825.5lek Zaklad Pharma [Poloni]
Imatinib 100 mg tab. 2,586.6lek Novartis [Zvicër]

Imatinib është emri i principit aktiv, nuk dua të hyj në emrat e patentave. Sot, këtë vit, në bazë të kësaj liste regjistrimi, kemi 3 alternativa, dhe siç e shikoni, nga Luksemburgu, nga Polonia, nga Zvicra.

Pra, flasim për të njëjtin territor gjeografik të origjinës së barnave kur regjistrohen në Shqipëri që i njeh ligji, apo i njëjti territor që pranohet për lejet e importit. Por dua të bëj dallimin midis vitit të kaluar dhe këtij viti.

Vitin e kaluar kishte vetëm një alternativë, e prodhuesit Novartis, dhe kushtonte për një njësi 3,211 lekë. Këtë vit, i njëjti bar, i të njëjtit prodhues, kushton 2,586 lekë. Po e evidentoj për të thënë, nuk ka rritje të çmimit të asnjë bari në Shqipëri, por ndërkohë çfarë ka ndodhur, kanë hyrë edhe dy alternativa të tjera. Dhe sigurisht, janë alternativa që është i njëjti princip aktiv.

Komisioni i Nomenklaturës së barnave që është një autoritet brenda Ministrisë së Shëndetësisë, ka pranuar që është bar që kryen të njëjtin efekt, janë regjistruar, dhe sigurisht që skema e rimbursimit rimburson 100% alternativën më të lirë. Dhe për dy alternativat e tjera më të shtrenjta, qytetari që zgjedh jo më të lirën, por të dytën apo të tretën, duhet të pranojë të bashkëpaguajë pjesën mbi çmimin e alternativës më të lirë. Ky është një rregull jo i sivjetshmi, është një rregull që funksionon që nga viti 1995 kur është ndërtuar skema e rimbusimit të barnave në Shqipëri.

Po marr një tjetër bar. Jam përpjekur të zgjedh për ilustrim barna, o me efekt shumë të gjerë apo barna për sëmundje të caktuara që kanë kosto shumë të madhe, apo kanë efekt në një sëmundje të caktuar.

Olmesartan, çfarë kemi patur vitin e kaluar? Një alternativë të vetme të një prodhuesi gjerman 126 lek.

Alternativat e Barit Çmimi Kompania
Olmesartan 20 mg 62.6lek Bilim [Turqi]
Olmesartan 20 mg 75.3lek Sandoz [Slloveni]
Olmesartan 20 mg 111.8lek Berlin-Chemie [Gjermani]

Këtë vit, i njëjti bar, i të njëjtit prodhues, kushton më pak. Pra, po e përsëris, edhe për këtë prodhues është ulur çmimi i barit.

Ndërkohë, ka dy alternativa të tjera dhe përsëri, është i njëjti parim: principi aktiv është po ai, efekti i barit është po ai, ne rimbursojmë 100% alternativën më të lirë, kush do të zgjedhë të dytën apo të tretën, do të duhet të pranojë të bashkëpaguajë.

Po marrim dhe Lercanidipinën.

Alternativat e Barit Çmimi Kompania
Lercanidipine 10 mg tab 24.7lek Actavis [Irlandë]
Lercanidipine 10 mg tab 25.1lek West pharma [Portugali]
Lercanidipine 10 mg tab 34.4lek Zentiva [Rep. Çeke]
Lercanidipine 10 mg tab 50.7lek Hemofarm [Serbi]
Lercanidipine 10 mg tab 85.6lek Berlin-Chemie [Gjermani]

Ka qenë një bar që ka patur shumë diskutime sepse ka edhe shumë përdorim. Vjet kishim vetëm një alternativë, atë të Berlin-Chemie dhe kishim 96,5 lek për tabletë. Sivjet, vetë Berlin-Chemie ka çmim më të ulët. Po e përsëris, nuk ka rritje të çmimit të barnave në Shqipëri, përkundrazi, ka ulje.

Por, ndërkohë, në rastin e Lercanidipinës, ka patur shumë më tepër regjistrime të reja, dhe është e rëndësishme të theksohet origjina e këtyre. Pra, ka edhe nga Portugalia, ka edhe nga Irlanda, ka edhe nga Çekia, ka edhe nga Serbia. Pra, janë barna europiane, një pjesë në BE, dhe madje, kanë vite që tregëtohen në ato vende. Edhe aty ishte evidente që rimbursojmë 100% për vlerën 24,7 lek dhe padyshim, të gjithë të tjerët do të duhet të bashkëpaguajnë.

Edhe një ilustrim tjetër me barin Capecitabine.

Alternativat e Barit Çmimi Kompania
Capecitabine – 500 mg 307.9lek F. Hoffmann – La Roche [Zvicër]
Capecitabine – 500 mg 321.2lek Alvogen
[Luksemburg]

Është po bar, përdoret për sëmundjet tumorale. Ka dy regjistrime në Shqipëri, është 307,9 lek nga një kompani dhe një kompani tjetër. Ndërkohë, kush është situata sot? Vetë bari i parë ka qenë vitin e kaluar 375,9 lek për njësi, për tabletë, sivjet është 307,9 lek. Pra janë ulur çmimet e barnave në Shqipëri. Dhe sigurisht, ky bar u përfshi për herë të parë këtë vit në listën e rimbursimit dhe pacientët, alternativën më të lirë e marrin falas. Kush do të zgjedhë tjetrën, do të duhet të bashkëpaguajë.

Dua t’ju ftoj dhe madje t’ju kërkoj juve si media të na ndihmoni kur të evidentoni çdo rast, kur shikoni se një mjek apo një farmaci, në mënyrë të padrejtë e piloton pacientin direkt apo indirekt te alternativat më të lira duke pretenduar se gjoja mund të kenë efekte anësore, etj., etj., të na e bëni me dije. Dhe ndërkohë, i bëj thirrje çdo mjeku, që nëse ai vetë ka dyshim profesionalisht te ndonjë bar, të komunikojë në mënyrë në mënyrë normale zyrtare me Komisionin e Nomenklaturës së Barnave.

—###—-

Pyetje nga Gazetar #1: Zoti Ministër, duke u ndalur tek kjo e fundit, si do ta luftoni ju si Ministri atë se çfarë vetë mjeku i sugjeron pacientit, duke i thënë: “Unë sugjeroj atë ilaçin gjerman sepse është shumë i mirë”, dhe sa tolerancë ka vetë pacienti, që unë të marr këtë ilaç që më rimbursohet 100%, kur vetë mjeku e kanalizon si të thuash drejt atij medikamenti?

Ministri Beqaj: Së pari, pacienti ka të gjithë të drejtën e zgjedhjes. Së dyti, mjekut i ndalohet të përshkruajë në recetë, apo të rekomandojë emrin e një patente, duhet të mbetet tek principi aktiv. Ne ndërkohë, bashkë me Fondin e Sigurimit, kemi filluar të monitorojmë proçesin e rimbursimit dhe të rasteve të bashkëpagesës nga pacientët, për t’u kthyer nga farmacia tek mjeku që e ka lëshuar atë recetë, dhe nga qendra shëndetësore nga ku është lëshuar kjo recetë, për t’i kërkuar mjekëve, qendrave shëndetësore, farmacive që, në rradhë të parë, të evidentojmë ku ndodh bashkëpagesa për të bërë një analizë të detajuar të rasteve të bashkëpagesës, dhe padyshim, Fondi do të ndërtojë sistemet e veta të maluseve me ato qendra shëndetësore apo ata mjekë, pacientët e të cilëve nga rezultokan se paskan dëshirë të shkokan te bashkëpagesa.

Pyetje nga Gazetar #1: Edhe një pyetje tjetër, ju thatë herën e fundit që jeni në proçes tenderimi për medikamentet spitalore. Çfarë po ndodh, në çfarë faze jemi, a po ofrohen ato tashmë?

Ministri Beqaj: Ne kemi përfunduar 12 proçedurat e prokurimit të barnave. Nga këto 12 proçedura rezulton deri më sot se nga 525 barna që kërkuam, për 240 prej tyre nuk ka pasur asnjë ofertë. Dhe dje, kemi rifilluar proçesin e prokurimit për herë të dytë, sepse ligji nga detyron që duhet të shkojmë në negocijim të drejpërdrejtë pasi kemi dështuar dy herë.

Midis këtyre 240 që nuk kanë ardhur, 178 janë barna të regjistruara. Me sa duket, ky është një tjetër ilustrim i faktit se kompanitë që kanë regjistruar barna, nisen nga qëllimet e tyre të mirëfillta të biznesit. Në një bar ku ka vlerë të madhe, ka interes, ndërkohë që për  178 barna që janë të regjistruar, nuk kanë interes. Dhe kjo është arsyeja se përse legjislacioni i’a lejon ministrit të shëndetësisë të drejtën, që për nevoja spitalore të fusë barna me leje importi, edhe kur ka të regjistruar.

Pyetje nga Gazetar #2: Zoti Ministër, si paraqitet situata për sa i përket cilësisë së atyre barnave që në etiketën e tyre shkruajnë “Eksport vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën”?

Ministri Beqaj: Ato barna janë bllokuar, janë hequr nga tregu, janë hequr, më falni nga depoja farmaceutike ku ishin gjendje, dhe ndërkohë, po vazhdojmë kontrollin nëpër ato farmaci, ku ato barna kanë qenë të shpërndara për t’i hequr komplet nga qarkullimi. Ndërkohë, në procedurat në javët e ardhshme, i njëjti bar, ose jo i njëjti bar, po ai bar do vijë në treg pa atë lloj etiketimi që ishte në kundërshtim me regjistrimin dhe linte hapësirë për dyshime tek qytetarët dhe pacientët.

Pyetje nga Gazetar #3: Zoti Beqaj, në fakt ka patur një akuzë ndaj jush, nga distributorët farmaceutikë, për shkelje të ligjit të barnave, a është shkelur ligji i barnave në futjen e barnave të paregjistruara? Edhe diçka tjetër, sepse është në të njëjtin kontekst, përderisa ka akuza dhe kundërakuza në distancë, pse nuk uleni për t’i diskutuar në tryeza të rrumbullakëta, dhe ata ankohen që kanë që nga janari që nuk janë ulur në një bisedë me ju.

Ministri Beqaj: Ne jemi në një proçes prokurimi, dhe për sa kohë jemi në një proçes prokurimi, po këta që bëjnë akuza publike, kanë filluar me të drejtën e tyre ankimimet për proçesin e prokurimit, fillimisht me entin prokurues, pastaj është komisioni i prokurimit dhe kjo është pjesë e legjislacionit të prokurimit të barnave.

Unë po e përsëris, nuk ka asnjë shkelje të ligjit në procedurat e prokurimit që po zhvillohen këtë vit.

Ndërkohë, me organizma të ndryshme të tregut farmaceutik, vazhdojmë të jemi në komunikim për çështje që lidhen me ligjin e ri të barnave, të cilën unë po e përsëris, atë që unë kam thënë dy javë më parë: Tani që e kanë një draft, të mos mbeten më në gjykime të përgjithshme se nuk na pëlqen drafti, por po e përsëris, për nenin, paragrafin, gërmën, apo pikën, apo përkufizimin, që ka mendime alternative, apo ka mendim ndryshe, janë të ftuar ta paraqesin konkretisht. Kam patur nga shoqata e shtëpive farmaceutike, ditën e djeshme apo të pardjeshme, dhe besoj se brenda 10 ditësh do ta realizoj.

Pyetje nga Gazetar #3: Ata thonë se kanë bërë 3 kërkesa për takim me ju.

Ministri Beqaj: Tani, çfarë kanë thënë ata… Ka një protokoll, ka një arkivë, dokumentat janë të hapura, po e përsëris, gjithë mendimet e tyre për ligjin i kemi marrë. Kjo nuk do të thotë që ne duhet të bëjmë ligjin që propozojnë ata. Por, jemi në bashkëbisedim të vijueshëm dhe proçesi i hartimit të ligjit ka filluar në nëntor, dhe po t’i ktheheni arkivit tuaj në fund të janarit, ju e keni pasqyruar, kemi bërë një takim të hapur me ta, në sallën poshtë të ministrisë.

—###—

Këtu, mund të gjeni link-un me materialin e prezantuar nga Ministri Beqaj në konferencën e sotshme (29/4/2014) për media, lidhur me rezultatet e punës 8-mujore të Qendrës së Kontrollit Kombëtar të Barnave (QKKB).