Masat e marra per parandalimin e koronarovirusit te ri ne Shqiperi!

Masat e marra për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit të ri në Shqipëri:

Trajnim i stafeve mjekësore në pikat kufitare për koronavirusin e ri; Udhëzuesi për kontrollin e infeksionit në spitale, aeroport dhe porte. Rifreskimi i protokollit për lajmërimin dhe menaxhimin e rasteve në anije; më tej në port dhe transport – në proces rishikimi për koronavirusin e ri. Përgatitja e disa posterave për portin e Durrësit dhe printimi i protokolleve për stafin në bashkëpunim me shërbimin shëndetësor atje.

Urdhër i Ministres datë 24 Janar 2020 për “PËRFORCIMIN E PËRGATITJES PËR TU MBROJTUR NDAJ DEPERTIMIT SË KORONAVIRUSIT TË RI DHE PARANDALIMIT TË PËRHAPJES SË TIJ NË SHQIPËRI”

1. Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në bashkëpunim me ekspertet kombëtarë dhe mbështetur në udhëzimet e OBSH dhe ECDC të përcaktojë nivelin e rrezikut në lidhje me depërtimin dhe përhapjen e këtij virusi në vendin tonë.

2. ISHP të përforcojë survejancën e infeksioneve të rënda respiratore akute dhe pneumonive akute në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit, kryesisht me QSUT dhe Spitalin “Shefqet Ndroqi” duke siguruar edhe marrjen e mostrave respiratore.

3. ISHP të përgatisë përkufizimin e rastit dhe udhëzimet për survejancën dhe hetimin epidemiologjik, hetimin e kontakteve, marrjen dhe transportin e mostrave dhe kontrollin e infeksionit për rastet e infektuara me koronavirusin e ri.

4. Shërbimi i sëmundjeve infektive në QSUT në bashkëpunim me shërbimin pediatrik në QSUT dhe shërbimin e sëmundjeve të mushkërive pranë Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi” dhe ISHP, të përgatisë udhëzimet për menaxhimin e rasti të infektuar me koronavirusin e ri.

5. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) të sigurojë mjetet personale të mbrojtjes në aeroportin e Rinasit dhe të përforcojë masat higjeno-sanitare në bashkëpunim me aeroportin.

6. ISHP në bashkëpunim me shërbimin shëndetësor në aeroportin e Rinasit dhe ne portin e Durrësit si dhe shërbimin Kombëtar të Urgjencës Mjekësore të përgatisë protokollet për menaxhimin e rasteve ne aeroport si dhe protokollet e karantinës kur kjo do te jete e nevojshme për kontaktet.

7. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë (QSUT) dhe spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” të kryejnë vlerësimin e nevojave sipas listës përkatëse të OBSH në bashkëpunim me ISHP. Gjithashtu shërbimi i kujdesit intensiv në QSUT ne bashkëpunim me atë të klinikës infektive dhe Spitalit Shefqet Ndroqi të përcaktojë mënyrën e koordinimit të menaxhimit të pacienteve duke respektuar masat e kontrollit të infeksionit.

8. Spitalet dhe qendrat shëndetësore të marrin masa për të siguruar mjete të mbrojtjes personale dhe dezinfektuese dhe të sigurojnë kushtet e izolimit efektiv të pacienteve sipas nevojës dhe rekomandimeve përkatëse të ISHP.

9. ISHP të koordinojë të gjitha veprimet në vend me operatorin e kujdesit shëndetësor i cili duhet te zbatoje udhëzimet e ISHP.

10. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të marrë masa për të siguruar mbështetje financiare për spitalet kur kjo të jetë e nevojshme.

11. Ngarkohen ISHP, ISHSH dhe FSDKSH për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri.

Task Forcë në Njësinë Operacionale në MSHMS me drejtues të institucioneve shëndetësore, mjekë dhe ekspertë të shëndetit publik, drejtues të njësive tona në pikat e kalimit kufitar, përfaqësues të policisë kufitare, për koordinimin e masave për koronavirusin e ri.
Aktualisht Shqipëria ka një survejancë shumë të mirë të infeksioneve respiratore të rënda si dhe atyre akute në të gjithë vendin dhe sistemi i kapjes së hershme dhe njoftimit të hershëm është i mirë përcaktuar dhe funksionon më së miri. ISHP ka një laborator të standardizuar në lidhje me vendosjen e diagnozës së koronaviruseve dhe infeksioneve virale dhe stafe të trajnuara për inteligjencën epidemike. Spitali infektiv ka kapacitetet e nevojshme me boxe izolimi për çdo situatë.
Janë hartuar planet e reagimit në varësi të shkallës së rrezikshmërisë në spitale dhe ekipe mjekësore të përgatitura.