Ministry of Health and Social Welfare

Manastirliu: Zgjerojmë shërbimin për sëmundjet kardiovaskulare. Së shpejti laborator i ri hemodinamike në Fier

Goda: Ky reanimacion, përgjigje në kohë për nevojat në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare

 

Tiranë29 Shtator – Në Ditën Botërore të Zemrës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu, vizitoi pavijonin e sapo rehabilituar të Reanimacionit të Kardiologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

“Reanimacioni i Kardiologjisë në QSUT është një model i mirë që duhet përhapur në të gjitha spitalet e vendit, në mënyrë që sa më shpejt të shohim atë që të gjithë duam, një shërbim sa më cilësor për qytetarët”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Duke vënë theksin te vëmendja e posaçme e Qeverisë për sëmundjet kardiovaskulare, Znj. Manastirliu u shpreh: “Është momenti i një bilanci të asaj çfarë Qeveria ka realizuar në katër vitet e mandatit të parë. Kemi bërë të mundur urgjencën kardiake 24/7, duke shpëtuar 3 mijë jetë njerëzish nga nëntori i vitit 2015. Kemi hapur edhe dy qendra të reja, sot janë diagnostikuese, por shumë shpejt do të jenë edhe trajtuese, në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe në spitalin Rajonal të Shkodrës si dhe planifikojmë që brenda këtij viti, të kemi një laborator të ri hemodinamike në spitalin Rajonal të Fierit”.

Ndërsa Prof. Artan Goda, shef i shërbimit të Kardiokirurgjisë, u shpreh se rikonstruksioni i këtij reanimacioni është një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë, siç duhet, në kohë dhe ashtu si njerëzit e meritojnë, për nevojat në rritje të sëmundjeve kardiovaskulare.

Në Reanimacionin e Kardiologjisë kryhen trajime moderne të sëmundjeve akute të zemrës, duke i shërbyer afro 2300 pacientëve në vit. Sot ky shërbim ka 20 shtretër të pajisur të gjithë me monitorë modernë individualë dhe qendror, si dhe është i pajisur me aparaturat e nevojshme si defibrilatorët, pacemakër, eko, shiringa elektrike etj.

Rikonstruksioni i ambienteve të Reanimaciont të Kardiologjisë u realizua në bashkëpunim me biznesin privat. Ndërkohë, me një investim të Ministrisë së Shëndetësisë prej 9.5 milion lekë, jo vetëm ky repart, por të gjitha pavijonet e Reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë pajisur tashmë me shtretër të rinj, sipas parametrave bashkëkohorë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale u shpreh gjithashtu se kantieri I shëndetësisë do të zgjerohet më tej me investime strategjike, sikurse është ndërtimin e një spitali krejtësisht të ri të sëmundjeve të brendshme dhe spitalit të ri kirurgjikal në QSUT.

Fjala e plotë e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu:

“Sot është Dita Botërore e Zemrës, është një ditë, dhe jo vetëm, që duhet të na kujtojë se duhet të kujdesemi për veten, të ushqehemi shëndetshëm, të kryejmë sa më shumë aktivitet fizik. Nga ana tjetër është një ditë, ku, ne si Qeveri, na fton për të bërë një bilanc, për ato çka kemi arritur dhe çfarë duhet të bëjmë për të përmirësuar shërbimin për sëmundjet kardiovaskulare.

Nga nëntori i vitit 2015 ne kemi mundësuar urgjencën kardiake 24/7, duke shpëtuar 3 mijë jetë njerëzish. Kemi hapur edhe dy qendra të reja, sot janë diagnostikuese, por shumë shpejt do të jenë edhe trajtuese, në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe në spitalin Rajonal të Shkodrës. Planifikojmë që brenda këtij viti, të kemi një laborator të ri hemodinamike në spitalin Rajonal të Fierit. Falë mbështetjes së ekipit të drejtuar nga prof. Goda, kemi arritur të rrisim cilësinë e ofrimit të shërbimit në një standart të lartë.

Nga ana tjetër, paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë që ne sot ofrojmë në spitalet publike dhe jopublike, kanë ofruar një rritje dhe performancë më të mirë të trajtimit të këtyre sëmundjeve, me synimin për të shpëtuar sa më shumë jetë.

Ne sot jemi këtu dhe po shohim se si një model i mirë, sikurse është ky shërbim i Reanimacionit të Kardiologjisë, i cili është rikonstruktuar me mbështetjen e biznesit privat, mundet pse jo, të shtrihet në të gjitha spitalet e Shqipërisë, për të bërë një punë çdo ditë. Dhe duke bërë një punë çdo ditë, të gjithë bashkë, do të arrijmë më shpejt të shohim atë që të gjithë duam, shërbim më të mirë për qytetarët.

Nga ana tjetër, Qeveria është e angazhuar të rrisë investimet për shëndetësinë, duke ulur shpenzimet nga xhepi i qytetarëve, siç është rasti i paketave shëndetësore dhe padyshim, duke investuar për përmirësimin e teknologjisë, për furnizimin më të mirë me barna dhe materiale mjekësore. Sigurisht kemi ende shumë për të bërë, që çdo shqiptar, kudo ndodhet, të marrë shërbim shëndetësor në kohë dhe me cilësi.

Sa i takon këtij modeli të mirë këtu në QSUT, sigurisht edhe Qeveria ka bërë pjesën e saj, duke pajisur me shtretër të rinj, jo vetëm këtë shërbim reanimacioni, por të gjitha reanimacionet e QSUT-së.

Së fundi, kam një falenderim për të gjithë heronjtë e heshtur, mjekët, infermierët, laborantët, të gjithë punonjësit e sistemit tonë shëndetësor, për punën që bëjnë çdo ditë e natë në shërbim të pacientëve.

E pyetur në lidhje me ndërtimin e një spitali të ri të sëmundjeve të brendshme, Ministrja Manastirliu u përgjigj:

“Jemi në procedura për ndërtimin e spitalit të ri të sëmundjeve të brendshme, i cili do të jetë një spital modern i standarteve bashkëkohore, që do të përfshijë të gjitha shërbimet që i përkasin sëmundjeve të brendshme. Por ndërkohë që presim fillimin e punimeve për këtë spital – me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës, edhe për ndërtimin e spitalit Kirurgjikal- ne vijojmë të bëjmë nga një punë çdo ditë, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve që ne ofrojmë  për pacientët”.

 

Të dhëna dhe fakte mbi sëmundjet e zemrës:

Sëmundje kardiovaskulare (SKV) është një term i gjerë dhe përfshin një sërë sëmundjesh që ndikojnë në zemër dhe në enët e gjakut. Çdo vit në muajin shtator organizohet në nivel global Dita Botërore e Zemrës, me qëllim informimin e popullatës në lidhje me sëmundjet kardiovaskulare, të cilat janë shkaku kryesor i vdekjeve në gjithë botën. Kjo ditë synon të promovojë masa parandaluese që zvogëlojnë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Çdo vit sëmundjet kardio-vaskulare (SKV) janë përgjegjëse për 17.5 milionë vdekje të parakohshme, dhe deri në vitin 2030 pritet të rritet në 23 milionë. Pjesa më e madhe e SKV-ve mund të parandalohen duke bërë disa ndyshime të thjeshta në jetën e përditshme si ngrënia dhe pirja në mënyrë të shëndetshme, kryerja e aktivitetit fizik dhe lënia e duhanit.

Në Shqipëri, sëmundjet kardio-vaskulare përbëjnë 60% të mortalitetit, krahasuar me të gjitha sëmundjet e tjera, nga të cilat 40% e mortalitetit kombëtar vijnë vetëm nga sëmundjet koronare. Megjithatë, vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë frenuar dhe dy vitet e fundit vërehet rënie. 11 500 vdekje prej këtyre sëmundjeve në 2015 dhe rreth 11 000 vdekje në 2016 (INSTAT). Ulja e duhanpirjes tek personat mbi të 40tat, zbatimi i ligjit për duhanpirjen në hapësirat publike, trajtimi më i mirë i hipertensionit etj, konsiderohen faktorë që duhet të kenë sjellë këtë prirje. Rritja e aksesit në shërbimet e kujdesit parësor gjatë viteve të fundit është një tregues pozitiv i përmirësimit të përdorimit të shërbimeve shëndetësore në Shqipëri dhe i kontaktit mesatar për cdo banor me sistemin shëndetësor; nga 6 300 000 vizita në vitin 2013 ka 8 100 000 vizita në 2016.

Strategjia e parë kombëtare e sapomiratuar e kontrollit të sëmundjeve kronike, ku sëmundjet e zemrës përbëjnë objektin kryesor do të japë një përgjigje afatgjatë për këtë problem. Fokusi do të vijojë të ngelet parandalimi dhe trajtimi më i mirë i faktorëve risk me mbështetjen e shërbimeve të kujdesit parësor. Lufta kunder duhanit, ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, janë disa prej tyre.

Fakte:

Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë

  • Vdekjet nga SKV-të në botë, sot arrijnë në 17 milionë.
  • Vdekshmëria globale nga SKV-të është 31%.
  • Vendet me të ardhura të pakta dhe të mesme janë më të prekura nga vdekshmëria prej SKV-ve.
  • Parashikohet që për vitin 2030 numri i vdekjeve nga SKV-të të arrijë 23 milionë.
  • Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vendosur si objektiv për vitin 2025 reduktimin me 25% të vdekjeve të parakohshme të shkaktuara nga sëmundjet kronike, në të cilat SKV-të zënë vendin më të madh.
  • Shumë SKV janë të parandalueshme duke adresuar faktorët e rrezikshëm të sjelljes.
  • SKV-të dhe goditja në tru (stroke) shkaktojnë 1/3 e të gjitha vdekjeve të grave në mbarë botën.

Rritja e prevalencës së faktorëve të rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare

  • Nga viti 1980 – 2008, numri i njerëzve me hipertension të pakontrolluar është rritur nga 600 milionë në 1 miliard.
  • Mbipesha tek fëmijët në mbarë botën: 1 në 10 fëmijë të moshës shkollore dhe 42 milionë fëmijë të moshës nën 5 vjeç janë mbipeshë.
  • Duhanpirja është një faktor rreziku për SKV-të, që mund të shmangen totalisht. Aktualisht ka 1 miliard duhanpirës në mbarë botën
  • Diabeti është rritur në shumë vende të Evropës me një rritje më shumë se 50% në 10 vitet e fundit.
  • Në rang botëror, në vitin 2010 kishim 23% të të rriturve të cilët nuk ishin aktiv.

Pse është e domosdoshme të ndërmarrim që tani ndërhyrje për sëmundjet kardiovaskulare?

  1. Vdekjet e parakohshme po vazhdojnë të rriten
  2. Plakja e populates + rritja e urbanizimit + parandalimi i papërshtatshëm = epidemi të sëmundjeve kardiovaskulare.
  3. Rritja e pabarazisë
  4. Vendet me të ardhura të pakta dhe të mesme janë aktualisht më të prekurat, me rreth 80% të vdekjeve nga SKV-të.
  5. Ekonomia

Në botë kostoja e SKV-ve është 863 miliardë $.

 Informacione të tjera:

Njihni rrezikun tuaj

Kujdesi për zemrën tuaj fillon duke kuptuar apo njohur në fillim rrezikun tuaj, ndaj sigurohuni që të njihni (gjendjen tuaj shëndetësore) të gjithë parametrat tuaj shëndetësorë. Vizitoni mjekun tuaj dhe kërkojini disa kontrolle të thjeshta.

  • Mos u ushqeni me shumë ushqime të përpunuara dhe të parapërgatitura pasi ato kanë shumë sheqer dhe yndyrna.
  • Pakësoni pijet me sheqer dhe lëngjet e frutave; në vend të tyre merrni ujë apo lëngje pa sheqer.
  • Përpiquni të hani 5 porcione në ditë me fruta dhe zarzavate; ato mund të jenë të freskëta, të ngrira, të konservuara ose të thata.
  • Merrni brenda udhëzimeve të rekomanduara sasinë e alkoolit që përdorni.
  • Përgatisni vetë në shtëpi ushqimin për në shkollë apo në punë.

Njihni nivelin tuaj të sheqerit apo glukozës në gjak

Niveli i lartë i sheqerit apo glukozës në gjak mund të jetë tregues i diabetit. SKV-të janë përgjegjëse për 60% të të gjitha vdekjeve te njerëzit me diabet, ndaj nëse ajo nuk diagnostikohet apo nuk trajtohet mund t’ju rrisë rrezikun për SKV dhe goditje në tru.

Lëvizni zemrën tuaj

Kur qëndroni aktiv, ju mund të reduktoni rrezikun për sëmundje të zemrës dhe të ndiheni mirë.

  • Përpiquni të kryeni të paktën 30 minuta aktivitet të moderuar deri në intensiv 5 herë në javë.
  • Të gjitha lëvizjet si loja, ecja, punët e shtëpisë dhe kërcimi kanë rëndësi.
  • Ju duhet të jeni më aktiv gjatë ditës si p.sh. duke marrë shkallët në vend të ashensorit, të ecni apo të përdorni biçikletën në vend të makinës.
  • Ushtrimet bëjini me shokët dhe familjen, pasi kjo është më argëtuese dhe ju do të ndiheni më të motivuar.
  • Para se të vendosni për të filluar ushtrimet, ju duhet të konsultoheni me personelin shëndetësor apo mjekun tuaj të familjes.

Njihni presionin tuaj të gjakut

Presioni i lartë i gjakut është faktori kryesor i rrezikut për sëmundjet e zemrës. Ai është quajtur ndryshe “vrasës i heshtur” pasi zakonisht nuk ka shenja paralajmëruese apo simptoma, dhe shumë njerëz nuk e dinë që e kanë presionin e gjakut të lartë.

Duajeni dhe fuqizoni jetën tuaj

Lënia e duhanit është një ndër gjërat kryesore që ju mund të bëni për të përmirësuar shëndetin e zemrës tuaj.

  • Brenda dy vjetëve pasi keni lënë duhanin, rreziku për sëmundje koronare të zemrës reduktohet ndjeshëm.
  • Pas 15 vjetëve rreziku juaj për të patur SKV është i njëjtë me atë të një personi joduhanpirës.
  • Ekspozimi ndaj tymit të duhanit është një shkak për sëmundjet e zemrës te joduhanipirësit.
  • Lënia e duhanit do t’ju përmirësojë jo vetëm shëndetin tuaj por edhe atë të njerëzve që ju rrethojnë.
  • Nëse ju keni probleme në lënien e duhanit, kërkoni një këshillë profesionale sesi ta lini atë.

Njihni kolesterolin tuaj dhe IMT-në (BMI)

Niveli i lartë i kolesterolit në gjak është shkak i rreth 4 milionë vdekjeve çdo vit në botë. Prandaj ju duhet të kontaktoni mjekun tuaj të familjes në mënyrë që të masni nivelin tuaj të kolestrolit në gjak, peshën tuaj dhe Indeksin e Masës Trupore (IMT). Në këtë mënyrë mjeku juaj mund t’ju këshillojë për rrezikun që keni për SKV në mënyrë që ju të merrni masa apo veprime për të përmirësuar shëndetin e zemrës tuaj.

 

###{:}