.

vije ndarëse

Postuar më: 02/11/2022

Rëndësia e Vaksinimit Ndaj Gripit dhe COVID-19

Çdo vit, miliona njerëz sëmuren nga gripi, qindra mijëra shtrohen në spital dhe mijëra të tjerë vdesin nga gripi dhe COVID-19. Kushdo mund të infektohet nga COVID-19 dhe gripi dhe problemet serioze që lidhen me gripin dhe COVID-19 mund të ndodhin në çdo moshë. Por disa persona kanë një rrezik më të lartë për të zhvilluar komplikacione të rënda të lidhura me COVID-19 dhe gripin si p.sh. personat që janë 60 vjeç e lart, persona me sëmundje kronike (si diabeti, astma, sëmundjet e zemrës,etj.), personat që janë mbipeshë,

Mënyra më e mirë dhe hapi më i rëndësishëm për të parandaluar format e rënda dhe vdekjet nga gripi dhe COVID-19 është aplikimi i vaksinës ndaj gripit dhe COVID-19. Ne rekomandojmë aplikimin e tyre në të njëjtën kohë.

Vaksinimi ndaj gripit për sezonin 2022-2023 nisi në 27 Tetor 2022 dhe vaksinat jane shpërndarë në të gjithë vendin sipas një plani shpërndarje. Në total kanë ardhur 270.000 doza (250.000 prokuruar me fondet e Qeverisë Shqiptare nga UNICEF dhe 20.000 dhuruar nga Task Force për Shëndetin Global). Këtë sezon kemi vaksina tre valente (mbulojnë dy lloj shtamesh të virusit të gripit A dhe një lloj shtami të virusit të gripit B) dhe katër-valente (mbulojnë dy lloj shtamesh të virusit të gripit A dhe dy lloj shtamesh të virusit të gripit B), janë në flakonë 10 dozësh. Të dyja këto sasi vaksinash janë vaksina GC flu (inaktive), tre dhe katërvalente, paketuar në flakon 10 dozësh, prodhuar nga Green Cross Corporation, Korea e Jugut.

Vaksinimi ndaj gripit këtë vit ashtu si në sezonin e kaluar do të aplikohet së bashku me vaksinimin ndaj COVID-19 në mjedise të sigurta për vaksinim duke ruajtur masat e kontrollit të infeksionit. Çdo qendër shëndetësore, poliklinikë dhe spital ka të përcaktuara mjediset përkatëse për vaksinimin ndaj gripit, të njëjta me ato ku ofrohet vaksinimi ndaj COVID-19 mundësisht të veçuara nga ambientet ku hyjnë personat e tjerë për të marrë shërbim shëndetësor, ku hyrja dhe dalja janë të kontrolluara. Për personelin shëndetësor vaksinimi ndaj gripit dhe COVID-19 po kryhet në vendin e punës në spitale apo qendra shëndetësore dhe poliklinika. Çdo qendër shëndetësore apo spital jep mundësinë për vaksinimin e fëmijëve të moshës 6-12 vjeç. Grupe të tjera me risk si psh. forcat e rendit, mësues/edukatorë etj, po vaksinohen në vendin e punës.