Ministry of Health and Social Welfare

Prezantohet në Elbasan ecuria e programit të Shëndetësisë Elektronike

Beqaj: I domosdoshëm përdorimi sa më i madh i mundësive të teknologjisë së informacionit

-36 milionë euro në 4 vjet investim për shëndetësinë elektronike

-Informacion i standardizuar, i sigurtë, i ndashëm dhe i aksesueshëm për këdo

-Jo më letër për mjekët, receta, referimi, vizita, nënshkrimi, gjithçka elektronike

Elbasan, 08/02/2017 – Programi i Shëndetësisë Elektronike (e-Health) është ndalur në qytetin e Elbasanit ku u prezantua para drejtuesve të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend dhe personelit mjekësor të spitalit rajonal të Elbasanit, në prani edhe të Ministrit të Shëndetësisë z. Ilir Beqaj.

Programi, vlera e të cilit është 14 milionë euro, është financuar në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Financiar ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Austrisë. Zgjidhja përfshin infrastrukturën e rrjetit, pajisjet hardware, zgjidhjet software për rekordet elektronike shëndetësore të integruar me liçensa për gjithë vendin, si dhe implemetimin dhe suportin e nevojshëm.

Objektivi kryesor i e-Health është krijimi i një platforme për një shkëmbim të standartizuar të të dhënave klinike të pacientëve, nëpërmjet adoptimit të një teknologjie që është në përputhje me standartet e fundit të BE-së dhe ofrimit të fleksibilitetit në përdorim dhe shkallëzim – duke siguruar një pajtueshmëri afatgjatë me kërkesat e BE-së.

“Është e domosdoshme që të përpiqemi, fillimisht, të kërkojmë me insistim përdorimin sa më shumë të këtyre hapësirave. Unë kam bindjen që nëse edhe mjekët, po sidomos edhe qytetarët, pacientët, do shikojnë interesin do ta rrisin ata shumë më tepër shfrytëzimin dhe përdorimin e këtyre. Sepse, praktikisht, sot duhet të pranojmë që siç shtohen burimet e informacionit profesionistëve, shtohen edhe burimet e informacionit vetë qytetarëve, vetë pacientëve”, u shpreh ndër të tjerash ministri Beqaj.

Kreu i Shëndetësisë theksoi, gjithashtu se, “në qoftë se ne po punojmë, nga njëra anë për të garantuar cilësi në rezultat dhe ekzaminim imazherik apo laboratorik, patjetër kjo do dojë që ky informacion, e dimë që është i sigurtë të jetë shumë më kollaj, edhe i ndashëm, edhe i aksesueshëm”.

Ky projekt, nga periudha Tetor 2014-Nëntor 2016, është implementuar në 79 institucione të ofrimit të kujdesit shëndetësor, në katër Spitale Universitare, 11 spitale rajonale, 25 spitale bashkiake dhe 39 poliklinika të specialiteteve.

—###—

Fjala e plotë në takim e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj:

Çfarë synon të arrijë kjo që prezantojmë sot dhe që është realizuar këto dy vjet?

Ne kemi ndërtuar praktikisht një rrjet rrugor autostradal, pa u interesuar fare në çfarë gjendje janë sot rrugët, rrugicat, rrugëzat. Pa u interesuar fare se çfarë mjetesh qarkullojnë në këto rrugë, pa u interesuar fare se këto mjete e kalojnë apo jo kolaudimin, dhe pa u interesuar fare nëse ata që duan tu japin atyre mjeteve kanë apo nuk kanë lejë drejtimi.

Morrëm këtë vendim dhe thamë, ne do fillojmë direkt nga lart në mënyrë që, kushdo që nesër do të lidhet me këtë rrjet ta dimë me çfarë standardi duhet të lidhet. Kushdo që nesër do ti japë makinës me këtë rrjet, ta dijë çfarë lloj standardi duhet të plotësojë makina. Kushdo që do drejtojë një automjet ta dijë çfarë njohurish duhet të ketë si drejtues. Po bëj një krahasim. Ka akse kombëtare sot që diku janë zgjidh me ndalim, diku janë zgjidh me rotonda. Brenda një Shqipërie kaq të vogël kemi 3-4 standarte.

Ne vendosëm të krijojmë që në fillim standardin e këmbimit të informacionit. Me çfarë qëllimi? Në vend të dosjes në letër, të kemi informacion elektronik dhe simbolikisht këtë tregon kjo këtu. Po dhe dosjen, dikush e ka dosje, po një pacient 80-vjeç mund ta ketë gjithë jetën edhe kaq (një dosje të mbingarkuar). Dhe, sigurisht, ka një kopje të vetën, se një kopje i ka ngelur në arkivin e çdo institucioni shëndetësor, aty ku ai ka marr shërbimin. Që të mos ketë më pacienti nevojën që ta marrë në kurriz kudo ku lëviz informacionet shëndetësor, do duhet të kalojmë këtu. Por që kalimi nga këtu, këtu të bëhet në mënyrë homogjene, ne thamë kjo është platforma sesi do mund të komunikojmë. Dhe kjo, praktikisht që prezantojmë sot, nuk plotëson nevojat që ka Fondi (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor). Nevojat që ka Fondi do të plotësohen kur spitalet tona të kenë Hospital Management Information System – HMSI (Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Spitalor), do ta furnizojnë elektronikisht platformën elektronike. Sot, ne interesohemi këtu sesi furnizohet dosja elektronike e pacientit, jo sa kushtoi kujdesi shëndetësor për pacientin.

Dhe, praktikisht, dosja elektronike përbëhet nga dokumenta, që do të thotë, edhe dokumentat do duhet të jenë elektronike. Dhe që të kenë fuqi ligjore do duhet të nënshkruhen elektronikisht. Sot, kemi vetëm platformën e komunikimit.

Ne kemi bërë një autostradë të vetme. Kush të dojë të lëvizë, të vijë këtu tek autostrada. Mbikalime, nënkalime, dalje, hyrje, si këtu, nuk kemi. Ky është qëllimi që ka ky projekt. Pra, është çatia e shëndetësisë elektronike. Do të vazhdojë të furnizohet me sisteme të ndryshme. Të paktën regjistri elektronik i “Check-Up”-it sot e furnizon atë. Kush futet në (portalin) “e-Albania” sot merr përgjigjet e “Check-Up”-it. Javën e ardhshme, ne do të prezantojmë sistemin e Referimit Elektronik. Që do të thotë, kur mjeku i Parësorit thotë që ke nevojë tek specialisti, nuk do të japë një letër të shkosh ti të mbash radhën tek specialisti, por do të të referojë ai. Dhe, praktikisht, deri më 24 Shkurt e prezantojmë fillimin e kësaj.

Pyetje që erdhi nga Fondi,kur të kenë spitalet HMIS-në do të shtojnë këtu dhe informacion kostoje. Sot, nga spitalet, këtu na vjen vetëm çfarë ndodhi me pacientin, përshkrimi që bën mjeku kur i bën fletën e daljes. HMIS-ja është e përfshirë në projektin e Bankës Botërore që ka filluar të zbatohet dhe janë 11 milionë Euro për HMIS-ja e spitaleve rajonale. Atje kemi recepsion, praktikisht në 24 Shkurt ne prezantojmë një sistem tjetër ku në recepsion ti do paraqitesh sigurisht por do ketë ardhur informacioni paraprakisht nga hallka më e ulët që ti do vish për këtë lloj vizite. Dhe kjo është ajo që e quajmë ne “e-Referral”, edhe është një sistem që ka mbaruar.

Ashtu siç ju e dini, ka filluar të shtrihet, tashmë dhe në Tiranë do fillojë javës tjetër në gjithë vendin, Receta Elektronike. Ndërsa ajo që pyeti doktor Bujari, për vizitën e Parësorit është një projekt që e ka Fondi këtë vit që është “e-Vizita”. Dhe të gjitha këto janë komponentë të shëndetësisë elektronike. Por problemi kryesor që kemi është ky, dhe e tha me të drejtë Fondi. Ne kemi investuar këto 4-vjet 36 milionë euro për shëndetësinë elektronike. Ka ardhur momenti që pacienti dhe mjeku t’ia shohin hajrin kësaj pune. Sepse, minimalisht, duhet të keni parasysh që në teknologji, të paktën ju e dini me pajisjet e rëndësishme mjekësore, sikur ne të mirëmbajmë, -dhe duhet ti mirëmbajmë,- patjetër na duhen me 20% në vit, 7.2 milionë euro, dhe me 15% në vit 5.4 milionë euro. Nuk do të më kërkoni para shtesë se nuk kam ku ti gjej, unë dhe kushdo të jetë Ministër në vite. Në qoftë se themi ky sistem na kursen, hajde ti nxjerrim kush janë këto kursime që me këto kursime të mirëmbajmë këtë sistem.

Po nuk filluam ti lehtësojmë minimalisht jetën mjekut dhe pastaj sigurisht edhe pacientit është kot sa i bëjmë, vetëm edhe thjeshtë që të jemi që kur të hyjmë në BE me EPSOS janë shumë lekë për tu bërë gati për BE-në, kemi hallet tona sot. Duhet të fillojmë t’i shohim leverdinë.

Ju jeni mjekë, në qoftë se ju sot, kush është kardiolog, në mënyrë shoqërore në darkë dikush ja sjell një imazh EKG-je, hajde bëjmë dhe këtë gjë këtu. Një imazh ECHO-je, një referim analizash laboratorike, ndoshta një imazh skaneri, duhet të ulesh në kompjuter, do më shumë, po sot me mjete të thjeshta komunikimi ky informacion  shëndetësor, sigurisht, në një sistem të madh duhet të jetë edhe i sigurtë dhe të ketë dhe integritet, të jetë i mbrojtur, patjetër që të mos keqpërdoren të dhënat.

Por, praktikisht, ne duhet që të fillojmë ta shfrytëzojmë shumë më mirë, fillimisht për punën e vet mjekut, ne nuk duam ti shtojmë punën, se mua gjithë drejtorët e spitaleve këtë janar më thonin duam më shumë operatorë. Po atëherë vazhdonim me letra po të donim më shumë operatorë, se për çfarë po e bëjmë. Mirë që do të blejmë kompjuterë edhe pajisje, po të blejmë dhe operatorët, atëherë pse u dashka të shtojmë njerëz neve, – ne themi ti pakësojmë punën, ngarkesën, burokratike, të përsërisim informacionin. Në çdo spital sot, ose të paktën deri dje, jam i sigurtë që emri i një pacienti, vetëm për një herë që vjen shkruhet katër herë, njëri e shkruan me germa të mëdhaja, njëri me germa të vogla, njëri emër mbiemër, tjetri mbiemër-emër.

E rëndësishme është që sot kemi këtë platformë dhe çdo sistem që bëjmë nesër i kërkojmë maksimalisht që të përputhet me këto standarde. Prandaj është me e lehtë edhe ajo që ju thashë që do fillojmë të zbatojmë më 24 Shkurt “e-Referral”, sepse e dinim që në fillim që kur të fillonte ajo do shkonte këtu. E dinim që në fillim, kur të bëjmë “e-Vizitën” që do të shkojë këtu. Edhe me HMSI-në që po përgatit Banka Botërore, e di që do të shkojë këtu.

Por, është e domosdoshme që të përpiqemi, fillimisht, të kërkojmë me insistim përdorimin sa më shumë të këtyre hapësirave. Unë kam bindjen që nëse edhe mjekët, po sidomos edhe qytetarët, pacientët, do shikojnë interesin do ta rrisin ata shumë më tepër shfrytëzimin dhe përdorimin e këtyre. Sepse praktikisht sot duhet të pranojmë që siç shtohen burimet e informacionit profesionistëve, shtohen edhe burimet e informacionit vetë qytetarëve, vetë pacientëve. Është provuar sot në njësi kohe të gjithë ne marrim informacion 5 herë më shumë se ç’kemi marr para 30 vjetësh, pavarësisht, në jetën e përditshme apo në punën që bëjmë. Dhe ky informacion duhet të na shërbejë për të trajtuar pacientin në mënyrë sa më të plotë, të mos kërkohen, se praktikisht kosto janë për të gjitha ato,edhe një herë analiza, edhe një herë ekzaminime, si i ke të dhënat, si i kam të dhënat, etj., etj. Në qoftë se ne po punojmë, nga njëra anë për të garantuar cilësi në rezultat dhe ekzaminim imazherik apo laboratorik, patjetër kjo do dojë që ky informacion, e dimë që është i sigurtë të jetë shumë më kollaj, edhe i ndashëm, edhe i aksesueshëm.

Do jetë barrë në pjesën e parë, është qoftë ndryshim mentaliteti, qoftë dhe ndryshim rutine pune. Mund t’ju duhet, fillimisht të bëni dhe më shumë punë seç keni bërë, boll se ndryshon radha e punës, po minimalisht, sot për shembull po të pyesni një mjek Parësori në Durrës, sot kur një mjek bën recetën që është elektronike, momenti i parë i ngarkohet receta e muajit të kaluar ose e dymujorit të kaluar. Dhe 95% e recetave në Shqipëri, dhe këtë e kam analizuar unë, nga një periudhë e mëparshme janë identike. Domethënë, ti thërret recetën e kaluar, në qoftë se nuk ke asnjë ndryshim vendos vetëm një konfirmim.

Pra, një recetë që plotësoj elektronikisht, sepse herën e parë receta elektronike është më e ngadaltë edhe se receta me shkrim dore, sot mbasi krijon, sistemi të jep mundësi që ti të thërrasësh recetën e kaluar. Dhe është shumë më shpejtë receta e kaluar, tani skam më as letër, as firmë, as vulë, asnjë gjë. E thërret, bindesh, e konfirmon, e firmos elektronikisht, edhe receta është në sistem, është në farmaci, është edhe në dosjen elektronike të individit.

Recetat janë aty, mund të aksesoren, edhe “Check-Up”-i, është aty, mund të aksesoret, sot një vit edhe  gjithë sistemi laboratorik i spitaleve do jetë pjesë e koncesionit, do jetë dhe ai komplet i automatizuar. Ajo që ne realisht do na duhet kohë që të kemi, në mendimin tim, është të kemi një sistem kombëtar informacioni. Po të arrijmë të kemi “Check-Up”-in, ekzaminimet, dosjen elektronike, referimet më të fundit, edhe një sistemi informacioni kombëtar, praktikisht, informacioni është lehtësisht i aksesueshëm dhe i përdorueshëm nga kushdo.

Megjithatë, instiktin tuaj, syrin edhe stetoskopin s’kemi marr përsipër ta zëvendësojmë.

Faleminderit!

—###—{:}