.

vije ndarëse

Postuar më: 27/05/2014

Ministri Beqaj dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë diskutojnë reformën në shëndetësi

 

Ministri i Shëndetësisë z. Ilir Beqaj, ka patur një takim pune sot (27/5/2014) me Dhomën Amerikane të Tregtisë, të foksuar në çështje të sektorit farmaceutik dhe atë të ofrimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor në vend. Gjatë takimit është folur mbi nismat, projekt dhe punën e deritanishme që është duke bërë Ministria e Shëndetësisë, për jetësimin e reformës shëndetësore në këtë sektor, e cila do t’i mundësojë qytetarëve shërbime më të mira, mbështetur në burime të kufizuara financiare, materiale dhe njerëzore.

Ministri Beqaj vuri në dukje, midis të tjerash, se ministria që ai drejton është duke punuar për përmirësimin dhe ofrimin e një shërbimi të kontrolleve bazë shëndetësore pa pagesë një herë në vit për të gjithë qytetarët e moshës 40-65 vjeç, për të cilin mendohet të shpenzohen rreth 18 milionë dollarë në vit.

Ligji i ri i barnave mendohet gjithashtu se do të sjellë një reformë në sektorin farmaceutik duke standardizuar një sistem, i cili më në fund do të jetë në pajtueshmëri me vendet e BE-së. Ligji i ri i barnave parashikon vendosjen e një kontrolli të plotë mbi importin e barnave dhe ofrimin e mundësive që informacioni të mund të jetë i aksesueshëm për të gjithë aktorët e këtij tregu. Mbi të gjitha, synohet të vendoset një kontroll mbi situatën monopol në shitjen e disa barnave, si dhe të ketë siguri maksimale për produktin që del në treg.

Anëtarët e Dhomës Amerikane kanë folur me Ministrin e Shëndetësisë për çështje të ndryshme që prekin aktivitetin e tyre të biznesit në sektorin e shëndetësisë. Kështu, disa nga bizneset kanë patur mendimin se sigurimi shëndetësor duhet të jetë i ndarë në nivele dhe duhet të mbulojë jo vetëm sistemin publik të shendetësisë, por dhe atë privat, dhe të mbetet në dëshirën e qytetarit se kujt sistemi do t’i drejtohet. Sot për sot në Shqipëri sistemi i shëndetësisë njeh vetëm sigurimin e detyrueshëm, i cili është një fond jo individual por shkon në fondin e madh të buxhetit të shëndetësisë dhe nuk i lejon individët të zgjedhin mes dy sistemeve.

Gjatë takimit, është përmendur procesi i hartimit të një ligji të ri për barnat. Nga Dhoma Amerikane është kërkuar që ky proces, ashtu sikurse edhe ligjet e tjera, të bëhen objekti i diskutimit nga komuniteti i biznesit, i cili ndërkaq ka rezervat e veta për ligjin. Anëtarët e Dhomës kanë kërkuar që ligji të jetë në përputhje me standardet e BE-së dhe i ngjashëm me vende të tjera fqinje, si Sllovenia dhe Kroacia. Kështu, është përmendur fakti se ligji duket i paqartë dhe ka nevojë për referenca më të qarta, të cilat nuk duhet të mbeten thjesht në udhëzimet që nxjerr Ministri pas ligjit.

Ndërkohë, Ministri Beqaj sqaroi për pjesëmarrësit në takim, se është zhvilluar një proces i gjerë konsultimi me aktorët dhe grupet e interesit, qysh me shpalljen publike të projektligjit më 24 janar të këtij viti, duke organizuar një diskutim të efektshëm dhe në kushtet e transparences së plotë me të gjithë përfaqësuesit e biznesit farmaceutik dhe grupit të punës që ka hartuar projektligjin. Gjithashtu, z. Beqaj bëri me dije se në draftin përfundimtar që është shpërndarë në ministritë e linjës për mendime, janë përfshirë një numër i konsiderueshëm i kërkesave të parashtruara nga grupet e interesit.

Sektori farmaceutik ka patur dhe çështjet më të debatueshme në takim. Kështu, organizimi i tenderave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ndryshimi i rregullave për një prej tyre pasi kishte filluar tenderi ka qenë një objekt diskutimi. Nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë është sqaruar se ndryshimi në tender është një e drejtë që ligji ia jep ministrit, dhe se ndryshimet në fjalë janë bërë me fokus mundësimin e blerjes së barnave të nevojshme për shërbimet spitalore me çmimin më të ulët dhe për të luftuar situatat monopol në treg.

Për këtë çështje, Ministri Beqaj sqaroi se ky vendim u mor bazuar në negocijimet që QSUT-ja pati gjatë muajit mars me operatorët farmaceutikë në treg, të cilët, për barna me kosto të lartë financiare, paraqitën oferta shumë afër fondit limit të parashikuar, ndërkohë që, për barna me kosto të ulët, nuk paraqitën asnjë ofertë.

Anëtarë të Dhomës Amerikane mendojnë se në sektorin farmaceutik në të gjithë botën njihen të drejtat e kompanive që kanë patentën e barnave dhe nuk konsiderohen si monopol, një veçori kjo që duhet të jetë e parashikuar në organizimin e tenderit. Bizneset e kësaj fushe mendojnë se diskutimi i rregullave të qarta të lojës dhe se përcaktimi i tyre në kohë do të shmangë problematika të tilla. Anëtarët e Dhomës kanë diskutuar edhe përfshirjen e biznesit në sektorin e shëndetësisë dhe kalimin gradual të shumë shërbimeve të sektorit shëndetësor tek privati. Sipas të dhënave, duket se më shumë se 70 për qind e fondit që ka në dispozion Ministria e Shëndetësisë për shkak të blerjeve dhe shërbimeve shkojnë automatikisht tek privati.

–###—