Ministry of Health and Social Welfare

Mbyllet me sukses faza e parë e zbatimit të sistemit të DRG-ve, me ndihëm e programit italian IADSA

Beqaj: Administrim më efikas i shëndetësisë publike me sistemin DRG të analizës së kostove

Ambasadori Cutillo: Projekti i DRG, sjell përvojën më të mirë italiane në fushën e shëndetit publik dhe organizimin efikas të shërbimeve shëndetësore në territorin

-Me DRG kuptojmë realisht se sa kushton kujdesi spitalor në Shqipëri, duke vendosur standarde të larta për shërbime të efektshme, transparencë dhe llogaridhënie

-Me paketat shëndetësore të financuara nga FSDKSH në 2016-ën plotësuam për 75% të nevojave të vendit me financim publik për kardiologjinë dhe 30 transplante veshke falas

-Vijon puna për hartimin e dy paketave të reja për shërbimin laboratorik dhe radioterapinë

-Anketa e Buxhetit të Familjeve: Shqiptarët shpenzuan 50 milionë euro më pak nga xhepi për shëndetësinë në 2015 se sa në 2014.

-2015-ta, viti i parë kur shpenzimet publike kaluan më shumë se gjysmën e shpenzimeve të shqiptarëve për shëndetësinë pas 25-vjetësh.

Tiranë, 22/02/2017 – Ministria e Shëndetësisë, Fondacioni “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe Rajoni i Toskanës, Itali, organizuan në Tiranë konferencën me temë “Implementimi i DRG në Shqipëri: Çështjet dhe Zhvillimet e fundit”. Konferenca u mbajt në kuadër të projektit, “Futja e sistemit informativ shëndetësor: Një qasje moderne për transparencën dhe llogaridhënien në Shëndetin Publik shqiptar”.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, Ambasadori i Italisë në Shqipëri, z. Alberto Cutillo, si dhe drejtuesë dhe profesionistë të shëndetësisë në vendin tonë.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Ambasatori Cutillo u shpreh midis të tjerash se “ky projekt ishte një mundësi e mirë për të mbështetur një histori të partneritetit të suksesshëm me Rajonin e Toskanës, i cili është një nga shembujt e shkëlqyer të përvojës më të mirë italiane në fushën e shëndetit publik dhe organizimit efikas të shërbimeve shëndetësore në territorin.” Po ashtu, u shpreh më tej ai, “Analiza e kostove sipas DRG-ve ka një potencial veçanërisht të madh për përsosjen e shërbimeve spitalore, duke mundësuar maksimizimin e produktivitetit të shërbimeve shëndetësore, përmes futjes së një sistemi të ri të Informimit Shëndetësor, në bazë të një programimi më efektiv të shpenzimeve shëndetësore të spitaleve.

Në fjalën e tij, z. Beqaj, shprehu falënderimet për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve, duke sjellë në vëmendje se, edhe gjatë periudhës që ai është në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, bashkëpunimi ka qenë i ngushtë dhe i frytshëm, sepse njëherësh ka ekzistuar pesë projekte.

“Ky i sotmi është një moment i rëndësishëm i përmbylljes së një hapi, por që në fakt, është vetëm hapi i parë. Sepse, në fakt, ajo çfarë na pret më tej, ajo është sfida më e madhe! Është sesi do të jemi në gjendje që të zbatojmë këtë mënyrë, e cila pazgjidhshmërisht ka dhe dy elementë të tjerë shumë të rëndësishëm, mënyrën e financimit sipas kësaj mënyre pagese, dhe padyshim, mënyrën ndryshe të menaxhimit të spitaleve”, u shpreh z. Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë bëri të ditur se hapat e parë të fillimit të financimit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me paketat shëndetësore kanë nisur që në vitin 2014, duke sjellë në vëmendje, se janë miratuar 10 paketa të tilla. “Hapat e parë të fillimit të financimit me paketa, i kemi filluar që në 2014-ën. Zgjodhëm atëherë si prioritare ato shërbime, në të cilat, ishim të vetëdijshëm që nuk plotësonim dot nevojat me shëndetësinë publike dhe donim të kontraktonim edhe ofruesit jopublikë të kujdesit shëndetësor. Dhe kemi, të paktën, të miratuara 10 paketa”, nënvizoi Ministri i Shëndetësisë.

Z. Beqaj solli në vëmendje edhe dy të dhëna të cilat janë si rezultat i punës së bërë gjatë këtyre tre viteve e gjysmë në krye të Shëndetësisë shqiptare. “Shpenzimet nga xhepi të shqiptarëve për shëndetësinë, sipas anketës së buxheteve familjare, në vitin 2015 janë 50 milionë euro më pak se sa në vitin 2014”, theksoi z. Beqaj teksa shtoi se “një informacioni i dal para pak javësh që bazohet në një vlerësim të opinionit publik që është bërë katër vite rresht në fund të vitit, besimi i shqiptarëve tek shëndetësia publike është 50%. Në pamje të parë nuk është shifër pozitive, që do të thotë një në dy shqiptarë nuk kanë besim tek shëndetësia publike. Por në Dhjetor 2013 kemi qenë 30%. Që do të thotë, në tre vjet jemi rritur nga një në tre shqiptarë që na besonin, në një në dy shqiptarë”.

—###—

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Mirëdita!

I nderuar Ambasador, Shkëlqesia Juaj Cutillo,

Profesorë, miq nga Italia, përfaqësues të institucioneve italiane të bashkëpunimit me jashtë dhe të zhvillimit, drejtues dhe profesionistë të shëndetësisë,

Në fakt, ky i sotmi është një moment i rëndësishëm i përmbylljes së një hapi, por që në fakt është vetëm hapi i parë. Sepse, në fakt, ajo çfarë na pret më tej, ajo është sfida më e madhe. Është sesi do të jemi në gjendje që të zbatojmë këtë mënyrë, e cila pazgjidhshmërisht ka dhe dy elementë të tjerë shumë të rëndësishëm, mënyrën e financimit sipas kësaj mënyre pagese, dhe padyshim, mënyrën ndryshe të menaxhimit të spitaleve. Po të paktën, unë besoj se askurrkush, politikisht, nuk mund të përdorë më asnjë lloj alibie se pse nuk kalohet në një mënyrë të re financimi të shërbimit të kujdesit spitalor, dhe pse spitalet nuk menaxhohen ndryshe.

Pas kësaj, ne që punojmë në shëndetësi do ta kemi praktikisht të pamundur të themi që se bëjmë dot se s’dimë kostot apo s’kemi kostot. Edhe në qoftë se nuk i dimë sot, këto janë instrumentat, se mund ti gjejmë dora dorës sa më shpejtë.

Megjithatë, pa dashur të futem në brendinë e temës që diskutojmë sot, padyshim edhe unë dua ti bashkohem falënderimeve që asnjëherë, besoj unë, nuk janë të tepërta kur ka aktivitete, ku ka prezencë të përfaqësuesve të ndryshëm të Italisë në Shqipëri. Së pari, Italia ka qenë një mbështetëse kryesore dhe e vendosur e Shqipërisë për këto 27 vjet në çdo lloj fushe, dhe besoj se profesor Shehu (Dr. Tritan Shehu) këtë mund ta konfirmojë nga eksperienca e tij tashmë 25-vjeçare, dhe po të flasim për shëndetësinë, ndihma që i ka dhënë Italia shëndetësisë shqiptare, institucioneve të saj, në fazën e parë të emergjencës, po edhe më tej në rrugën e zhvillimit, sepse unë besoj se konsolidimi në shëndetësi nuk mbaron kurrë, ka qenë e vazhdueshme. Përveçse, edhe sot që flasim, me gjithë vështirësitë të financiare që ka Italia dhe sistemi shëndetësor publik në Itali, ende rajonet e Italisë vazhdojnë të tregohen bujare duke pranuar shqiptarë të ndryshëm që marrin kujdes shëndetësor atje, që sigurisht na lehtësojnë barrën ne këtu.

Po dhe tani, këto tre vjet e gjysmë që unë jam Ministër , bashkëpunimi ka qenë i ngushtë dhe i frytshëm, sepse njëherësh ka ekzistuar pesë projekte. Është projekti i madh i fuqizimit të spitalit të Traumës, 5 milionë euro që për fat të mirë është në fazën e tij përfundimtare, është projekti tjetër 5 milionë euro për fuqizimin e shërbimit tonë Parësor dhe të Poliklinikave në Tiranë, në Korçë, në Gjirokastër dhe në Dibër. Tirana dhe Korça janë më përpara në zbatim dhe kemi prej dy vjetësh institucione të rikonstruktuara dhe të pajisjeve që janë në shërbim të qytetarëve tanë, ndërsa Gjirokastra dhe Dibra janë tani në fillim, por edhe brenda këtij programi shumë interesant të konvertimit të borxhit ne kemi përfituar deri tani tre projekte, dhe të tre projektet që në një farë mënyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë, kanë qenë të lidhura dhe me angazhimet e programit të Qeverisë.

Kjo që keni këtu është teksti i programit të qeverisë të miratuar dhe në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe ky projekt është në mbështetje të kësaj mënyre të re financimi. Kemi projektin, që dhe ai është në fazën e fundit, që mbështet urgjencën mjekësore në pesë spitalet bregdetare, si pjesë e programit Kombëtar të Urgjencës Mjekësore, dhe ndërkohë që ka përfunduar projekti tjetër, ai i pari “Jo Kancer”, që ka mbështetur Qeverinë në përmbushjen edhe në një nga dy objektivat kryesore, që janë sëmundjet Kardiovaskulare dhe ato Onkologjike, për vetë barrën shumë të madhe të sëmundshmërisë që kanë.

Ne në fakt, hapat e parë të fillimit të financimit me paketa, i kemi filluar që në 2014-ën. Zgjodhëm atëherë si prioritare ato shërbime në të cilat ishim të vetëdijshëm që nuk plotësonim dot nevojat me shëndetësinë publike dhe donim të kontraktonim edhe ofruesit jo-publikë të kujdesit shëndetësor. Dhe kemi të paktën të miratuara 10 paketa, nga të cilat në fakt 9 kanë qenë realisht efektive, sepse implanti koklear është në fazat e tij fillestare, por edhe falë këtyre paketave, ne kemi arritur në 2016-ën të plotësojmë për ndërhyrjet mini-ivazive kardiologjike, 75% të nevojave të vendit me financim publik. Në spitalet publike ose jo-publike duke financuar ndërhyrjen me të njëjtën kosto. Kemi arritur të shtrijmë shërbimin e dializës dhe kemi bërë, edhe pse është jo shumë, publiku nuk është shumë i informuar, kemi financuar deri tani 30 transplante veshke.

Së fundmi, në këshillim legjislativ të Fondit, kemi miratuar edhe dy komisione të tjera teknike për të vazhduar me paketat, për të gjithë shërbimin laboratorik, dhe për të parë mundësinë e krijimit të paketës për radioterapinë. Sepse tani që kemi vënë Akseleratorin e parë Linear në punë, kemi kontraktuar të dytin, dhe do të vijë brenda Gushtit, praktikisht, me rritjen e ofertës që ne bëjmë, kërkesa vazhdon të jetë shumë e madhe. Dhe tani, duke shfrytëzuar maksimalisht kapacitetet në QSUT, në Onkologjik, kemi më shumë nevojë, dhe përsa kohë në Shqipëri ka realitete në spitalet private, me një paketë do të financojmë shërbimin  edhe atje.

Ky projekt ka qenë edhe një hap i parë në bashkëpunimin që kemi bërë me Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, i cili është një Universitet jo-publik. Bashkëpunimi i filluar pa u miratuar ligji i ri i Arsimit të Lartë, por bashkëpunim, i cili mund të zgjerohet sepse reforma e Arsimit të Lartë, tashmë po zbatohet, hap mundësinë që për Ministrinë e Shëndetësisë universitetet që janë në Shqipëri, në rastin konkret ato të Mjekësisë të mund, në kuptimin e mirë, të shfrytëzohen për të përmirësuar cilësinë e trupës së profesionistëve ët shëndetit por edhe për të plotësuar boshllëqet që kemi në vite, por unë besoj se do të jetë një ndihmë edhe për spitalet rajonale publike, të cilët nëse do të jenë të mençur dhe të shkathët duhet ta shfrytëzojnë këtë hapësirë të ligjit të ri të Arsimit të Lartë që të mos vijnë të ankohen gjithmonë, tek unë sa të jem Ministër apo tek Ministri kush do që të jetë, që QSUT-ja nuk na le të marrim frymë. Ka sot kontekst ligjor të cilët, po e përsëris po të jeni të mençur edhe të shkathët në kuptimin e mirë, mund të krijoni më shumë hapësira edhe për veten.

Megjithatë, unë besoj se, po kthehem pak tek ajo që thashë në fillim, sfida më e vështirë fillon tani. Tani do duhet të bëhemi gati për ti zbatuar dhe sigurisht pastaj sfida më e madhe vjen ndaj politikës sepse me këto ne do të jemi në gjendje të kuptojmë realisht sa kushton, -në rastin konkret,- kujdesi spitalor në Shqipëri, do të jemi shumë më të vendosur përballë publikut për të parë sesi i shpenzojmë paratë që na jep. Sepse, praktikisht, në spitalet Universitare të Tiranës ankohen që spitalet rajonale, të gjitha gjërat i sjellin në Tiranë, rajonalët ankohen për bashkiakët, në kohë të verës bregdetarët ankohen për turizmin, ndërkohë që në fund të fundit 3 milionë shqiptarë jemi, dimë çfarë demografie kemi, dimë dhe çfarë profili epidemiologjik kemi. Dhe, ndërkohë, besoj se jemi dakort që s’na ka ngelur ne barra ta shpikim rrotën këtu në Shqipëri, pa dashur të ofendoj askërrkënd që ka ambicie në kuptimin e mirë për shkencë, për zhvillim, për inovacion, etj.

Në fazën e parë ky projekt do të jetë pak i vështirë për ju, sepse do t’ju duhet që të gjitha të dhënat ti hidhni nga jashtë. Ne po punojmë paralelisht me financimin e Bankës Botërore, ku kemi 11 milionë euro për sistemin e informacionit të menaxhimit të spitaleve, i cili pastaj do të furnizojë direkt këtë pjesë. Por në fazën e parë, ne do t’ju mbështesim si Ministri me gjithçka burime shtesë të nevojshme, që të mund të vazhdojmë që të kemi një mënyrë transparente dhe të plotë të të gjitha kostove, por eksperienca e vendeve të tjera ka treguar që sfidat më të mëdha janë në gjashtë muajt e parë të fillimit të zbatimit. Qoftë çfarë kemi parë ne si eksperiencë, qoftë Maqedonia, qoftë Serbia, qoftë Moldavia, edhe Mali i Zi që kanë tentuar të ndjekin këtë rrugë, një pjesë e tyre kanë dështuar dhe ne duhet të mësojmë patjetër nga arsyet e dështimit të tyre.

 

Nuk duhet të jemi me oreks shumë të madh, duhet të bëjmë hapa të matura, të konsolidojmë fillimisht ato DRG-të për ato diagnoza, për të cilat kemi patur pjesë të sistemit të pilotimit, dhe prandaj zgjodhëm SU “Shefqet Ndroqin”, Durrësin dhe Pediatrinë, edhe pse unë besoj në pjesët e tjera, por sidomos të Kirurgjisë, fakti që kemi furnizimin e instrumentave dhe gjithë pjesët e sterilizimit të caktuar, fakti që në vjeshtë do të kemi në mënyrë shumë më të plotë edhe gjithë laboratorët nëpërmjet dy kontratave të PPP-së, do të jetë më e lehtë që të ecim edhe tek Kirurgjitë.

Dua të shfrytëzoj këtë moment, -përpara se ta mbyll,- për të ndarë me ju dy-tre momente që unë i quaj shumë të rëndësishme, që në një farë mënyre janë rezultat i përpjekjeve të përbashkëta që kemi bërë në këto tre vite e gjysmë apo pak më shumë.

Shpenzimet nga xhepi të shqiptarëve për shëndetësinë, sipas anketës së buxheteve familjare, në vitin 2015 janë 50 milionë euro më pak se në vitin 2014. Dhe ka qenë 2015-ta viti i parë kur shpenzimet publike kanë kaluar më shumë se gjysmën e shpenzimeve të shqiptarëve për shëndetësinë mbas 25-vjetësh.

Ndërsa momenti i dytë shumë i rëndësishëm, një informacioni i dalë para pak javësh që bazohet në një vlerësim të opinionit publik që është bërë katër vite rresht në fund të vitit, besimi i shqiptarëve tek shëndetësia publike është 50%. Në pamje të parë nuk është shifër pozitive, që do të thotë një në dy shqiptarë nuk kanë besim tek shëndetësia publike. Por në Dhjetor 2013 kemi qenë 30%. Që do të thotë, në tre vjet jemi rritur nga një në tre shqiptarë që na besonin, në një në dy shqiptarë. Rritja është e madhe dhe besoj se s’mund të pretendojmë që të vazhdojmë të rritemi me këtë ritëm të shpejtë. Por fakti që jemi rritur, fakti që nëse në 2012-ën, tre në pesë shqiptarë thonin që paguhet nën dorë në shëndetësi, dhe fakti që thonin dy në pesë, do të thotë që këto tre elementë janë elementë pozitivë, të cilat duhet ti shfrytëzojmë për të motivuar veten por edhe për të përcjellë tek qytetarët pjesën e gjysmës plotë, të vetëdijshëm që plot në shëndetësi s’ka për të qenë kurrë, sepse kërkesat ndaj shëndetit, vetvetiu nuk kanë kufij, por dhe teknologjia dhe inovacioni në shëndetësi nuk kanë kufij.

Dua të falënderoj në mënyrë të veçantë ekipin e profesionistëve që punuan, përfaqësuesit e Rajonit të Toskanës, angazhimet e tyre, -edhe personale në kuptimin e sfidave profesionale,- përfaqësuesit e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, të Fondit (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor), sidomos të Drejtorisë Ekonomike dhe Spitalore, por edhe të tre spitaleve që kanë qenë pjesë e pilotimit.

Sukseset duhet ti kemi të përbashkëta! Faleminderit!

—###—{:}