MIT: Vaksinat ndaj gripit dhe COVID-19 nuk janë të sigurta?
FAKT: Vaksinat ndaj gripit dhe COVID-19 janë të sigurta. Problemet serioze nga vaksina e gripit dhe COVID-19 janë shumë të rralla. Efektet anësore më të zakonshme janë pak dhimbje dhe skuqje në vendin e injeksionit, temperaturë e lehtë, lodhje dhe dhimbje trupi që kalojnë pas 1 ose 2 ditësh.
MIT: Nëqoftëse vaksinohem ndaj gripit dhe COVID-19, nuk infektohem më.
FAKT: Vaksinimi me vaksinën e gripit sezonal të mbron vetëm ndaj disa viruseve të gripit. Vaksina e gripit nuk të mbron ndaj viruseve të tjerë që shkaktojnë rrufën, të ftohtit e zakonshëm, apo sëmundje të ngjashme me gripin. Prandaj mund të sëmureni nga këto sëmundje edhe pse keni marrë vaksinën e gripit.
Vaksinimi ndaj COVID-19 dhe gripit ulin rrezikun e infektimit nga COVID-19 dhe gripit, por është me rëndesi të ritheksohet se vaksinimet për këto sëmundje të mbrojnë ndaj formave të rënda, hospitalizimeve dhe vdekjeve.
MIT: Vaksinat më infektojnë me grip ose COVID-19.
FAKT: Jo. Nuk mund të infektoheni nga gripi kur vaksinoheni me vaksinën e gripit dhe ju nuk mund të infektoheni nga COVID-19 kur vaksinoheni me vaksinën kunder COVID-19.
MIT: Nëqoftëse vaksinohem ndaj gripit ose COVID-19 një herë, nuk kam nevojë të vaksinohem përsëri.
FAKT: Çdo vit shfaqen shtame të reja të virusit të gripit. Edhe nëse jeni vaksinuar vitin e kaluar, imuniteti që keni është jo i mjaftueshëm dhe ju nuk do jeni të mbrojtur ndaj viruseve të gripit që janë në qarkullim.
Dozat përforcuese të vaksinës kundër COVID-19 janë të rëndësishme për të rritur imunitetin tuaj ndaj COVID-19 pavarësisht nëse jeni infektuar më parë ose jo. Ndiqni rekomandimet e vaksinimit ndaj COVID-19.
MIT: Vaksinat nuk funksionojnë
FAKT: Organizata Botërore e Shëndetësisë ka quajtur ujin e pastër dhe vaksinimin si dy ndërhyrjet që kanë impaktin më të madh tek njerëzimi. Vaksinimi funksionon.
MIT: Personeli shëndetësor nuk duhet të vaksinohet
FAKT: I gjithë personeli i sistemit shëndetësor i cili ka kontakt të ngushtë me pacientët duhet të vaksinohet ndaj gripit. Në të përfshihet stafi mjekësor dhe ai teknik (jo/mjekësor).
MIT: Gripi ose COVID-19 nuk i rrezikon gratë shtatzëna
FAKT: Gratë shtatzëna që preken nga gripi apo COVID-19 mund të sëmuren shumë më rëndë sesa personat e tjerë. Studimet kanë treguar se gratë shtatzëna me një sëmundje respiratore nga gripi ose COVID-19 kryejnë më shumë vizita mjekësore, më shumë shtrime dhe qëndrime të gjata në spital apo kane një rrezik më të lartë për forma të rënda, ndërprerje të shtatëzanisë dhe fatalitete.
MIT: Nuk mund të marr dozën e vaksinës së gripit apo vaksinen kunder COVID-19 kur ushqej fëmijën me qumështin e gjirit.
FAKT: Të dyja këto vaksina janë të sigurta dhe rekomandohen. Kundërtrupat që krijohen pas vaksinimit mund të kalojnë tek fëmija përmes qumështit të gjirit, duke reduktuar mundësinë e fëmijës për t’u sëmurur nga gripi apo COVID-19.
MIT: Unë jam i shëndetëshëm, nuk infektohem nga gripi ose COVID-19
FAKT: Gripi dhe COVID-19 janë probleme serioze të shëndetit publik pasi mund të shkaktojnë gjëndje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe vdekje, sidomos tek grupet me risk të lartë. Por, çdo njeri mund të sëmuret shumë rëndë nga gripi dhe COVID-19. Gripi dhe COVID-19 mund të prekin çdo grup-moshë.
© Ministria e Shëndetësisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.