Ministry of Health and Social Welfare

Sistemi i paguesit të vetëm, alternativa e vetme

Beqaj: Modeli DRG, Përmbushim angazhimin Programor për financimin e spitaleve,
dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencën me temë: “Financimi spitalor sipas modelit: Grupimi i shpenzimeve sipas diagnozave DRG – Debat orientues“, në kuadër të projektit “Futja e Sistemit Shëndetësor Informacionit (IHIS): Një qasje moderne ndaj transparencës dhe llogaridhënies në Shëndetit Publik Shqiptar“, financuar nga Marrëveshja “Huaja për Zhvillim” (IADSA), e Qeverisë Italiane.

Tiranë, 15/01/2016

—###—

Mirëdita të gjithëve,

Sigurisht që në prezantimet e sapobëra deri më tani u krijua konteksti i asaj që po flasim, megjithatë, edhe pse sot këtu nuk ka drejtpërdrejt përfaqësuesë të Shtetit Italian apo të Ambasadës Italiane, unë do ta filloj me një falënderim për financimin që shëndetësa shqiptare ka marrë dhe vazhdon të marrë nga Qeveria Italiane.

Është ky projekt që po flasim që është pjesë e programit (IADSA), por që është programi i konvertimit të borxhit italo-shqiptar. Po kështu janë edhe dy programe të tjera që financohen nga ky projekt dhe po nga ky program, është ai: “Jo Kancer” që ka pak kohë që zhvillohet, por edhe një projekt i filluar së fundmi, për të cilin, bashkë me Rajonin e Toskanës në Itali, po punojmë për të fuqizuar urgjancat mjekësore të pesë spitaleve bregdetare. Shpresojmë që në thirrjen e katërt, e cila skadon në 28 janar, në bashkëpunim me një bashki të mund të aplikojmë për një projekt tjetër, meqënese thirrja e katërt është e fokusuar ku aplikantë parësor janë bashkitë.

Gjithashtu, aktualisht me financim të Qeverisë Italiane, nëpërmjet Agjencisë së tyre për Bashkëpunim (Cooperazione Italiana allo Sviluppo Albania), ne kemi në zbatim e sipër dy programe të mëdha:

(i) 5 milionë euro për fuqizimin e poliklinikave në Shqipëri, pra të Shërbimit Parësor në Tiranë, Korçë, Gjirokastër dhe Dibër; si dhe,

(ii) 5 milionë euro të tjera për fuqizimin e Qendrës Kombëtare të Traumës.

Pra, nëse në këto 25 vjet bashkëpunimi në shëndetësi mes Shqipërisë dhe Italisë ka qenë shumë i ngushtë, vihet re që nga aspekti i mirëfilltë humanitar i viteve ’90-të, po kalojmë në një aspekt më institucional, më të qëndrueshëm dhe për gjëra më cilësore.

Në projektin që po flasim është një bashkëpunim i Ministrisë së Shëndetësisë edhe me Fondacionin “Zoja e Këshillit të Mirë”, i cili është një realitet shumë-vjeçar në Shqipëri me kontribut në formimin universitar, me kontribut që po zgjerohet edhe në shërbimin shëndetësor, por së fundmi, edhe me një dimension të mirëfilltë të kërkimit shkencor, i cili së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë do të na çojë në kalimin e financimit të spitaleve në atë që quhet DRG (Diagnosis–Related Groups, në shqip, Standardizimi i kujdesit shëndetësor për tip diagnoze, nëpërmjet aplikimit të DRG-ve).

Synojmë që të kalojmë nga pagesa e shërbimeve sipas kostove në zbatimin e algoritmeve klinike (clinical pathways), dhe më pas, në vendosjen e DRG-ve. Kjo që sapo thashë, është e cituar nga Programi i Qeverisë Shqiptare. Pra, në Programin e Qeverisë, ne jemi angazhuar për të kaluar tek kjo mënyrë e financimit të spitaleve.

Po çfarë janë DRG-të në vetvete? Kam marrë përkufizimin që vjen nga burimi ku është krijuar. U tha këtu që është koncept relativisht i ri, por praktikisht,  i ka kaluar 30 vjet. Fillimisht, u zbatua në SHBA, në një shtet të tyre, kur u krijua dhe pastaj u shtri në të gjithë botën.

[Shënim: Shih, prezantimi në PowerPoint bashkëlidhur]

A Diagnosis-Related Group (DRG) is a statistical system of classifying any inpatient stay into groups for the purposes of payment”.

Pra, qëllimi i pagesës, është ajo që ata në gjenezë i çoi për të krijuar DRG-të. Dhe në fund, thotë:

for the purpose of Medicare reimbursement”.

“Medicare” është program shumë i madh i shëndetësisë në SHBA, dhe për rimbursimin e tij duhen DRG-të.

Po i rikthehem edhe një herë Programit të Qeverisë:

Do të ndërtojmë Shërbimin Kombëtar Shëndetësor, i cili do të jetë paguesi i vetëm”.

Pra, modeli që ne kemi propozuar është “Single Payer” (pagues i vetëm). Ka ekzistuar në SHBA në kohën kur u krijuan DRG-të, dhe quhej “Health Care Financing Administration”, e ka sot Medicare në SHBA, është sot në ligjin e Fondit (FSDKSH – Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) të miratuar në 2011 dhe do të jetë edhe në Shërbimin (Shëndetësor) Kombëtar sipas Programit tonë.

Ka patur një diskutim të madh për ‘Single Payer”. Po i rikthehem prapë SHBA-së. Robert Reich-u është një personalitet i madh në SHBA; sipas revistës “Time”, është një nga dhjetë ministrat më të mirë të Amerikës në shekullin e kaluar; dhe në administratën Klinton ka qenë Ministër i Punës.

Çfarë thotë ai së fundmi në debatin e madh që bëhet për shëndetësinë? Po e citoj:

“…nëse do të vazhdojmë të ecim në këtë drejtim, së shpejti, do të përfundojmë në një sistem të sigurimeve shëndetësore të dominuar nga dy apo tre korporatat mamuthe të këtij tregu, të cilat kanë fuqinë për të shtrydhur gjithçka mbetet e vlefshme nga punonjësit dhe konsumatorët, dhe në fund, të gjenerojnë fitim për aksionerët dhe drejtuesit e tyre.

Alternativa e vetme,” thekson ai, “është NJË SISTEM I PAGUESIT TË VETËM TË DREJTUAR NGA QEVERIA– ashtu siç ndodh në fakt në thuajse cilëndo prej ekonomive më të përparuara sot në botë, – të orientuar posaçërisht kah prim-eve më të ulta dhe përmirësimit të kujdesit shëndetësor”.

Por,  nëse Robert Reich-u ka një prirje demokrate, në kontekstin tonë mund ta themi pak më majtas, Richard Master është konservator i thekur. Ja se çfarë thotë ai në këtë debat:

“…se mbështetja e NJË SISTEMI TË PAGUESIT TË VETËM, jo vetëm që kushton më pak dhe ul ndjeshëm kostot e prodhimit, por është edhe modeli më mbështetës për tregun e lirë…”

Së fundmi, në fushatën që ka filluar në SHBA, sigurisht, brenda secilit kamp për të shkuar tek kandidatët, nga demokratët është senatori Bernie Sanders, i cili propozon një sistem me mbulim universal në SHBA, të drejtuar nga Qeveria në bazë të një ligji që ai vetë si senator e propozoi në 2013, “Medicare For All”, ku i referohet kësaj teme.

Pra, nëse “Single Payer” qenka një model i propozuar nga Qeveria Shqiptare në Programin tonë nga Edi Rama apo Ilir Beqaj, një model centralist autarkik, i’u solla se çfarë mendojnë persona të ndryshëm në modelin nga më liberalët, dhe më të zhvilluarit sot, që është modeli Amerikan.

Megjithatë, “Single Payer,” apo “Multi-Payer,” me kosto apo me DRG, problemi mbetet në substancë: Ku jemi, ku duhet të shkojmë, çfarë na duhet?

Kam prezantuar financimin publik të Shëndetësisë ndaj GDP-së në 5 vitet e fundit. Mund të mburrem që nga viti 2010 ka një rritje, por prapësëprapë, rritja është e pakët dhe na duhet financim më shumë.

Nga ana tjetër, dua të ndaj me ju këtë të dhënë, që në këto dy vjet të Qeverisë ne kemi ndërruar tendencën. Në qoftë se të gjithë ne shqiptarët shpenzojmë për shëndetësinë, pavarësisht se si, me taksa, kontribute, nga xhepi, mbi apo nën tavolinë, në shumë vite, më shumë se gjysma e shpenzimeve kanë qenë jopublike.

Viti 2015 është viti i parë ku më shumë se gjysma e shpenzimeve janë publike. Në vlerësimet që bëjme ne, janë rreth 54-55%, por unë besoj, se me anë të një projekti tjetër të sapofilluar që na mbështet Banka Botërore, ne “National Health Accounts” (Llogaritë Kombëtare të Shëndetit) do t’i kthejme në një instrument të përhershëm të Ministrisë dhe të Qeverisë. Edhe kjo do të realizohet në bazë të një programi.

Ka patur përpjekje në vitet 2007-2009 nga donatorët për të bërë “National Health Accounts”, dhe ne ato do t’i përdorim si bazë, por ato janë ndërprerë me përfundimin e projektit. Me projektin e ri ne duam t’i kthejmë në një gjë të vijueshme dhe të qëndrueshme.

Megjithatë, të krahasojmë se ku jemi. Financimin publik ndaj shëndetësisë e kemi më poshtë se gjithë OECD-ja, meqënese ato janë vende të zhvilluara dhe ajo është aspirata e shqiptarëve se ku duhet të shkojmë. Por, financimi total i shëndetësisë, dhe këtë po e them enkas për të treguar që jo domosdoshmërisht sa më shumë para tregojnë më shumë shërbim.

Shikoni grafikun, në pikën më të lartë janë SHBA-të, të cilat shpenzojnë rreth 16% të GDP-së për shëndetësinë. Në pikën më të ulët është Turqia që shpenzon 5.1 % të GDP-së për shëndetësisë, dhe ndërkohë në perceptimin tonë, por edhe me terma të matshme, Turqia ka një sistem të mirë shëndetësor, edhe më të mirë se i yni, kur ne shpenzonim në vitin 2013 si shqiptarë 5.9 % të GDP-së për shëndetësinë, apo shpenzojmë në 2016 plot 5.3% të GDP-së. Aty ku ne jemi jo mirë është financimi publik, jemi të fundit. Pra, nëse mesatarisht OECD-ja, pra vendet e zhvilluara, shpenzojnë nga paratë publike për shëndetësinë rreth 6%, ne akoma nuk po arrijmë tek 3%.

Por, dua të shpjegoj pak se çfarë ndodhi në Shqipëri kur shpenzonim 5.9% për shëndetësinë dhe sot shpenzojmë 5.3%.  A ranë shpenzimet? Jo. Në kuptimin nuk ranë ndaj kujdesit, por paratë e shpenzuara kanë rënë. Pse? Sepse në këto dy vjet, ne kemi ulur në mënyrë drastike shpenzimet e shqiptarëve për barnat.

Shikoni grafikun. Kolona e verdhë tregon se sa shpenzohet (mesatarisht) në vendet e OECD-së për barnat, 1.5 % e GDP-së. Aq shpenzojmë edhe ne këtë vit. Në kolonën blu, tregohet se ku ishim ne në vitin 2013, është 2.4%. Dhe, po ta shikoni, shpenzimet e shqiptarëve për barnat përkujdrejt asaj çfarë prodhohet në Shqipëri, ishin nga më të lartat. Sot, shpenzojmë më pak për barnat, pa ulur as sasinë, dhe as cilësinë e tyre.

Të dhënat e fundit na tregojnë se në Shqipëri, në vitin 2013 janë importuar 1500 barna, dhe në vitin 2015 janë importuar 1700 barna. Pra, më shumë si lloje barnash. Kurse, kuti barnash, të cilat maten me pullën që lëshon Agjencia e Barnave (AKBPM – Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore) janë 28 milion në vitin 2013, kurse në vitin 2015, kemi 35 milion kuti. Por ka diçka, importi CIF, nga 187 milionë në vitin 2013 ka rënë në 118-120 milionë në vitin 2015.

Por, ka një fakt shumë të rendësishëm, në vitin 2015, barnat e origjinës apo patentë janë 54-55% e importit, kurse në vitin 2013, kanë qenë 35%. Pra, praktikisht, aty ku realisht është ulur çmimi u barnave, është ulur çmimi i barnave gjenerike, sepse ishin anomalisht të larta. Ne kishim gjenerikë 40% më të kushtueshëm se sa origjinatori përkatës.

Megjithatë, unë besoj se përtej nevojës për të financuar më mirë shëndetësinë, kemi ende rezerva për të optimizuar shpenzimet aktuale të shëndetësisë. Kemi mundësi brenda sistemit, pa cënuar cilësinë, duke shtuar volumet me të njëjtat para, për të ofruar më shumë.

Ju jeni drejtues spitalesh dhe keni ndjekur prokurimin e barnave. Marr ilustrim dy raste që lidhen me atë se çfarë bëmë vjet me parvjet, me po ato prodhues, por me çmime më të lira. Vinin kërkesat nga spitalet për barin “Heparinë” dhe po të thoje me 4 mijë IU (unite), praktikisht, kishte thënë edhe prodhuesin nga mbrapa. Vinin po ashtu, kërkesa me 4 mijë, 6 mijë e 8 mijë IU, dhe praktikisht, kishin një prodhues nga mbrapa.

Çfarë thamë në vitin 2015? I grupuam në intervale, dhe nga të njëjtët distributorë, morrëm për shërbimet tona të njëjtin volum, por 29% më të lirë. E bëmë të njëjtën gjë edhe tek kontrastet që përdoren për ekzaminimet imazherike. Nga 7 grupe, i limituam në 4 grupe, dhe ju i sillnit kërkesat, i duam me 300, 340, 370 dhe 400. Duke e thënë kështu, i kishim vënë emrin; është njësoj si të thuash që Ministri i Shëndetësisë duhet të jetë 196cm i gjatë, pra Ilir Beqaj. Po të thuash e dua kontrastin 340, do të thuash edhe kush e prodhon. Unë besoj se gjëra të tilla kemi akoma rezerva në sistem.

Në të gjithë ato çfarë bëjmë, praktikisht ju e ndieni nga pacientët uljen e radhës së (ekzaminimit të) rezonancës (magnetike), nga 90 ditë është bërë 35 ditë pas shtuar asnjë gjë të re të madhe në sistem. Sepse, sigurisht në koronarografi, kemi shtuar pajisje, materiale mjekësore, mjekë, etj., etj., dhe aty, sigurisht, që kemi financuar me shumë dhe kemi shkurtuar rradhën. Por, në rezonancë nuk kemi shkurtuar asnjë gjë. Kemi optimizuar ato rezonanca që janë nëpër spitale të ndryshme, duke i quajtur se i shërbejnë të gjitha spitaleve të Shqipërisë.

Patëm një debat në muajin nëntor, dhe do të rindizet sërisht tani, sepse po vijmë në fazën e ristrukturimit në spitalet rajonale. Spitalet nuk janë vendet ku zgjidhen problemet e punësimit që ka Shqipëria. Spitalet janë vende ku njerëzit mjekohen, dhe në gjykimin tim, vende ku tregohet edhe dimensioni social i shoqërisë.

Deri para dy muajsh, kishim 16% të personelit të spitaleve, sanitarë. Sipas përllogaritjeve, në çdo spital, 1 në 7 punonjës ishte sanitar, dhe kishim numër të lartë sanitarëshnë spitale universitare me shfrytëzim shtrati mbi 70% , dhe numër akoma edhe më të madh sanitarësh në spitale me shfrytëzim shtrati me 20 apo 40%. Nuk jemi për të paguar pagesën mujore të njerëzve, jemi që me buxhetin që arrijmë të kemi për shëndetësinë, të ofrojmë më të mirën. Nëse kemi mungesë, sepse ju vetë më kërkoni më shumë infermierë në shërbime, në reanimacion etj., etj., duhet që brenda mundësive që kemi të rialokojmë burimet.

Ka një diskutim se si duhet t’i marrin spitalet të mirat. Vërtetë ne po bëjmë DRG-të, por në fund të fundit, ju duhet të furnizoheni. Opinione të ndryshme thonë që ministria po centralizon duke mos i lënë fushë të lirë spitaleve për të zhvilluar politikat e tyre.

Së pari, brenda buxhetit kërkesat vijnë nga spitalet. Ne në ministri miratojmë listën esenciale, bazuar edhe në listën esenciale të OBSH-së, dhe po të marrim këtë të fundit, unë besoj se në listën tonë spitalore, nuk jemi keq, sepse një pjesë e barnave që janë në atë listë nuk i përkasin nevojave të Evropës. Por, po sjell këtu një ligj italian, meqënëse jemi edhe ne kontekstin e bashkëpunimit me Italinë. Italia, siç shumica jonë e di, në shëndetësi ia ka lënë këtë kompentencë rajoneve. Megjithatë, në qershor të vitit 2015, përë herë të parë, Italia po bën prokurime nacionale në shëndetësi për barna dhe materiale mjekësore. Ka patur bërë për shërbime mbështetëse, por tani, edhe pse do të vazhdojnë ta financojnë rajonet, nga pikpamja e prokurimit, për të arritur për të marrë gjithmonë kosto më të lira pa cënuar cilësinë, Italia vetë ka shkuar që nga Qershori i vitit 2015 në prokurime globale.

Unë besoj se prokurimet globale duhet të shtrihen në eksperiencën e tyre. Ka një eksperiencë fantastike botërore me atë që bëri Global Fund, i cili arriti, që për të luftuar HIV/AIDS, me barna 10, apo ndoshta 15 herë më lirë me ç’ishin në 2005. Unë vetë i kam propozuar kolegëve të mi të Ballkanit, që për disa barna që në të gjitha vendet tona na zënë peshë të madhe në buxhet, të bëhemi bashkë për të bërë prokurime globale, Është mirëpritur si propozim, por ndërkohë siç ndosh në politikë, ndryshimi i disa ministrave apo kabineteve ka bërë që të ngelet në dëshirën e mirë, në pranimin e mirë, por ende jo në një mekanizëm efektiv.

Nuk dua ta zgjas më tepër, edhe pse në fund të fundit, edhe financimin e shëndetësisë edhe atë të spitaleve, ne e shohim të lidhur me atë çfarë kemi si objektiv. Pra, se si do ta financojmë shëndetësinë dhe shërbimin spitalor në kuadrin e Mbulimit Universal.

Ndjesë, nëse zgjatem pak, se mund të thuhet që kjo është një herezi e socialistëve apo e Ilir Beqajt, se nuk po përmend emra këtu, Mbulimi Universal, nëse do të mund të hapim pak horizontin e leximit dhe të komunikimit është sot objektivi i OBSH-së, Bankës Botërore, dhe në mos gaboj objektiv i tretë në 17 objektivat e rinj të zhvillimit të qëndrueshëm që Kombet e Bashkuara i vunë vetes. Pikërisht, ata kanë vënë horizontin e 2030-s, ne kemi një angazhim programor dhe politik.

Pra, nëse flitet për Mbulim Universal, apo për shëndetësi falas, po e përsëris, ne që jemi për shëndetësi falas, aty ku lëvrohet me Free-at-the-Point-of-Delivery, për sa kohë duam të financojmë dhe të kostojmë me DRG-të, e kuptojmë që kushton. Ne që jemi për shëndetësi falas, themi paguesi i vetëm, por ai që paguan, sigurisht, paguan atë që kushton, por jo për xhepin e qytetarit. Kjo është diferenca! Dhe ndërkohë, për Mbulimin Universal, përtej OBSH-së, Bankës Botërore, Kombeve të Bashkuara, ka një koalicion botëror, dhe minimalisht unë besoj, nëse unë mund të etiketohem për shëndetësinë falas, “i tillë apo i atillë,” nuk besoj se shkon për nismëtarët e ngjizjes së koalicionit për mbulimin universal.

Faleminderit Rajonit të Toskanës për ndihmën që na jep, Universitetit të Zonjës së Këshillit të Mirë, Qeverisë Italiane që na financon! Por, përtej falënderimeve, ne tashmë në fazën që po e përgatisim, dhe sidomos kur të vijë momenti që ne ta zbatojmë, do të jetë sfidë jo e vogël.

Faleminderit dhe punë të mbarë!

—###—

 {:}