.

vije ndarëse

Postuar më: 25/04/2014

Ministrat Beqaj e Agani, nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë

Prishtinë, 25/04/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe homologu i tij nga Republika e Kosovës, z. Ferid Agani, nënshkruan sot (25/4/2014) në Prishtinë Marrëveshjen e Bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë midis dy ministrive përkatëse.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një takimi të përbashkët të ekipeve të dy ministrive, i cili u zhvillua në Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, në vijim të takimeve ndërmjet institucioneve shtetërore shëndetësore të dy shteteve, pas takimit të përbashkët të dy Qeverive të mbajtur më 11 Janar 2014 në Prizren.

Kjo Marrëveshje ka për qëllim fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë dhe shkencave mjekësore, bazuar në parimet e barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë.

Ministri Ilir Beqaj tha pas takimit në një deklaratë për mediat se nënshkrimi i Marrëveshjes është një moment i rëndësishëm për ta çuar  në një stad  më të lartë bashkëpunimin midis dy vendeve në shëndetësi, me qëllimin e përmirësimit të kujdesit shëndetësor për qytetarët e dy vendeve. “Ne kemi vendosur të harmonizojmë sistemin e informimit shëndetësor dhe e njëjta gjë do të bëhet edhe me protokollet e trajtimit mjekësor dhe çështjet e tjera, ashtu që të dy fondet e sigurimeve shëndetësore të mund të kryejnë pagesa në të dy vendet dhe të kontraktojnë shërbime”, tha Ministri Beqaj.

Gjithashtu, z. Beqaj tha se ndërmjet dy ministrive është vendosur në axjendë ‘agresive’ bashkëpunimi në kuptimin pozitiv, me qëllim që pas tre muajve të shkohet në veprime të tjera, ndërkohë që theksoi se nga marrëveshja do të ndihmojë që banorët e zonës së Bajram Currit e Hasit në veri të Shqipërisë do të mund të marrin shërbime shëndetësore në Kosovë, ndërkohë që, Shqipëria do t’i ofrojë asistencën Kosovës në fushën e disa shërbimeve të nivelit terciar.

Nga ana e tij, Ministri Agani, tha se nënshkrimi i Marrëveshjes së re të bashkëpunimit, është fillimi i konkretizimit të bashkëpunimit midis dy ministrive, me qëllim që shëndetësia e dy shteteve të unifikojë shëndetësinë në pikat kryesore të bashkëpunimit me resurset dhe mundësitë në dispozicion.

“Ky është një rast unik që hap mundësi të reja bashkëpunimi konkret, rezultatet e të cilit do të mund të analizohen qysh pas tre muajve,” tha Ministri Agani, duke theksuar faktin se themelimi i Komitetit të përbashkët të Monitorimit dhe Koordinimit, do ta vlerësojë progresin e arritur deri në atë kohë dhe do të përcaktojë edhe hapat e bashkëpunimit të mëtejme duke filluar me sistemin e informimit shëndetësore dhe fushat e tjera.

Ministri Agani ndërkaq, duke i’u referuar perspektivës së bashkëpunimit Kosovës –Shqipëri në shëndetësi, tha se orientimi duhet të jetë që pas disa vitesh, Kosova e Shqipëria ta kenë një Strategji të përbashkët kombëtare për fushën e shëndetësisë.

Përveç takimit të dy ministrave dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së bashkëpunimit, ekipet e dy ministrive të përfaqësuara në nivele të drejtorëve ekzekutivë të agjencive, edukimit shëndetësor, shërbimeve spitalore dhe inspektorateve,  kanë zhvilluar takime për të konkretizuar fushat e bashkëpunimit reciprok midis tyre.

Realizimi i marrëveshjes së nënshkruar sot në Prishtinë do të përcillet nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit dhe Koordinimit ndërsa fushat prioritare të bashkëpunimit kanë të bëjnë me organizimin e sistemeve shëndetësore kombëtare përkatëse, mbikëqyrjen epidemiologjike dhe parandalimin e HIV/AIDS-it, monitorimin e sistemeve të alarmit epidemiologjik dhe kontrollit të pandemive, parandalimin e sëmundjeve kronike, bashkëpunimin në farmaceutikë, bashkëpunimin në mjekësinë alternative, në mjekësinë rehabilituese, trajnimin e kuadrit mjekësor, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e aparaturës mjekësore, mundësitë që kuadri mjekësor të mund të punojë në të dy shtetet.

—###—