Ministry of Health and Social Welfare

 

Ministri Beqaj pret Ambasadoren e Vullnetit të Mirë të UNESCO-s, znj. Vardionyannis,
Bashkëpunim për fëmijët shqiptarë me sëmundje të rënda të gjakut

Tiranë, 14/05/2015 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, priti sot (14/05/2015) Ambasadoren e Vullnetit të Mirë të UNESCO-s, filantropen dhe humanisten, znj. Marianna V. Vardinoyannis, e cila zhvilloi një vizitë në Tiranë, me ftesë të Zonjës së Parë të Shqipërisë, znj. Odeta Nishani.

Gjatë takimit me znj. Vardinoyannis, e cila shoqërohej nga Ambasadori i Greqisë në vendin tonë, z. Leonidas C. Rokanas, z. Emmanouil Papassavas, Drejtori i Përgjithshëm i Spitalit Pediatrik “Agia Sofia” i Athinës dhe përfaqësues të tjerë të lartë të Fondacionit “Marianna V. Vardinoyannis”, u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe intensifikimin e marrëdhënieve në sektorin e kujdesit shëndetësor, dhe veçanërisht, atë të kujdesit ndaj fëmijëve.

Në këtë kuadër, Ministri Beqaj falënderoi znj. Vardinoyannis, njëkohësisht edhe themeluese e Fondacionit me të njëjtin emër me një status të veçantë konsultativ në Këshillin Ekonomik dhe Social (ECOSOC) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe e Spitalit “Elpida”, për mbështetjen e vazhdueshme që Fondacioni që ajo drejton i ka dhënë vendit tonë në këtë sektor dhe e njohu atë me përpjekjet e ministrisë së shëndetësisë për përmbushjen e angazhimeve programore në sigurimin dhe vendosjen e mbulimit universal me kujdes shëndetësor në vend.

Palët biseduan gjithashtu dhe për vëmendjen e veçantë që duhet kushtuar fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet onkologjike, si dhe vlerësuan rolin e spikatur që nisma dhe projekte si këto që ndërmerr Fondacioni i drejtuar nga znj. Vardinoyannis kanë për të lehtësuar sadopak barrën e rëndë që sjell kategoria e këtyre sëmundjeve në jetën e fëmijëve..

Bashkëbiseduesit u ndalën edhe tek mundësitë e tjera të bashkëpunimit për shkëmbimin e përvojave dhe edukimit të specialistëve të shëndetit dhe strukturave spitalore që mbështeten nga Fondacioni MVV, duke u fokusuar në rritjen dhe zhvillimin profesional të tyre.

Më tej, znj. Vardinoyannis vijoi me një vizitë te fëmijët me sëmundje onkologjike ne Departamentin e Onko-Hematologjisë Pediatrike në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe e mbylli vizitën e saj në Shqipëri me ceremoninë e vlerësimit me Urdhrin e Lartë “Nënë Tereza” nga Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani.

—###—

 {:}