.

vije ndarëse

Postuar më: 24/11/2022

Manastirliu takon Ministrin e Shëndetësisë së Gjermanisë: Forcojmë bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë, me fokus te shëndeti publik dhe farmakologjia

Berlin, Gjermani – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu u prit në një takim dypalësh nga Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë prof. Karl Lauterbach gjatë vizitës zyrtare në Berlin.
“U dakordësuam për një marrëveshje të re bashkëpunimi dhe për krijimin e një grupi pune të përbashkët mes institucioneve shëndetësore të Shqipërisë dhe Gjermanisë për mbështetjen e mëtejshme dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë”, tha Manastirliu.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e shëndetit publik dhe të farmakologjisë.
“Bashkëbiseduam për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Institutit të Shëndetit Publik dhe Institutit “Robert Koch” si dhe agjencive të barnave të dy vendeve tona, me synim rritjen e shkëmbimeve në fushën e shëndetit publik dhe farmakologjisë”, u shpreh Manastirliu.
Një tjetër çështje e rëndësishme e takimit mes dy ministrave të shëndetësisë dhe delegacioneve të dy vendeve ishte edhe forcimi i kapaciteteve të burimeve njerëzore.
“Do të bashkëpunojmë për përfshirjen në programeve të kërkimit shkencor dhe programeve të edukimit me Universitetin e Mjekësisë, me synim rritjen e kapaciteteve të profesionistëve të shëndetit”, u shpreh Manastirliu.
Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë prof. Karl Lauterbach shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve, përmes ekipeve të përbashkëta që do të nisin menjëherë punën për shkëmbimet e ndërsjellta në fushën e shëndetit publik dhe farmakologjisë.
Gjatë takimit mes dy delegacioneve të kryesuar nga Ministrat respektivë të Shëndetësisë, merrnin pjesë edhe drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik dhe Universitetit të Mjekësisë.