Ministry of Health and Social Welfare

Konferencë për media e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj

Barnat e rimbursueshme, Standard i ri transparence për shmangien e abuzimeve

• Bashkëpunim i plotë dhe bashkërendimi i frytshëm antikorrupsion me institucionet ligjzbatuese të drejtësisë;

 Zbatimi i Programit të Recetës Elektronike, fillimisht në Durrës, e më pas në Tiranë e në të gjithë vendin;

• Publikim online çdo muaj i sasisë së barnave të rimbursuara dhe vlerës financiare të shpenzuar për rimbursimin e barnave në vend;
Tiranë, 06/06/2015

Në vetëm 18 muaj, mbajtëm një zotim shumë të rëndësishëm. Ulëm çmimet e barnave dhe bëmë të mundur që asnjë bar i importuar në Shqipëri të mos shitet në vendin tonë më shtrenjtë se sa në vendin e origjinës.

Falë punës së bërë, sot, çmimet e barnave janë 30% më të lira, dhe falë kursimit në Buxhetin e Shtetit, kemi mundësuar futjen e shumë më tepër barnave në listën e rimbursimit, si në vëllim, ashtu edhe përsa i përket llojit të tyre.

Përfituesit e kësaj nisme, kanë qenë qytetarët, të cilët paguajnë sot më pak për barnat, nuk vuajnë më mungesën e tyre në spitale, dhe sigurisht, kanë më shumë mundësi zgjedhjeje për të sigururar efektin maksimal në përmirësimin e shëndetit të tyre.

Sigurisht, nga ana tjetër, kompanitë e mëdha që merren me tregtimin e barnave patën rënie të ndjeshme në fitimet e tyre nga ky biznes.

Ishin fitime të mëdha, që për vite me rradhë, siguroheshin duke përfituar në kurriz të qytetarëve. Ishin fitime që rezultoni më të mëdha se sa normalja e vendeve të tjera.

Por, së fundmi, zbuluam përmes njësisë së antikorrupsionit në Kryeministri, se ata që deri dje përfitonin në kurriz të qytetarëve përmes çmimeve të larta të barnave, tani që Qeveria uli çmimet, kishin gjetur një mënyrë të re fitimi. Të jashtëligjshme. Përmes recetave fiktive që rimbursoheshin falë një marrëdhënie publik-privat tërësisht të jashtëligjshme, që sot është zbuluar e plotë.

9 përgjegjës janë arrestuar dhe të tjerë janë në hetim. Ne si ministri i mbështesim hetimet e prokurorisë dhe inkurajojmë që të gjithë përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë. Por thjesht dhe vetëm dënimi i atyre që shkelën ligjin në kurriz të qytetarëve nuk mjafton.
Ne duhet të marrim masa konkrete që ajo që ndodhi të mos përsëritet më. Pikërisht, për këtë qëllim, kemi marrë dy masa tejet të rëndësishme, që sot dua t’i ndaj me publikun.

1. Çdo muaj, ministria e shëndetësisë do të bëjë transparencën e plotë të të gjithë rimbursimeve që Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) kryen për çdo farmaci. Gjithashtu, do të bëhet publike sasia e barnave të rimbursuara dhe vlera financiare për të gjithë rimbursimin në vend, si dhe lëvizja e barnave me rimbursim nga importues/shpërndarës farmaceutikë dhe vlera e rimbursimit të farmacive sipas drejtorive rajonale të FSDKSH.

Raporti do të jetë publik dhe do të postohet çdo muaj në faqen online FSDKSH.

Nga dita e djeshme, p.sh., janë publike të gjitha të dhënat për muajin prill (2015). Kemi filluar nga muaji prill, sepse në këtë muaj, kemi çmime të reja barnash, kemi listë të re të barnave të rimbursueshme, dhe nga ky prill, recetat e barnave me rimbursim janë dy-mujore, që do të thotë, muaji çift ka më tepër ngarkesë se muaji tek.

2. Gjithashtu, duhet të mendojmë edhe për një zgjidhje afatgjatë, që do ta zhdukte mundësinë e marifeteve të tilla të jashtëligjshme në kurriz të qytetarëve. Pikërisht, për këtë qëllim, do të zëvendësojmë recetën klasike me Recetën Elektronike.

Futja në përdorim e këtij mekanizmi bashkëkohor, është një hap i sigurtë në përpjekjet për rritjen e transparencës dhe shmagien e abuzimeve me recetat e rimbursueshme.

Prandaj, kemi ngritur një grup të posaçëm pune, që brenda këtij muaji të fillojmë me zbatimin e Recetës (Elektronike) dhe më tej në të gjithë Shqipërinë, duke filluar nga Durrësi, e më tej me Tiranën, pasi Tirana dhe Durrësi bashkë janë rreth 50% e gjithë volumit të rimbursimit, dhe më tej do ta shtrijmë këtë projekt në të gjithë vendin.

I falënderojmë edhe njëherë të gjithë punonjësit e ndershëm që punojnë ditë e natë në shërbim të qytetarëve, inkurajojmë organet hetimore në zbardhjen sa më të shpejtë të hetimeve, sigurojmë qytetarët se rruga jonë është drejtimi i duhur e nuk do të ketë ndalim.

Faleminderit
—###—

Në vijim, lidhjet e raportimeve online në faqen zyrtare të FSDKSH:

Dokument Nr. 1 – Sasia e rimbursuar e LBR, Prill 2015
http://www.fsdksh.com.al/images/Raporte-dhe-Statistika/Prill-Sasi-e-rimbursuar-sipas-LBR.pdf

Dokument Nr. 2 – Lëvizja e barnave me rimbursim nga importues/shpërndarës farmaceutikë, Prill 2015
http://www.fsdksh.com.al/images/Raporte-dhe-Statistika/Prill-Importues-shperndares-farmaceutik-hyrje-dalje.pdf

Dokument Nr. 3 – Vlera e rimbursimit të farmacive sipas drejtorive rajonale të FSDKSH, Prill 2015
http://www.fsdksh.com.al/images/Raporte-dhe-Statistika/1-Prill-farmaci-Total-rimbursim.pdf

—###—{:}