Ministry of Health and Social Welfare

Durrës, prezantohet receta elektornike
Beqaj: “Shëndetësia Elektronike, nga Vizion në Realitet”

Durrës, 30/05/2015 – Prezantohen arritjet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve shëndetësore në vend për përdorimin e platformave dhe shërbimeve bashkëkohore të shëndetësisë elektronike. Në takim morën pjesë ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, znj. Milena Harito, ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike, kryetari i Bashkisë Durrës, z. Vangjush Dako, deputjetja e Durrësit, znj. Klodiana Spahiu, drejtues të institucioneve shëndetësore në vend, si dhe mjekë, infermierë e punonjës të qendrave shëndetësore të rrethit të Durrësit.

Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj dhe drejtues të institucioneve shëndetësore prezantuan sistemet e recetës elektronike, kartës së shëndetit, aplikacionin e-Barna, si dhe planet afatmesme dhe afatgjata për përdorimin e shëndetësisë elektronike me disa qëllime kryesore:

– Plotësimin dhe përmirësimin e shërbimit shëndetësor për qytetarët;

– Përdorimin e këtyre teknologjive për të patur një administrim më të mirë të burimeve financiare, njerëzore, materiale që sistemi i shëndetësisë ka dhe për rritjen e transparencës, llogaridhënies, vlerësimit të performancës së gjithsecilit.

Sistemet e prezantuara:

– Sistemi i “Informacionit për administrimin e procesit të vendosjes në treg të barnave”;

– Sistemi për “Monitorimin e informacionit të kujdesit shëndetësor, indikatorët dhe analizat”;

– Platforma “e-Barna”;

– Sistemi “Karta e Shëndetit”;

– Sistemi i “Recetës Elektronike”;

– Sistemi “e-Rx”

Gjatë prezantimit të sistemit për monitorimin e informacionit të kujdesit shëndetësor, indikatorët dhe analizat, z.Tomi Thomo, drejtori i Përparimit Shëndetësor, Kontrollit të Cilësisë dhe Jetësimit të Prioriteteve në Ministrinë e Shëndetësisë, u shpreh se produkti i shëndetësisë elektronike është informacioni i duhur për vendimmarrje, si përsa i takon situatës shëndetësore, ashtu edhe monitorimit të funksionimit të shërbimit shëndetetësor. “Të dhënat që krijohen nga sistemet tona IT janë në volum mujor rreth 1.600.00 dhe vjetor 19,000,000 rekorde”.

Lidhur me aplikacionin e-Barna, z. Arjan Qoku, drejtori i Drejtorisë së Informacionit dhe Analizës Statistikore në FSDKSH, u shpreh se aplikacioni e-Barna ka ndryshuar krejtësisht informimin e qytetarëve lidhur me listën e barnave të rimbursueshme. “Me një zgjidhje teknologjike të thjeshtë, pa kosto, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor mundëson aplikacionin e-Barna që aksesohet nëpërmjet internetit apo edhe telefonave smartphone, falë të cilit, është fare e lehtë të merret informacioni për çdo bar të listës”.

FSDKSH-ja prezantoi gjithashtu edhe sistemin “Karta e Shëndetit”. “Prej 6 muajsh, që me nisjen e shpërndarjes së kartës së shëndetit, janë lëshuar rreth 200 mijë karta në rang vendi. Qëllimi i saj është përmirësimi i situatës shëndetësore nëpërmjet dixhitalizimit të shërbimit dhe eleminimit të burokracisë. Kjo kartë ka lehtësuar radhët e gjata të qytetarëve në pikat e shpërndarjes së librezave, ka lehtësuar ngarkesën burokratike të mjekëve, duke rritur kohën që i shërbehet qytetarit”, u shpreh znj. Amarilda Orizaj, specialiste në FSDKSH.

Drejtori i FSDKSH-së, dr. Astrit Beci, prezantoi sistemin më të ri në fushën e teknologjisë së informacionit në fushën e shëndetësisë – recetën elektronike. “Receta elektronike është në vetvete gjenerimi, transmetimi, dhe plotësimi i recetave mjekësore, bazuar në infrastrukturën elektronike, duke zëvendësuar përdorimin e recetave letër. Receta elektronike e lejon mjekun të krijojë dhe të transmetojë në mënyrë elektronike një recetë si dhe farmacistin të ekzekutojë në mënyrë elektronike recetën. Ky është një projekt pilot që do të nisë në 18 Qendrat Shëndetësore të Durrësit dhe në 80 farmaci në system, dhe përfitues do të jenë rreth 300 mijë banorë të Durrësit. Avantazhi kryesor i recetës elektronike është rritja e transparencës dhe shmagia e abuzimeve me recetat e rimbursueshme”, u shpreh drejtori i Fondit, dr. Astrit Beci.

Gjatë prezantimit të sistemit të informacionit për administrimin e procesit të vendosjes në treg të barnave, znj. OnejdaYmeraj, Drejtore e AKBPM-së (Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore) u shpreh se sot është e mundur të aplikohet në sistem për regjistrim bari dhe riregjistrim bari, aplikim për variacion bari dhe aplikim për çregjistrim bari. “Për çdo etapë, sistemi llogarit afatet ligjore dhe dërgon lajmërimet përkatëse sipas statusit të aplikimit si dhe ofron arkivë dokumentacioni elektronik të personalizuar”, u shpreh znj. Ymeraj.

“Inovacioni është kryefjala e përpjekjes tonë për modernizimin e shtetit, ku shëndetësia ka një rol shumë aktiv. Inovacioni është një mundësi e madhe që na jepet për të ecur shumë shpejt”, u shpreh znj. Milena Harito, ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike.

“Çdo kohë e kursyer për pjesën elektronike, qoftë me recetën elektronike, kartën e shëndetit etj, shkon në shërbim të pacientit. Jemi të vendosur për të ngritur një sistem unik dixhital shëndetësor, me të cilin të lidhen të gjithë aktorët e sistemit shëndetësor”, u shpreh znj. Klodiana Spahiu, deputete e Durrësit.

Lidhur me recetën elektronike, kryetari I Bashkisë Durrës, z. Vangjel Dako u shpreh” “E mirëpresim këtë projekt, i cili është një projekt I avancuar në fushën e teknologjisë së informacionit dhe ju premtoj qytetarëve të Durrësit që qyteti ynë do të jetë lokomotikë e teknologjisë së informacionit sepse besojmë te inovacioni, sepse nëpërmjet inovacionit rrisim transparencën, ulim radhët e gjata dhe mbi të gjitha luftojmë hapur korrupsionin”.

Ilir Beqaj, ministër i Shëndetësisë u shpreh: “Të gjitha prezantimet kanë një fill të përbashkët: Standard i ri transparence dhe shkurtim kohe i komunikimit të qytetarëve me hallka të ndryshme të sistemit. Me miratimin e programit të ri nga fondi i inovacionit, do të mundësohet që në mënyrë ligjore dhe të sigurtë do të eleminohen firma dhe vula në shëndetësi. Çdo mjek apo farmacist, me zbatimin e plotë të këtij program, do të ketë një instrument që do ta lidhë në kompjuterin e tij dhe nga ky moment çdo gjë që ai do të nisë do të jetë e fimosur dhe e vulosur dhe do të jetë vetëm e tija. Kjo do të bëjë të mundur të kufizohet pjesa letër dhe do të reduktojë maksimalisht hapësirën që me këto letra të ketë abuzime”.

—###—{:}