Ministry of Health and Social Welfare

 

Analiza Vjetore e FSDKSH 
Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj

Tiranë, 20/03/2015

—###—

Të nderuar pjesëmarrës,

Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Profesorë, drejtues të Universitetit të Mjekësisë,

Përfaqësues dhe drejtues të urdhërave të profesionistëve të shëndetësisë,

Mjekë, farmacistë, drejtues të institucioneve tona shëndetësore!

Sigurisht, momenti i analizës së punës vjetore të Fondit (FSDKSH – Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor) është një moment shumë i rëndësishëm, sepse praktikisht, pjesa dërrmuese e kujdesit shëndetësor publik financohet në Shqipëri nëpërmjet Fondit.

Dhe, sigurisht që sot është momenti për të treguar para gjithë shqiptarëve, se në ç’mënyrë janë përdorur paratë me të cilat ata kontribuojnë si kontribues të drejpërdrejtë në skemën e sigurimeve apo si tatimpagues, – meqënëse ¾ e shpenzimeve burojnë nga taksimi i përgjithshëm.

Patëm një prezantim të përgjithshëm të Drejtori të Përgjithshëm të Fondit (z. Astrit Beci), ku sigurisht u dhanë momentet kryesore, por për të cilat, unë dua të ndalem në disa prej tyre që i çmoj se janë më me vlerë për t’u evidentuar.

Së pari, viti 2014 ishte momenti i parë, ku në një pjesë të shërbimeve që Fondi financon, ne filluam realisht Mbulimin Universal për të gjithë shqiptarët që janë rezidentë në Shqipëri. Praktikisht, paketa e kontrollit mjekësor bazë për grupmoshën 40-65 vjeç është për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, që do të thotë, kontribuojnë përditë me taksat e tyre direkte dhe indirekte, në financimin e shpenzimeve që i bëhet Fondit. Sigurisht, është momenti për të falënderuar në radhë të parë, gjithë shërbimet universitare që hartuan paketën nga ana profesionale, pastaj ato shërbime dhe Fondin, që kostuan pjesën bazë të kontrollit për çdo qytetar, si edhe punën e mirë që filloi dhe ka vazhduar të bëhet në spital – praktikisht në Tiranë po funksionon përditë, për ta bërë atë të zbatueshëm.

Së dyti, po vjet, Fondi bëri një hap të parë dhe shumë të mirë e cilësor drejt kostimit të shërbimeve spitalore, – të disave prej tyre, –  dhe të kontraktimit në mënyrë të barabartë dhe transparente të këtyre shërbimeve me ofrues shërbimesh publike dhe jopublike.

Janë dy elementë që unë i çmoj shumë të rëndësishëm, se janë në drejtimin e duhur, që brenda këtij mandati qeverisës, ne të arrijmë Mbulimin Universal dhe ta kthejmë Fondin  në paguesin e vetëm të kujdesit shëndetësor, që ofrohet në institucionet publike, por edhe në mënyrë komplementare në institucionet jo publike.

Së treti, gjatë vitit, Fondi bëri përpjekje të mira dhe filloi të realizojë me sukses administrimin në mënyrë të integruar që ne kemi sot në shëndetësi. E kam fjalën kryesisht për teknologjinë dhe për barnat dhe materialet e konsumit që ne kemi.

Praktikisht, ne kemi sot në Shqipëri, – po themi në sistemin publik, – rreth 17 skanera, dhe sigurisht, aty drejtohen njerëz të ndryshëm. Për të realizuar në radhë të parë, shkurtim të kohës së pritjes për çdo qytetar apo pacient; për të realizuar një shpërndarje të mirë të ngarkesës së punës; të mundësisë që mjekët të bëjnë ekzaminimet në kohën minimale të domosdoshme dhe të mirëmbajtjes së pajisjeve, një shpërndarje optimale të këtyre pajisjeve brenda gjithë vendit, – të vetëdijshëm që këto teknologji të reja të kushtueshme na duhen për mundësitë për t’i patur të pakufizuara, nuk do t’i kemi edhe për disa vite.

Gjithashtu, në drejtim të lehtësimit të marrëdhënieve identifikuese dhe kryesisht formale dhe burokratike, që qytetarët kanë me sistemin e kujdesit shëndetësor. Një moment ishte karta e shëndetit, që praktikisht ka filluar të zëvendësoje librezën e shëndetit, – kushdo që është në radhë të parë qytetar, dhe kryesisht, pensionistët e të sëmurët klinikë, por edhe infermierët, mjekët dhe farmacistët, e dinë se sa shumë kohë praktikisht, jo edhe aq të nevojshme, kanë shpenzuar për këtë gjë.

Është edhe fillimi i punës në Durrës për recetën elektronike.

Pra, janë gjithë elementë që, bashkërisht, tregojnë se Fondi është në rrugën e duhur, për të arritur që burimet financiare që ka në dispozicion, t’i përdorë në mënyrë sa më efikase, me qëllimin kryesor, që këto burime të japin kujdesin shëndetësor, sa më të madh të mundshëm.

Megjithatë, në atë çfarë tha Drejtori i Përgjithshëm, unë do të doja të evidentoja disa momente, që besoj se duhet të jenë në fokus të punës së Fondit gjatë këtij viti, sigurisht pa lënë mënjanë zhvillimin dhe konsolidimin e arritjeve që folëm vitin e kaluar.

Na duhet shumë më tepër rigorozitet në zbatimin e sistemit të referimit. Ende konstatohet që, drejt shërbimeve universitare ka kërkesa – në gjykimin tonë të pajustifikuara, – për ekzaminime, për konsulta dhe për shërbime. Duhet të ushtroni presionin e duhur pozitiv ndaj hallkave parësor e spitaleve rajonale, të shërbimit, që t’i zgjidhim sa më shumë problemet e qytetarëve atje.

Së dyti, ka ardhur momenti që të bëjmë analiza konkrete për të vlerësuar kërkesat që kemi për ekzaminime, qoftë laboratorike, qoftë imazherike. Konstatohet që nën presionin e qytetarëve, shpeshherë, mjekët referojnë një ekzaminim apo një referim për konsultë universitare, për të shmangur momentin e parë me qytetarët, për të mos i dhënë aty përgjigje.

Dhe gjithashtu, na duhet të jemi efektivë edhe në sistemin e rimbursimit. Praktikisht, edhe nga të dhënat që u paraqitën, edhe pse në pamje të parë mund të duket sikur vjet, – dhe në fakt ashtu është, ne vjet kemi shpenzuar më pak para se sa parvjet për rimbursimin, – por sigurisht kemi rimbursuar ndjeshëm më tepër, sepse për 9 muaj, – pra ¾ e vitit ishim pa TVSH 10%, – patëm përdorim të marzheve të diferencuara, por patëm edhe uljen e parë të barnave vjet në nivel 6-7%. Pra, kemi rimbursuar më shumë vitin e kaluar, por a duhet të bëjmë një analizë, përveç rimbursimit të disa barnave shumë të kushtueshme, që janë për sëmundje shumë të rënda, se sa efektiv kemi qenë me këto barna.

Me barnat që shtuam për herë të parë në listë, – se vjet shtuam listën me 56 barna, – apo edhe me efektivitetin e përdorimit të tyre. Por, do të duhet të shtojmë presionin pozitiv edhe ndaj mjekëve në shërbimin parësor.

Nëse ne themi futja e kartës së shëndetit po i lehtëson ata nga një pjesë e kohës, që ishte burokratike, apo në qoftë se themi se me listën e re të rimbursimit që fillon me 1 prill, do të kalojmë në receta, fillimisht, një herë në muaj, – pra që praktikisht kohën burokratike do ta shkurtojmë, – tani do të vijë momenti që duhet t’i kërkojmë efektivitet në punën e tyre.

Ne po bëjmë një analizë të parë, që p.sh., në sëmundjet e zemrës apo në sëmundjen e diabetit na rezulton që recetat që japin mjekët, janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Në qoftë se bëhet fjalë për të njëjtën sëmundje, të të njëjtit sistem shëndetësor, nuk mund të kemi kaq shumë devijime në terapitë që përshkruajnë mjekët, në barin, në formëdozat apo në momentin kur fillon një bar i dytë, kur bari i parë nuk e dha akoma efektin.

Pra, unë besoj se tani është momenti për të filluar për të bërë analiza cilësore. Apo drejtori tha, që nga 6,5 milion vizita në 2013, kemi arritur në 7 milion. Sigurisht, që nga pikëpamja e volumit rritja është e ndjeshme. Por, tani duhet të themi pse kanë ndodhur këto?

Ne vijmë bashkë me drejtorin nga një mbledhje që bëmë në analizën vjetore të QSUT-së, ku na del që volumi i shërbimit të vitit 2014 krahasuar me vitin 2013, pra që do të thotë është financuar nga Fondi, është rritur të paktën me 20%. Nuk mund të pranojmë, symbylltazi që shqiptarët u sëmurën 20% më shumë në 2014. Sigurisht, ne financuam më shumë, do të thotë i dhamë më shumë besim shqiptarëve tek sistemi publik, krijuam mundësinë që mjekët të mund të bëjnë më shumë kujdes shëndetësor, por duhet të jemi të vetëdijshëm, që nuk mund të vazhdojmë ta bombardojmë QSUT-në me më shumë volum, se duhet t’i lëmë kohë aty që të bëjnë trajtim universitar të sëmundjeve.

Po të shkojmë në QSUT tek vizitat ambulatore të kardiologjisë, shohim se ka radhë të pambarimtë për provën e ngarkesës së zemrës. Është një provë që tashmë mund të realizohet jo vetëm në Tiranë, – ne vjet i hapëm 3 kabinete në spitalin e Durrësit, Shkodrës dhe Vlorës, por ende vazhdojnë të ketë referime këtu.

Së pari, ju si Fond nuk duhet t’i lejoni formalisht, dhe pastaj duhet të bëni analizën – në ato kabinete që i vumë në punë, sa efektive dhe efiçente janë, – në maj duam të hapim dhe 4 kabinete të tjera, mundësisht në Tiranë, të mund ta ofrojmë edhe në poliklinikat ambulatore. Sigurisht që, çdo person ka dëshirë të shkojë të vizitohet, – dhe ka të drejtë ta ketë dëshirë, – tek profesori më i mirë që është eminenca në atë specialitet, por brenda sistemit të kujdesit shëndetësor publik, në nivelin tonë të financimit do të duhet t’i respektojë të gjitha hallkat. Dhe praktikisht, do të duhet të thellohemi shumë më tepër në analizën konkrete të konsumit të barnave të rimbursimit, tani tek sasia për vitin 2014, sepse është i pari vit i plotë, që jemi në gjendje ta analizojmë dhe i kemi të gjitha të dhënat.

Unë nuk jam i kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm, sidomos përsa i përket shkëmbimit të informacionit ndërmjet gjithë sistemit, – le të themi farmaceutik në vend, – që fillon nga momenti i importimit, i prodhimit në vend, pajisjes me pullën specifike të barit dhe pastaj shpërndarjes në tregun farmaceutik, në rimbursim, në spitalor apo edhe në tregun e hapur.

Ka barna, që të paktën sipas shifrave, i konsumojmë në Shqipëri, ndjeshëm më lart mesatarisht se sa në vendet më të konsoliduara se ne, – që do të thotë se këtu ka patjetër vend për të bërë një analizë dhe të mos priremi vetëm në analizat financiare dhe sasiore, por të bëjmë edhe analizat mjekësore. Do të duhet që të krijojmë mekanizmat që Fondi të ketë bashkëpunim më të ngushtë me shërbimet dhe sidomos me shoqatat e profesionistë, sidomos për ato grup sëmundjesh që kanë prevalencën më të madhe në vend, e për pasojë na konsumojnë më shumë. Duan më shumë mjekë, na marrin më shumë vizita në parësor, duan më shumë ditë shtrimi në spital, dhe na marrin me të drejtë më shumë konsum në fondin e rimbursimit.

Në fakt, ajo ishte simbolike, por unë do t’i këkoja drejtorit të Fondit një gjë më shumë, një gjë që ata kanë bërë në administrimin e tyre të brendshëm, në atë sistemin e kontrollit të përdorimit të karburantit, dhe mendoj në mënyrë modeste, tha “do i’a sugjeroja spitaleve”. Ju duhet t’i urdhëroni spitalet! Për sa kohë ju i financoni spitalet, ju duhet të kaloni nga sugjerimi në urdhërim. Në kontratën që ju lidhni çdo vit me spitalet, apo ne lidhim, – se edhe kryetar i bordit, unë jam, – duhet të fillojmë të vemë disa standarte që nuk e cënojnë autonominë spitalore, por nëse ne konstatojmë që ka keqpërdorim të burimeve, Spitali (Universitar) “Shefqet Ndroqi” duke shtuar volumin, e ka ulur konsumin në m3 të ujit me 30%. Ne kemi konsum të ujit në Shqipëri për pacient, 2 herë më të lartë se sa mesatarja e Europës. Për shumë vite, drejtuesit e spitaleve e kanë menduar se faturat e ujit nuk i paguan njeri, se çdo vit ato fatura falen, etj., etj.

E para, kështu s’mund të vazhdojë më, se në qoftë se faturat e ujit dhe energjisë nuk paguhen, ato dy sektorë jetikë dalin me humbje, i kërkojnë para buxhetit dhe në vend që t’i kërkojmë të vijnë në shëndetësi, vazhdojnë të financojnë defiçitet shumë-vjeçare të sistemit të shpërndarjes së energjisë dhe të ujit në vend.

Ashtu siç e kemi filluar ndërtimin e një sistemi shumë të mirë duke monitoruar stokun e barnave nëpër spitale në mënyrë që të mos na skadojnë, aty ku ka tepricë të mos na ngelet, por ta çojmë aty ku ka mungesa, duhet që në këto përdorim edhe këtu të njëjtat modele.

Sigurisht, ne jemi të vetëdijshëm rreth asaj se çfarë arrijmë të shfrytëzojmë më mirë si burime financiare, po në sistem do të mbeten. Financimi i shëndetësisë ka vazhduar të jetë në vlera sasiore në rritje. Ne shtuam fondet e shpenzimeve spitalore për barna, edhe pse hoqëm TVSH-në. TVSH-ja u hoq, çmimet u ulën në negocijim, fondet u rritën. Realisht kemi më shumë, por kjo s’do të thotë të mos vazhdojmë të kontrollojmë me rigorozitet çdo lloj shpenzimi që bëhet, sepse nëse kërkojmë teknologji të reja, dhe investimet sigurisht financohen nga Buxheti i Shtetit, pastaj kostoja e tyre e mirëmbajtjes dhe e burimeve njerëzore që duhen për t’i vënë në punë, janë të domosdoshme që të vijnë nga vetë sistemi.

Apo nëse kërkojmë të gjithë ekzaminime më shumë, duhet të arrijmë të provojmë që, sigurisht që ky ekzaminim i mirë, i bërë në momentin e duhur, të mund të shkurtojë pastaj kaq invaliditete, që vijnë pastaj si momente më dramatike.

Edhe për këtë vit angazhimet nuk janë të vogla. Duam që të paktën, në urgjencën kardiake, ne synojmë që në tetor të arrijmë një urgjencë 24-orëshe për 7 ditë të javës. Sigurisht, që do të duhet që shërbimet tona spitalore në të gjitha hallkat të jenë gati në ekzaminim, në pritje, në burime njerëzore, në pajisje dhe materiale konsumi, por që në fund të fundit, ky sistem do të duhet ta financojë. Por, duhet të jemi gati të themi se vumë urgjencën kardiake, në radhë të parë, shpëtuam jetë njerëzish, në radhë të dytë, shkurtuam ditë qëndrimi në reanimacion, shkurtuam invaliditet dhe këtë gjë duam të fillojmë ta provojmë.

Dhe për t’i thënë njerëzve, që përtej përmirësimit cilësor të sistemit të kujdesit shëndetësor, përtej zgjatjes së jetës, shkurtimit të viteve të invaliditetit edhe përdorimit të burimeve që kemi në dispozicion, e bëjmë në mënyrë të plotë dhe unë do ju kërkoja, që edhe në drejtim të përpjekjeve që bëjnë institucionet, ose që duhet të bëjnë institucionet shëndetësore, për ngritjen profesionale të punonjësve të tyre, të jeni më kërkues!

Dhe nuk dua ta zgjas më shumë, por praktikisht, meqënëse është auditori i gjerë, duhet të fillojmë gjithësecili të vrasim mendjen dhe të bëhemi gati, sepse në vjeshtë, sidomos shërbimi parësor, do të duhet të funksionojë në përputhje me ndarjen e re territoriale-administrative të vendit.

Nuk ka pse të ndryshojë asgjë në marrëdhënien që ka qytetari me qendrën shëndetësore ku ai shkon, por gjithë pjesa tjetër,  në përputhje me reformën e re territorialo-administrative, e cila praktikisht në shtator bëhet tamam efektive, se në qershor janë zgjedhjet, sa krijohen këshillat e ri bashkiakë, etj., etj., dhe duke ndjekur se si do të vazhdojë zbatimi i kësaj reforme, edhe në shërbimet e tjera publike, që janë të ngjashme si tonat, në kuptimin që janë prezente në gjithë territorin e vendit.

Ashtu siç na duhet të fillojmë të mendojmë që këtë vit, duhet t’i përshtatemi me prezencë në territor lëvizjeve demografike që kanë ndodhur në vend. D.m.th., ka qytete të mëdha që janë dy-trefishuar dhe skematikisht qendrat shëndetësore janë ato që kanë qenë para 20 viteve.

Ju e dini më mirë se unë, e ndeshni vetë, por sigurisht që nuk mund të heqim dorë nga zona ku mund të jenë pakësuar banorët, sepse në fund të fundit kushdo e do kujdesin shëndetësor. Ne vërtet flasim shumë për Mbulimin Universal, por edhe pse jemi një vend i vogël, praktikisht i pashoqëruar me Aksesin Universal, pra me mundësinë që ti vërtet e merr pa pagesë, por në qoftë se ardhja deri tek qendra shëndetësore është e kushtueshme, qoftë për transportin, ajo mbetet prapë një Mbulim Universal, po marr lejen tuaj të them “urban”. Edhe po të shohim analizën, nëse popullsinë e kemi sot 47% rurale dhe 53% urbane, në parësor, vizitat janë të paktën 60% urbane; kështu që, nuk mund t’i dalim për zot shërbimit në gjithë territorin e vendit, ashtu siç do të duhet që të jemi të gatshëm, që t’i përgjigjemi edhe nevojave të ndryshueshme gjatë stinëve të vitit.

Praktikisht, në pjesët kryesore të sezonit turistik veror, ne kemi një përqëndrim shumë të madh të popullsisë, – po flas për popullsinë tonë, nuk po flas për ata që vijnë nga jashtë, – në pjesën e bregdetit, sigurisht duhet kujdes më i madh shëndetësor.

Unë do të shtoj se për atë çfarë thashë, Fondi i ka të gjitha burimet e nevojshme njerëzore, financiare, teknologjike, për t’i realizuar por edhe për t’i përdorur më shumë.

Ju falënderoj për çfarë keni bërë vitin e kaluar, me kërkesën se çfarë duhet të bëjmë më shumë, sepse në radhë të parë, qytetarët kërkojnë më shumë kujdes shëndetësor, meritojnë më shumë  kujdes shëndetësor dhe që për sa kohë të gjithë kemi marrë përsipër të merremi me këtë punë, të jemi në nivelin e kërkesave dhe pritshmërive të qytetarëve.

Faleminderit!

—###—{:}