.

vije ndarëse

Postuar më: 04/06/2014

Masa të reja për respektimin e ligjit kundër duhanit

Deklaratë e Zëvendësministres së Shëndetësisë, znj. Milva Ekonomi, sot, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Mirëdita!

Në mbledhjen e sotme, Qeveria vendosi për të dërguar në Parlament një projektligj, i cili sjell disa ndryshime në ligjin e miratuar në vitin 2006, për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit.

Ministria e Shëndetësisë paraqiti këtë projektligj në kuadër të bashkëpunimit që ajo ka pasur me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, ku midis disa gjërave disa të diskutuara së bashku ishte edhe mënyra se si Republika e Kosovës kishte bërë të mundur që ligji për të mbrojtur popullatën nga produktet e duhanit kishte qenë një histori suksesi në Kosovë. Ne reflektuam dhe sollëm disa ndryshime në projektligjin për mbrojtjen e popullatës nga produktet e duhanit.

Këto ndryshime konsistojnë në tre drejtime kryesore:

Së pari, ne vendosëm që të bëjmë një fushatë të fortë promocionale për të bindur më shumë popullatën për dëmet që sjell pirja e duhanit. Këtë duhet ta marrë përsipër ta kryejë Radio Televizioni Shqiptar, i cili në harkun e një muaji duhet të transportojë një program të gjatë prej 90 minutash, për të sensibilizuar mbi dëmet që sjell duhani në shëndetin e popullatës.

Së dyti, një mase tjetër e rëndësishme ishte masa e respektimit të ambienteve ku do të pihet duhan dhe klasifikimi i këtyre mjediseve, që janë mjedise publike ku nuk lejohet pirja dhe ku Inspektorati duhet të zhvillojë kontroll. Inspektorati që drejton gjithë këtë proces inspektimi është ai i Shëndetësisë, por ai bashkëpunon edhe me Inspektoratin Doganor dhe me Inspektoratin Tatimor.

Një ndryshim i tretë, në projektligjin që do të shkojë në Parlament së shpejti, kishte të bënte me masat administrative për kundërvajtjet administrative që i takojnë individëve të ndryshëm. Projektligj sjell me vete disa masa administrative që do të penalizojnë si pronarin e mjedisit publik, si administratorin e mjedisit publik, ashtu edhe duhanpirësin.

Natyrisht, masat janë të ndryshme për këto 3 kategori. Këto ishin ndryshimet më të rëndësishme që sjell ky projektligj. Shpresojmë së shpejti që ligji të miratohet nga Parlamenti, sepse i bën mirë shëndetit të popullatës dhe sidomos, në ndihmë të uljes së masës së sëmundjeve që nuk janë sëmundje të transmetueshme, por që janë sëmundje që prekin shumë popullatën shqiptare, veçanërisht  këto 10 vitet e fundit.

Faleminderit.

—###—