Ministry of Health and Social Welfare

Pas Sarandës e Gjirokastrës, maternitet modern edhe në spitalin rajonal të Korçës

Beqaj: 1 miliardë e 360 milionë lekë për rikonstruksionin e Materniteti të Korçës

Zëvendëskryeministri Peleshi: Investime që rrisin standardin dhe cilësinë e shërbimit

-Në Prill, gati edhe shërbimi i Hemodializës në spitalin rajonal të Korçës

Korçë, 19/02/2017 – Pas Sarandës dhe Gjirokastrës, edhe spitali rajonal i Korçës do të ketë së shpejti një godinë tërësisht moderne të maternitetit, duke rritur në këtë mënyrë, cilësinë dhe standardin e shërbimit. 1 miliardë e 360 milionë lekë është fondi i parashikuar për rikonstruksionin e këtij materniteti.

Ministri i Shëndetësisë, z.Ilir Beqaj dhe Zëvendëskryeministri, z. Niko Peleshi, ishin në spitalin rajonal të Korçës ku u njohën me projektin, punimet për të cilin do të nisin së shpejti.

“Janë 1 miliardë e 360 milionë lekë të vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit për fillimin e rikonstruksionit dhe të shtesës për maternitetin e Korçës. Procedurat e prokurimit kanë filluar. Këshilli Kombëtar i Territorit ja ka deleguar Bashkisë së Korçës procedurat për dhënien e lejes së ndërtimit, kështu që ne besojmë që brenda muajit Prill do të fillojmë punimet, të cilat do të zgjasin rreth 12 deri në 14 muaj”, u shpreh z. Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë, theksoi gjithashtu se ky projekt “është vazhdim i angazhimeve që ne kemi për të përmirësuar ndjeshëm shërbimin spitalor, për të afruar shërbim dhe akses cilësor sa më pranë vendbanimit ku janë njerëzit, ky spital ka një traditë, mbulon një qark me një popullsi jo të vogël dhe edhe ndërhyrjet e tjera që po bëjmë në këtë spital besoj se do ta rrisin cilësinë e shërbimit për të gjithë banorët e qarkut të Korçës”.

Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri Peleshi e vlerësoi projektin duke e cilësuar atë si një investim të rëndësishëm për qarkun e Korçës. “Unë e përgëzoj dhe e falënderoj Ministrin që e ka futur në paketën e projekteve prioritare për vitin në vazhdim, është një procedurë e filluar, rindërtimi apo ndërtimi i një materniteti të ri këtu tek kjo godinë gjysmë e rrënuar që kemi mbrapa. Është një investim i qenësishëm prej 1 miliardë e 360 milionë lekësh, siç e tha Ministri, pastaj do të ketë pothuajse po kaq edhe blerjen e të gjithë pajisjeve moderne të këtij materniteti”, theksoi numri dy i Qeverisë”, u shpreh z. Peleshi.

Ndërkohë, z. Beqaj dhe z. Peleshi inspektuan edhe ecurinë e punimeve për ndërtimin e qendrës së re të shërbimit të Hemodializës në spitalin rajonal të Korës, një investim i cili do të jetë gati në muajin Prill të këtij viti.

“Kjo është një mundësi shumë e mirë që kush ka nevojë për këtë shërbim jetik dhe jeton në Korçë, mund ti kthehet jetës normale, sepse mund ta bëjë shërbimin pasdite, dhe ndërkohë, paradite mund të vazhdojë punë. Shmangim jo vetëm hallet e pacientëve, që tre herë në javë duhet të vinin në Tiranë, por përgjithësisht edhe familjarët që gjithmonë duhet ti shoqërojnë”, nënvizoi Ministri Beqaj.

Ndërsa Zëvendëskryeministri Peleshi vlerësoi partneritetin publik-privat në sajë të të cilit po bëhet e mundur ofrimi i këtij shërbimi në qarkun e Korës.

“Është një projekt shumë inteligjent, pavarësisht gjithë tymnajave që dëgjojmë gjithë ditën, edhe me të cilat jemi mësuar, kjo është një zgjidhe që i kursen para buxhetit të shtetit edhe spitalit, edhe rrit standardin dhe cilësinë e shërbimit. Siç e tha edhe Ministri, ky grup pacientësh tani jo vetëm që e kanë më komod, e kanë me standard më të mirë edhe më pranë shërbimin, por mund ti kthehen jetës normale”, u shpreh z. Peleshi.

Zëvendëskryeministri shtoi gjithashtu se “partneriteti publik-privat nuk është një fjalë e keqe, partneriteti publik-privat kur është inteligjent dhe i zgjuar, si në këtë rast, është një shërbim i mirë dhe më eficent dhe na kursen para për buxhetin e shtetit”.

—###—

 

Fjala e plotë e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

(Në mjediset e godinës së Maternitetit që do të rikonstruktohet)

 

Është në fakt një projekt që më në fund brenda pak javësh do kthehet në realitet fillimi i punimeve. Ka qenë një kërkesë me të cilën unë jam ndeshur që në ditët e para të punës për të vënë dorë në maternitetin e spitalit rajonal të Korçës. Është një spital ku kemi rreth 1200 lindje në vit, por vlerësuam që të ndërhynim në një godinë që ishte pjesë e korpusit spitalor, sepse është shumë më efiçente të administrojmë brenda këtij korpusi, sepse kemi edhe hapësira, dhe godina tjetër, pastaj, mund ti shërbejnë Bashkisë për nevojat e saj.

Janë 1 miliardë e 360 milionë lekë të vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit për fillimin e rikonstruksionit dhe të shtesës për Maternitetin e Korçës. Procedurat e prokurimit kanë filluar. Këshilli Kombëtar i Territorit ja ka deleguar Bashkisë së Korçës procedurat për dhënien e lejes së ndërtimit, kështu që ne besojmë që brenda muajit Prill do të fillojmë punimet. Punimet të cilat do të zgjasin rreth 12 deri në 14 muaj.

Është vazhdim i angazhimeve që ne kemi për të përmirësuar ndjeshëm shërbimin spitalor, për të ofruar shërbim dhe akses cilësor sa më pranë vendbanimit ku janë njerëzit. Ky spital ka një traditë, mbulon një qark me një popullsi jo të vogël dhe edhe ndërhyrjet e tjera që po bëjmë në këtë spital, besoj se do ta rrisin cilësinë e shërbimit për të gjithë banorët e qarkut të Korçës. Ne do të vazhdojmë me investime të tjera dhe me pajisje mjekësore për spitalin e Korçës, por, praktikisht kjo është një vëmendje e veçantë që ne kemi për shëndetin e nënës edhe të fëmijës sepse është materniteti i tretë ku ne po ndërhyjmë në këto vite.

(Në mjediset e godinës së re të shërbimit të Hemodializës)

 

Kjo është një mundësi shumë e mirë që kush ka nevojë për këtë shërbim jetik dhe jeton në Korçë, mund ti kthehet jetës normale, sepse mund ta bëj shërbimin pasdite dhe ndërkohë paradite mund të vazhdojë punë. Shmangim jo vetëm hallet e pacientëve, që tre herë në javë duhet të vinin në Tiranë, por përgjithësisht edhe familjarët që gjithmonë duhet ti shoqërojnë.

Edhe ky shërbim i ofruar këtu, ata që kanë nevojë e kanë jetike, e kanë tre herë në javë dhe të gjithë mund ta shohin që ky është praktikisht një investim i bërë nga privati. Ne do të paguajmë për çdo seancë sa ç’paguajmë dhe sot, madje në rastin e Korçës, spitali do të kursejë shpenzimet e transportit, sepse i mbulon transportin pacientëve deri në Tiranë apo përdorimin e autoambulancave. Partneriteti publik-privat këto ka. Privati investon, sigurisht ka garancinë që në 10 vite do të ofrojë këtë shërbim, dhe me të ardhurat e 10 viteve do të mund të amortizojë edhe investimin që do të kryejë me detyrimin që gjatë tre viteve të fundit të kontratës 10-vjeçare do të rinovojë gjithë teknologjinë dhe gjithë pajisjet, në mënyrë që mbas 10-vjetësh kur kjo gjë ti transferohet shërbimit publik spitalor të jetë funksionale dhe e azhornuar.

 

Fjala e plotë e Zëvedëskryeministrit, z. Niko Peleshi:

(Në mjediset e godinës së Maternitetit që do të rikonstruktohet)

 

Më në fund, kemi mundur të bëjmë realitet, dhe të vëmë dorë në fakt në një nga objektet dhe shërbimet, ku duhej që kjo punë të kishte filluar vite e vite më parë, në fakt. Materniteti, shërbimet e lindjes, nënës dhe fëmijës në qytetin tonë nuk kanë qenë për tu krenuar. Ka qenë një nga, -si me thënë,- plagët e këtij qyteti, por sot, unë e përgëzoj dhe e falënderoj Ministrin që e ka futur në paketën e projekteve prioritare për vitin në vazhdim, është një procedurë e filluar, rindërtimi apo ndërtimi i një materniteti të ri këtu tek kjo godinë gjysmë e rrënuar që kemi mbrapa. Është një investim i qenësishëm prej 1 miliardë e 360 milionë lekësh, siç e tha Ministri, pastaj do të ketë pothuajse po kaq edhe blerjen e të gjithë pajisjeve moderne të këtij materniteti.

Unë dua ta shikoj pak më gjerë, në kuadrin e gjithë zhvillimeve në qytet, mbas një 3-4 vjeçari të vrullshëm të rikonstruksionit, të rikualifikimit urban përmes programit të Rilindjes Urbane të Qeverisë shqiptare por edhe programit të Bashkisë së qytetit, pothuajse kemi vënë dorë së bashku me të gjithë institucionet e tjera edhe vendore në çdo cep të qytetit. Qendra e qytetit është rikonstruktuar, kemi rritur dhe përmirësuar infrastrukturën shkollore, infrastrukturën e terreneve sportive, infrastrukturën për fëmijë, një Qendër Fëmijëssh po ndërtohet në qytet, siç e dini do të jetë më e madhja në rajon, por tani ka ardhur koha dhe po kalojmë në një fazë tjetër, krahas nevojës për përmirësim infrastrukture dhe në përmirësimin e shërbimeve. Tani, do të ndërtojmë një program për qytetin dhe për rajonin tonë të Korçës të përmirësimit dhe të modernizimit të shërbimeve, duke filluar nga shërbimet bashkiake. Siç e dini Bashkia po vendoset në një godinë të re, të konceptit modern të Bashksië së hapur, transparente, në kontakt me të gjithë qytetarët, edhe deri tek shërbimet e rëndësishme siç janë shërbimet shëndetësore. Materniteti ishte një nga pikat më të dobëta që ne kishim në qytetin tonë sa i përket shërbimeve, do të kemi mbas pothuajse një viti maternitet të ri, modern dhe shumë shërbime të tjera që nuk po i trajtoj të gjitha tani.

 

Faleminderit Ministër, faleminderit Drejtoreshë, punë të mbarë!

(Në mjediset e godinës së re të shërbimit të Hemodializës)

 

Për pak javë këtu fillon shërbimi i Hemodializës. Për momentin janë rreth 65 pacientë që e përfitojnë por kapacitetet janë për shumë më tepër pacientë, kështu që, mesa kuptova, për 10-vitet në vazhdim kjo është e mjaftueshme.

Është një projekt shumë inteligjent pavarësisht gjithë tymnajave që dëgjojmë gjithë ditën, edhe me të cilat jemi mësuar, kjo është një zgjidhe që i kursen para Buxhetit të Shtetit edhe spitalit, edhe rrit standardin dhe cilësinë e shërbimit. Siç e tha edhe Ministri, ky grup pacientësh tani jo vetëm që e kanë më komod, e kanë me standard më të mirë edhe më pranë shërbimin, por mund ti kthehen jetës normale. Kanë mundësinë që të bëjnë tre herë në javë dializën pranë shtëpisë së tyre, pra, në qytetin e tyre dhe ndërkohë të ndjekin punët e përditshme, punën e punës dhe të profesionit.

Ministri e tha, unë dua ta ritheksoj, partneriteti publik-privat nuk është një fjalë e keqe, partneriteti publik-privat kur është inteligjent dhe i zgjuar, si në këtë rast, është një shërbim i mirë dhe më efiçent dhe na kursen para për buxhetin e shtetit.

 

—###—{:}