Pse duhet të vaksinoheni ndaj COVID-19 dhe ndaj gripit?
Personat me sëmundje të zemrës dhe sëmundje ishemike të trurit duhet të vaksionohen?
Po, njerëzit me sëmundje të zemrës, ose ata që kanë pasur një goditje në tru, kanë një rrezik më të madh për të pësuar komplikacione të rënda mjekësore nga COVID-19 dhe gripi, duke përfshirë përkeqësimin e sëmundjes së zemrës. Gjatë sezoneve te gripit por dhe per COVID-19 është vënë re se shumë nga personat e rritur të shtruar në spital vuanin nga sëmundjet kronike të zemrës.
Personat me sëmundje të mushkërive duhet të vaksionohen?
Njerëzit që vuajnë nga astma, sëmundja kronike obstruktive pulmonare (COPD) ose sëmundje të tjera të mushkërive kanë një rrezik më të lartë për komplikacione të gripit dhe COVID-19 edhe kur gjendja e tyre shëndetësore është e lehtë dhe shenjat e tyre kontrollohen. Personat me astmë dhe COPD janë të ndjeshëm me frymëmarrjen dhe inflamacioni i shkaktuar nga gripi dhe COVID-19 mund të shkaktojë përkeqësim të shenjave të astmës dhe të COPD. Njerëzit me astmë, COPD ose sëmundje të tjera që ndikojnë tek mushkëritë, kanë më shumë gjasa të zhvillojnë dëmtime të mëtejshme të mushëkrive pasi sëmuren nga gripi dhe COVID-19 sesa të tjerët.
Po, vaksinimi ndaj COVID-19 dhe gripit rekomandohet për personat me astmë, COPD, ose sëmundje të tjera që ndikojnë në mushkëri.
Diabetikët duhet të vaksinohen?
Po, njerëzit me diabet, edhe nëse trajtohen mirë, kanë më shumë gjasa sesa personat e shëndetshëm, të kenë komplikacione nga gripi COVID-19 dhe prekje te mushkrive, gjë që mund të çojë në hospitalizim.
A kanë personat që vuajnë nga kanceri dhe të mbijetuarit prej tij më shumë gjasa të infektohen nga COVID-19 dhe gripi se të tjerët?
Deri tani dihet vetëm se kanceret mund të rrisin rrezikun për ndërlikime nga gripi por dhe COVID-19. Personat që janë me kancer ose kanë pasur lloje të caktuara të kancerit në të kaluarën (si psh. limfomë ose leuçemi), kanë rrezik të lartë për komplikacione të gripit dhe COVID-19, duke përfshirë hospitalizimin dhe vdekjen.
A duhet që personat me kancer dhe të mbijetuarit prej tij të vaksinohen ndaj gripit?
Po, personat që vuajnë nga kanceri ose me një histori të mëparshme të kancerit duhet të marrin vaksinën ndaj gripit sezonal çdo vit si dhe të vaksinohen ndaj COVID-19 sipas rekomandimeve. Njerëzit që jetojnë me ose kujdesen për pacientët me kancer dhe të mbijetuarit prej tij gjithashtu duhet të vaksinohen kundër gripit sezonal dhe COVID-19.
Megjithëse jam vaksinuar ndaj gripit dhe COVID-19 përse ende sëmurem?
Vaksinimi me vaksinën e gripit sezonal të mbron vetëm ndaj disa viruseve të gripit. Vaksina e gripit nuk të mbron ndaj viruseve të tjerë që shkaktojnë rrufën, të ftohtit e zakonshëm, apo sëmundje të ngjashme me gripin. Prandaj mund të sëmureni nga këto sëmundje edhe pse keni marrë vaksinën e gripit.
Vaksinimi ndaj COVID-19 dhe gripit ulin rrezikun e infektimit nga COVID-19 dhe gripit por është me rëndësi të ritheksohet se vaksinimet për këto sëmundje të mbrojnë ndaj formave të rënda, hospitalizimeve dhe vdekjeve.
Personeli shëndetësor ka përgjegjësi për të mbrojtur pacientët e tyre?
Ju mund t’ia ngjisni virusin e gripit dhe COVID-19 të tjerëve edhe kur nuk keni shenja klinike. Pra, edhe kur mendoni se jeni të shëndetshëm, ju mund të jeni duke rrezikuar jetët e të tjerëve.
Si vepron vaksina?
Vaksina e gripit sezonal mbron ndaj viruseve të cilët mendohet se do të qarkullojnë gjatë sezonit të gripit kryesisht nga Tetori deri në Maj. Kundërtrupat fillojnë të zhvillohen në trup dy javë pasi është kryer vaksina. Këto kundërtrupa mbrojnë ndaj infeksioneve të shkaktuara nga viruset e gripit të cilët janë të ngjashëm ose të njëjtë me ato viruse me të cilët është prodhuar vaksina.
Kundërtrupat fillojnë të zhvillohen në trup 2-3 javë pasi është kryer vaksina kundër COVID-19. Gjithashtu imuniteti qelizor luan nje rol të rëndësishëm pëe mbrojtjen ndaj formave të rënda të COVID-19.
A mund të japë vaksina mbrojtje edhe nëse vaksina nuk ka një përputhje të mirë me viruset që janë në qarkullim ?
Po, kundërtrupat e zhvilluar në përgjigje të vaksinës ndonjëherë mund të sigurojnë mbrojtje kundër viruseve të ndryshëm të gripit por që lidhen me njëri-tjetrin pavarësisht se mbrojtja imunitare nuk është e lartë.
Deri më tani ka të dhëna se vaksinimi parësor kundër COVID-19 është i mirë ndaj të gjitha varianteve por vaksinimi me dozën përforcuese me vaksinën e adaptuar për variantet qarkullues për ata që kanë kryer vaksinimin parësor do të rrise më tej imunitetin dhe do të mbrojë më mire ndaj varianteve qarkullues të SARS-CoV-2.
Kur duhet të kryhet vaksinimi?
Vaksinimi kundër gripit duhet të kryhet përpara, në fillim dhe gjatë sezonit te gripit. Për sa kohë që viruset janë në qarkullim vaksinimi duhet të bëhet përgjatë gjithë sezonit madje edhe në Janar e më vonë. Kundërtrupat mbrojtëse zhvillohen zakonisht dy javë pas vaksinimit, prandaj për t’u mbrojtur kundër virusit të gripit, është mirë që të vaksinoheni në kohën e duhur dhe për të qenë të mbrojtur në kohën e qarkullimit të virusit .
Vaksinimi ndaj COVID-19 kryhet në çdo kohë.
A duhet të imunizohen gratë shtatzëna kundër gripit dhe COVD-19?
Po. Vaksinimi kundër gripit dhe COVID-19 është një element thelbësor i kujdesit prenatal sepse gratë shtatzëna janë më tepër të rrezikuara për të kaluar një sëmundje të rëndë dhe vdekje nga gripi dhe COVID-19. Raportet e rasteve dhe studimet e kufizuara tregojnë se shtatzënia mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve të rënda mjekësore të COVID-19 dhe gripit.
Përveç kësaj, mbrojtja e nënës nga vaksinat është e vetmja strategji efektive për të sapolindurit, sepse përdorimi i ketyre vaksinave rekomandohet vetëm kur foshnjat janë mbi 6 muaj.
Gjatë cilit tremujor mund të merret vaksina e gripit dhe COVID-19?
Vaksina e gripit dhe ajo ndaj COVID-19 mund të merret në çdo kohë gjatë shtatzënisë. Gratë shtatzëna këshillohen t’a marrin sa më shpejt që të jetë e mundur kur të jetë e disponueshme dhe të këshillohen me gjinekologët e tyre ose ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor rreth imunizimit.
Cilën vaksinë të gripit apo kundër COVID-19 duhet të marrin gratë shtatzëna?
Gratë shtatzëna duhet të marrin vaksinën e inaktivuar të gripit, e cila injektohet në rrugë intramuskulare, në krah.
Gratë shtatzëna duhet të marrin vaksinën qe permban mARN kunder COVID-19, e cila injektohet në rrugë intramuskulare, në krah.
Unë jam shtatzënë. A duhet të marr vaksinën e gripit dhe atë kundër COVID-19 ?
Po. Vaksina e gripit dhe vaksina kundër COVID-19 është një mënyrë efektive dhe e sigurt për t’ju mbrojtur ju dhe fetusin tuaj nga sëmundjet e rënda dhe komplikacionet e gripit dhe COVID-19. Gratë shtatzëna dhe fetuset e tyre janë të rrezikuar ndaj komplikacioneve serioze nga gripi dhe COVID-19. Vaksinat ndaj gripit dhe ajo kundër COVID-19 janë aplikuar në miliona gra shtatzëna përgjatë këtyre viteve.
A do të më shkaktojë grip marrja e vaksinës së gripit?
Jo. Nuk mund t’a merrni gripin nga marrja e vaksinës së gripit.
A do të më shkaktojë COVID -19 marrja e vaksinës së COVID-19?
Jo. Nuk mund t’a merrni COVID-19 nga marrja e vaksinës kundër COVID-19.
© Ministria e Shëndetësisë 2023 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.