Ministry of Health and Social Welfare

News 24 | “Studio e Hapur” | Ilir Beqaj përballë mjekëve: “Testimi do bëhet, nis më 28 shkurt me infermierët. Përjashtohet kush del në pension për 3 vjet.”

TIRANE, 10/2/2015 – Për herë të parë, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj përballet me mjekët në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit në “News24”. Ministri i përgjigjet çdo akuze dhe oponence që vjen nga korpusi i bluzave të bardha: Korrupsioni, testimi, ilaçet, gjendja në spitale dhe e ardhmja e shëndetësisë shqiptare.Të ftuar në studio përballë ministrit Beqaj: Mjekët Tritan Kalo dhe Kastriot Boriçi, Dine Abazaj, president i UMSH-së dhe Mira Rakacolli, Dekane e Fakultetit të Mjekësisë.

Eni Vasili: E dini që është krijuar një lloj hendeku midis jush dhe komunitetit të mjekëve këto kohë?

Ilir Beqaj: Nëse nuk ka dakordësi për çështje të ndryshme kjo nuk vjen nga mungesa e komunikimit. Unë vazhdoj të jem në komunikim të drejtpërdrejtë të hapur apo në mjedise pune, me mjekë nga i gjithë vendi, qoftë në qendrën spitalore apo qoftë në të gjithë territorin e Shqipërisë aty ku ofrohet shërbimi shëndetësor. Në punën time si ministër, të ekipit të bashkëpunëtorëve të mi në shëndetësi janë kryer shumë punë që janë bërë në radhë të parë nga mjekët. Ne kemi miratuar paketat e reja të shërbimit shëndetësor në shërbimin parësor, të cilat janë hartuar nga mjekët. Kemi miratuar ligjin për kujdesin paliativ, që sigurisht është hartuar nga mjekët.

Eni Vasili: Por nuk mund ta mohoni që ka sot një moment tensioni?

Ilir Beqaj: Sigurisht që ka shprehje të hapur të mosdakordësisë apo kundërshtisë për procesin e  testimit, apo aspekte të tjera që lidhen me aspekte të perceptimit të korrupsionit. Shëndetësia dhe drejtësia vazhdojnë të mbeten dy nga sektorët të perceptuar si sektorët më të korruptuar.

Eni Vasili: Zoti Kalo keni qenë në grevë dhe keni paralajmëruar se greva do të vazhdojë. Ju keni shtruar shumë pyetje për ministrin, cila është pyetja e parë që doni t’i bëni?

Tritan Kalo: Në mjedisin tonë mjekësor është krijuar një hallakati, e cila ka të bëjë me një proces që quhet testim. Testimi në kuptimin e asaj që është shprehur, që është shprehur në mënyrë gojore dhe nuk ka asgjë të shkruar. Përse, si dhe mbi baza ligjore bazohet ky testim. Ky është vetëm kapaku i qypit që ka probleme të mëdha. Sistemi ekziston nuk ka përse të fusim një artificë tjetër. Ligji që ka të bëjë me shëndetin në Shqipëri. Ka një nen 33 i cili flet për edukimin në vazhdim. Në këtë nen nuk ka asnjë germë, asnjë fjalë që të thotë se njerëzit duhet të testohen. Problemi është këto mjekë nëse kanë probleme me formimin e tyre, ka mënyra të thjeshta që ministria vetë i ka. Ka anketime që bëhen për të gjithë pacientët, të cilët pyeten për kalvarin që kalojnë që nga momenti kur hyjnë tek dera. Mekanizma ka, përvojë ka dhe krijimi i një diçkaje jashtë këtyre eksperiencave, për mua është e dëmshme. Kushtet psikologjike dhe ambientale sa vijnë dhe rëndohen. Ajo që ndodhi me mjeken në pediatri ishte një proces i montuar nga individi. Ky sistem ose ta shkrijmë dhe të fillojmë nga e para, por mbi të gjitha është problemi nëse do t’i heqim me çfarë produkti tjetër do t’i zëvendësojmë.

Ilir Beqaj: Kushdo që e mendon se do të protestojë e ka të drejtën. Nëse flasim për zbatim ligji dua ti kujtoj kujtdo se greva nuk bëhet në shërbimet e domosdoshme jetësore, greva bëhet me organizim sindikal. Unë deri më sot nuk kam parë që një organizim sindikal të ketë shprehur një, dy apo disa kërkesa. Të shikojnë kushtet e ligjshmërisë para se të bëjnë grevë. Sapo u tha që jemi në epidemi gripi, aq më tepër që bllokojnë hyrjen e Urgjencës.

Eni Vasili: Ju nuk e njihni si grevën?

Ilir Beqaj: E ka ligji, e saktëson kur bëhen…

Eni Vasili: Do merrni masa, penalitete?

Ilir Beqaj: Po sigurisht, gjithçka sipas ligjit…

Tritan Kalo: Ne nuk flasim për grevë por për protestë, protestimi brenda mjedisit të punës është i ligjshëm në çdo orë të punës nëse unë e shoh që dicka nuk shkon. Askush nuk ka dalë për probleme shëndetësie për ruajtjen e figurës. Shërbimi i urgjencës nuk është prekur nuk i ka munguar vëmendja pacientëve në asnjë sekondë.

Ilir Beqaj: Gjëra të tilla do përmenden sepse kemi rastin kur në Shkodër iu është bllokuar shërbimi pacientëve.
Vijmë tek çështjet e testimit. Problemet e edukimit në vazhdim është një proces i mirë dhe i shëndetshëm. Ka një proces edukimi në vazhdim. Në këto 17 muaj kam qenë vetë prezent në aktivitete kur numërohen për kreditet që realizohen në mënyrë krejt formale. Infermierët dhe laborantët nuk janë pjesë e këtij sistemi. 1/3 e mjekëve nuk kanë marrë 150 kredite, pra duhet të ricertifikohen. Ky është një proces më i thellë se testimi që do bëjmë ne. Janë 190 mjekë me 0 kredite. Këta që nuk kanë marrë 150 kredite, janë mesatarisht me 65 kredite, pra kemi 1/3 e mjekëve të sektorit publik që do duhet brenda 6 muajsh të japin një provim të mirëfilltë. Testimi ynë bëhet për të vlerësuar edhe 2/3 që i morën kreditit, që sa të shëndetshme i kanë njohuritë. Në botë ato njohuri që merr nuk të vlejnë më për më shumë se 5 vjet. Kush ka më pak se 3 vjet për të dalë në pension nuk testohet, edhe ata që e kanë marrë licensën në 1 janar 2014 është shumë shpejt për ti përfshirë në këtë testim. Ne do të fillojmë me spitalet universitare më 28 shkurt dhe 1 mars do fillojë testimi i infermierëve. Do jetë 60 minuta testim bazë përgjigjet me zgjedhje.

Eni Vasili: Këto data thuhen për herë të parë?

Ilir Beqaj: Po. Në datë 6 mars do të nisë testimi për infermierët rajonalë. Por ka edhe një test të dytë që përfshin infermierët sipas specialitetit që kanë. Grupi i dytë i testimit sipas shërbimit ku punojnë infermierët, pra sipas specialitetit. Do i lëmë kohë deri në fund të marsit të njihen me paketën, pastaj në në korrik dhe shtator do vazhdojë testimi i dytë.

Tritan Kalo: Mjekët që janë në sistemin e specializimit nuk përfshihen në sistemin e krediteve.

Ilir Beqaj: Keni informacion të gabuar. Dua të theksoj një gjë, testimi nuk bëhet për të hequr njeri nga puna.

Eni Vasili: Atëherë përse bëhet nominal?

Ilir Beqaj: Ka patur një diskutim që mund të bëhej dhe anominal, por për të matur efikasitetin na duhet ta bëjmë nominal.

Eni Vasili: Zoti Abazaj, besoj e keni ndjekur debatin e deritanishëm, çfarë keni për të shtuar?

Dine Abazaj: Problemi kryesor që shtron ministri është qëllimi i këtij testimi bëhet për të parë dobësitë dhe në ç’drejtime duhen drejtuar programet e edukimit të vazhdueshëm. Nëse ministri ka gati një vit e gjysmë në krye të këtij dikasteri, ai në radhë të parë duhet të kishte mësuar deri tani se ku janë dobësitë e sistemit dhe të performancës së mjekëve dhe në ç’drejtime duhet bërë edukimi i vazhdueshëm mjekësor. Ministri ka në varësinë e tij një rrjet institucionesh dhe personash që merren me menaxhimin e burimeve njerëzore.

Eni Vasili: Përse për ju nuk duhet bërë ky testim?

Dine Abazaj: Ky testim nuk është i nevojshëm sepse nevojat ku duhet të përqëndrohet edukimi i vazhdueshëm duhet t’i dijë çdo drejtues. Institucionet nëse nuk dinë ku i kanë nevojat për edukimin e vazhdueshëm mjekësor, atëherë duhen testuar këta drejtues, a janë apo jo të aftë të ndjekin performancën e mjekëve që kanë në stafet e tyre. Nuk është një testim që jep mundësi të ndërtohen programet e edukimit. Nëse testimi është për këtë arsye, është i panevojshëm. Ky testim është denigrim, ulje e figurës së mjekut. Ministri duhet të ishte shqetësuar se cilat janë marrëdhëniet e mjekëve me të sëmurët. Mjekët janë mjaft të pavlerësuar, të paragjykuar. Ministri nuk e ka vrarë mendjen për mjekët që u venë prangat në sallën e operacionit për gabime mjekësore. Ministri duhet ta vrasë mendjen për të krijuar kushte dinjitoze pune, paga dinjitoze dhe jo për t’i shkelmuar ata. Të sëmurët shkojnë tek mjekët sikur shkojnë tek ekzekutori i tyre dhe jo tek njeriu që i shëron.

Ilir Beqaj: Kushdo që në këto 40 ditë që ka thënë ulet dinjiteti, s’ka bërë gjë tjetër vetëm i ka fryrë.

Dine Abazi: Ti s’mund të dalësh më i zgjuar se të gjithë mjekët. Mjekët janë bashkëpunëtorët e tu ata e mbajnë shëndetësinë.

Ilir Beqaj: Unë nuk i kam quajtur mjekët kundërshtarë. Kjo kët është intervista merreni dhe lexojeni. Mjekët të lexojnë intervistën. Më vjen keq që mjekët nuk kuptokan një titull gazetaresk. Fjalë që nuk i kam thënë nuk ia vlejnë. Të mos bëjmë më me gjasme, nuk mund të ndjehem i qetë dhe të them ka një ligj, merr 150 kredite dhe vazhdo, bravo të qoftë! Këto aktivitete bëhen formalisht. Mjekët dhe infermierët e publikut nuk e kanë të mundur të investojnë për trajnime, sigurisht do të duhet të përdorim paratë publike. Në këto 17 muaj ka përmirësim rrënjësor në përmirësimin me barna, ka efektivitet puna e mjekëve.

Eni Vasili: Do flasim pak më vonë për kushtet.. Ju lutem qendrojmë tek testimi…

Ilir Beqaj: Unë gjatë kësaj kohe kam takuar shumë mjekë, nuk është e thënë që të gjithë të na mbështesin. Kush nuk na mbështet ka dalë hapur. Ne kemi bërë biseda me shefat edhe në prezencë të kryeministrit.

Eni Vasili: Kam pyetje nëse kjo nismë është ligjore apo jo?

Ilir Beqaj: Sigurisht që do jetë ligjor

Tritan Kalo: Nuk ka ligj pra..

Ilir Beqaj: Ka vendim për këtë, për shërbimin parësor
Edhe OBSH ka pranuar të na ndihmojë do i përgatisim testet me shoqatat e profesionistëve. Ne kërkojmë që mjekët nga ky proces të dalin me figurë më të lartësuar, duke thënë na denigron nuk ndihmojnë askënd.

Eni Vasili: Pse nuk testohen mjekët e privatit nëse jeni pro a kundër?

Kastriot Boriçi: Faleminderit zotit ministër që na dha mundësi të përballemi. Nuk është e rëndësishme që një mjek të thotë është pro një nisme apo jo. Më me rëndësi është argumenti që paraqesin të dyja palët. Jemi një shoqëri aq e emancipuar sa ta bëjmë zotin ministër me aq buzëqeshje sa të na afrohet. Si fillim dua të them që s’jemi kundër një testimi, por që në fillim sistemin duhet ta ndërtojmë duke i vlerësuar mjekët si pasuri kombëtare. Nëse i shohim si shifra të matshme dhe jo si pasuri atëherë lind problemi. Ne mund të duam shumë që të kemi më shumë pasuri se shtetet e tjera por neve se kemi këtë mundësi, të mirë, më të mirë, të metat janë tonat duhen pranuar këta mjekë që kemi. Duke i pranuar ne do përpiqeshim ta ndihmonim sa më shumë këtë pasuri, pra nuk duhet vazhdimisht ta fusim në stres.

Ilir Beqaj: Pse thoni vazhdimisht? Flasim për gjëra konkrete...

Kastriot Boriçi: Unë nuk përfaqësoj sektorin privat, por mjekët edhe atje janë aq të solidarizuar me mjekët e sistemit shtetëror, flas edhe në emër të kolegëve. Nëse pranohet testimi, personalisht mendoj se të gjithë duhet ta pranojnë në çdo sistem që punojnë. Por nëse nuk pranohet që në fillim…

Ilir Beqaj: Po kush e mohoi që nuk jeni pasuri kombëtare?

Kastriot Boriçi: Duhet të shprehen këto…

Tritan Kalo: Nëse janë duhen dëgjuar, vlerësuar, ruajtur…
Ilir Beqaj: Por edhe duhen zhvilluar, kjo bëhet për zhvillimin.

Eni Vasili: Zonja dekane, ju përfaqësoni dhe mendimin universitar në këtë tryezë. Ju si ndjeheni?

Mira Rakacolli: Unë e perceptoj më ndryshe. Për edukimin në vazhdim jemi dakord të gjithë. Shkenca mjekësore është një shkencë e cila përditësohet çdo ditë. Kreditet janë marrë nga aktivitetet që kanë bërë shoqatat e ndryshme profesioniste. Bëhen për një lloj të caktuar niveli, nuk janë njëlloj të gjitha nivelet e mjekëve. Procesi i testimit nuk e ul dinjitetin e mjekëve, përkundrazi e ngre dinjitetin e mjekëve. Për herë të parë qeveria po merr mbi shpatulla që edukimi mjekësor duhet të bëhet i drejtuar. Shteti po merr përsipër edukimin në vazhdim. Të bësh një program edukimi në vazhdim, duhet të dish se nga t’ia nisësh. Shefat e shërbimeve e dinë ku i kanë dobësitë e tyre, por nuk do thosha të njëjtën gjë për nivelet e parësorit. Që të ndërtojmë një program edukimi në vazhdim duhet ta dimë se ku do të synojmë. Prandaj është shumë i rëndësishëm testimi. Është për të thënë ku jemi, çfarë duhet të bëjmë dhe ku duhet të shkojmë.

Dine Abazaj: Unë dëgjova rëndësinë që ka edukimi i vazhdueshëm mjekësor. Jam shumë dakord. Eshtë detyrim dhe ligjor edhe moral edhe etik për të gjithë mjekët gjatë gjithë karrierës së tyre profesionale. Për këtë nuk ka asnjë diskutim. Janë mjekët ata që janë të parët që e kanë kërkuar edukimin e vazhdueshëm mjekësor. Testimi që pretendohet të bëhet nuk sjell asgjë përsa i përket edukimit të vazhdueshëm mjekësor. Të ishte biseduar me përfaqësuesit legjitim të mjekëve. Eshtë bërë një bisedë me persona që përfaqësojnë veten e tyre. Organizmat që përfaqësojnë mjekët e Shqipërisë është urdhri i mjekut dhe organizatat e tjera. Duhet të pyeten mjekët. Nuk ka reformë në shëndetësi që mund të zhvillohet me sukses nëse nuk është brenda mendimi i mjekëve.

Ilir Beqaj: Lidhur me vlerësimin apo mosvlerësimin e mjekëve që janë në Shqipëri, në sektorin publik apo privat. Askush nga qeveria i nënçmon apo i le mënjanë mjekët. Për koiçidencë aty ka qenë dhe doktor Kalo, sepse është pjesë e një sistemi që u përzgjodh si më i mirë. Unë besoj se ka përmirësime të prekshme në linjë me çfarë është thënë në programin e qeverisë, me afatet që kemi programuar. Me prioritetet kryesore të shëndetësisë vazhdoj të merrem. Ne kemi një angazhim maksimal të mbulimit universal.

Ilir Beqaj: S’mund t’ju dal në mbrojtje mjekëve që në 21 janar gënjyen opinionin publik. Brenda kësaj shëndetësie ka gjëra të mira dhe të këqija. Shëndetësia vazhdon të perceptohet si një sektor i korruptuar. Ne kemi një axhendë antikorrupsion.

Eni Vasili: Por jo antimjekë?

Ilir Beqaj: Për sa i përket korrupsionit ka forma të ndryshme për tu ankuar, është krijuar edhe portali antikorrupsion. Pra ka raste që na orientojnë tek vendet ku ka raste të shfaqjes së korrupsionit. Për asnjë nga këto nuk merren masa pa verifikim. Edhe për videon masa e marrë është pezullim derisa të vlerësohet si çështje.

Tritan Kalo: Lufta kundër korrupsionit që do pakësohet nëpërmjet testimit të mjekëve…

Ilir Beqaj: Jo, jo…Mos më vër në gojë gjëra që si kam thënë..

Tritan Kalo: Po kështu e perceptoj unë, nëse perceptohet se do ulet korrupsioni nga kjo dua të di nga ministri në këto 25 vite sa funksionarë të shëndetësisë në nivele të ndryshme janë akuzuar për shpërdorim fondesh? Aaskush.. Sa fonde janë shpërduaruar? Mijëra me miliona euro…Nëse ju këshillojë e njëjta triadë që njihet me emër FMN, këta njerëz sot të këshillojnë diçka nesër një tjerët, këshillimet duhet të jenë burimore dhe burimore janë grupet e interesit. Stafi tek Infektivi është me njohuri maksimale, të pyetet për shumë probleme, pyetini, merrini në pyetje është më mirë të diskutoni çfarë vështirësie kanë në punën e përditshme. Punoj në Urgjencën e Infektivit më mungojnë vigona. Ka përmirësim po, por ka edhe probleme

Tritan Kalo: Barnat janë ulur në kurriz të cilësisë? Si ka mundësi?

Ilir Beqaj: Jo janë të njëjtat marka i njëjti bar, i njëjti prodhues. Po jua përsëris janë ulur çmimet e të njëjtave barna që vinin në Shqipëri edhe vite më parë. Barnat vijnë në Shqipëri me çmime të kontrolluara, mbi to zbatohen disa marzhe fitimi, unë dhe bashkëpunëtorët konstatuam se shteti kishte rënë dakord të tregtohej më 10 euro kur vinte me 7 euro një x barnë, pra distributori mbante 3 euro. Pra këtë fitim ua lamë shqiptarëve. Nuk ka qënë e paligjshme është lejuar nga shteti. Kjo është ajo që ka ndodhur. Por ka edhe alternativa të reja. Ne nuk kemi ndërruar gjeografinë e barnave.

Tritan Kalo: Leshmanoza është një sëmundje me vdekshmëri, por në treg nuk ka barna që e shërojnë. Ka barna në tregun botëror që janë 60 euro, pra të humbësh jetë njerëzore për mua për 60 euro kjo është e tepërt.

Eni Vasili: Kush e ka përgjegjësinë e këtyre mungesave?

Ilir Beqaj: Ai bar nuk është regjistruar në Shqipëri. Nuk kanë interes. Ne vitin e kaluar na kanë munguar barna jetike. Vjet na u shfaq Malarja, tregu nuk ishte mësuar me këtë sëmundje, erdhën e sollëm dhe ne reaguam.

Kastriot Boriçi: Unë do t’i kujtoja zotit ministër se qëllimi i të gjithëve ne është që të kemi një mjekësi më të mrië. Duam të bëjmë një reformë në mjekësi. Krijohet perceptimi që ndoshta zgjidhet aleati i gabuar që në fillim. Kjo do t’i ngjante një ndeshjeje, ku trajneri do zgjidhte spektatorët dhe nuk do bisedonte me lojtarët. Është e pamundur pa kontaktuar me mjekët një për një.

Ilir Beqaj: Këtë çështjen e leshpanozës dhe malaries nga i di unë?

Kastriot Boriçi: Unë nuk thashë që nuk eksiton fare, por krijohet një perceptim i tillë. Unë jam kundër faktit që sektori privat gjithmonë jep zgjidhje që nuk gjenden në sektorin shtetëror. Sektori privat duhet të merret me trajtimet elitë. Nëse për një shërbim shumë të thjeshtë që mund të merret në sektorin shtetëror, ai detyrohet të shkojë në klinikat private. Unë për vete ndjej një mosrehati, sepse me rritet kapaciteti i punës dhe nuk merrem me ata pacientë që duhet të merrem. Unë kryej punë edhe në një shtet jashtë Shqipërisë. Në shumë reforma që bëhen atje, gjeja e parë që bëhet është të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë midis atij që vendos dhe atij që kryen luftën në terren.

Ilir Beqaj: Deri më sot nuk kam refuzuar askënd për ta takuar.

Tritan Kalo: Unë dua të di në mënyrë vertikale, nëse u mor një vendim i tillë përse nuk u thirrën këta individë. Unë jam pjesë e bazës, derisa baza nuk ka asnjë informacion.

Ilir Beqaj: Nuk keni përse t’i paragjykoni ata që vijnë të takojnë ministrin.

Tritan Kalo: Unë jam pikëz e bazës, por është problemi që baza duhet patjetër të jetë pjesë e lojës.

Ilir Beqaj: Kush e ka përjashtuar, kush do ta përjashtojë. Unë sapo thashë që testet e infermierisë po i hartojnë pedagogët e infermierisë.

Tritan Kalo: 70% e infermierëve nuk kanë kaluar provimin e shtetit.

Eni Vasili: Takimet do të fillojnë? Kjo është e rëndësishme. Do takoni njëherë shoqatat, pastaj….

Ilir Beqaj: Fillimisht me shoqatat e specialiteteve dhe sigurisht pastaj komunikimet kryesore do t’i bëjmë me urdhrin e infermierit dhe mjekut.

Dine Abazaj: Unë i bëj thirrje ministrit të Shëndetësisë të tërhiqet nga testimi sepse ka probleme më të rëndësishme. Në vend që të merret me këtë punë të padomosdoshme të merret me kushtet e mjekëve, tu krijojnë mundësi të mos gabojnë në punën e tyre.

Eni Vasili: Mendoni se personeli mjekësor shpërblehet në mënyrë të drejtë?

Ilir Beqaj: Vitin e kaluar infermierët morën një pagë, ndërsa mjekët gjysmë page, ndërkohë kemi arritur të shlyejmë edhe detyrimet e prapambetura. Besoj se mjekët dhe infermierët janë të vendosur në mënyrë normale, janë brenda normave të përcaktuara përsa i përket pagave.

Eni Vasili: Do testohet personeli i arsimit të lartë?

Ilir Beqaj: Nuk do testojmë personelin e arsimit të lartë, pedagogët nuk do testohen.

Eni Vasili: Në lidhje me akuzat për helikopterin që është blerë, kush është komenti juaj?

Ilir Beqaj: Helikopteri që është blerë është në përputhje për të plotësuar emergjencat mjekësore.

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Burimi: http://www.balkanweb.com/site/ministri-i-shendetesise-perballe-mjekeve-ne-emisionin-studio-e-hapur/{:}