.

vije ndarëse

Postuar më: 23/05/2014

Kirurgjia e zemrës, konkretizimi i bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë

Tiranë, 23/05/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, u prit në një vizitë dje (22/5/2014) në Republikën e Kosovës, nga homologu, z. Ferid Agani, me rastin e realizimit me sukses të dy ndërhyrjeve të para kardiokirurgjikale të realizuara nga një grup mjekësh nga shërbimi i kardiokirurgjisë së Qendrës Spitalore Universitare (QSU) “Nënë Tereza” të Tiranës në Klinikën e Kardiokirurgjisë së Qendrës Klinike Universitare (QKU) të Kosovës.

Këto ndërhyrje të kirurgjisë së zemrës, të realizuara nga grupi i kardiokirurgëve të QSU Tiranë i drejtuar nga Rektori i Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, Prof. Dr. Ali Rifatllari, “janë edhe dëshmia e parë e konkretizimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë të nënshkura rreth një muaj më parë (25/4/2014) në fushën e shëndetësisë midis dy ministrive përkatëse,” – tha Ministri Beqaj në takimin me homologun e tij kosovar, z. Agani.

Ministri Agani tha se me fillimin e ndërhyrjeve nga ekipi i mjekëve nga Shqipëria, dëshmohet përkushtimi për zbatimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit në mes dy shteteve Kosovë – Shqipëri në fushën e shëndetësisë, dhe në këtë rast konkret, në Kardiokirurgji.

“Zbatimi i marrëveshjes më forcon bindjen në synimin tim për nismën e themelimit të Kardiokirurgjisë Kombëtare, që do të ishte një hap i rëndësishme në ngritjen e kapaciteteve dhe cilësisë në shërbimin e Kardiokirurgjisë”, – tha Agani.

Ndërkohë, Rektori Refatllari theksoi se “ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit që do të kemi në sektorin e shëndetësisë që si rezultat do të ketë shkëmbimin e përvojave në mes dy shteteve tona”.

Mjekët nga Shqipëria po qëndrojnë në Klinikën e Kardiokirurgjisë të QKUK-së për të bashkëpunuar me personelin mjekësor vendor dhe kanë filluar kryerjen e disa ndërhyrjeve në fushën e kardiokirurgjisë, në kuadër të zotimit për ndihmë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë së Shqipërisë për shëndetësinë kosovare, në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar rreth një muaj më parë në Prishtinë midis ministrave Agani e Beqaj.

—###—