Ministry of Health and Social Welfare

 

Ilir Beqaj: Të vërtetat e mia

Pas videos në urgjencën e QSUT dhe disa kritikave në media, ministri i shëndetësisë bën në këtë artikull të gjatë një pasqyrë të hollësishmë të situatës që kalon sistemi shëndetësor shqiptar. Lufta kundër korrupsionit, çmimet e barnave, standartet e shërbimit në spitale e klinika, investimet në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore – këto janë piketat e prononcimit të Beqaj

Në ditët e para të vitit të ri 2015, sistemi i kujdesit shëndetësor dhe sfidat me të cilat përballet ai, kanë qenë në fokus të opinionit publik. Dhe është më se normale që ky sektor të gjejë një pasqyrim të veçantë në media, pasiqë shëndeti është një temë e ndjeshme, e cila prek padyshim, gjithësecilin prej nesh. Por, vëmendja e shtuar e opinionit publik ndaj zhvillimeve në këtë sektor, duket se u nxit më së shumti, edhe për arsye të disa raportimeve të paverifikuara në rrjetet sociale online dhe disa medieve. Që ditën e parë të marrjes së detyrës, ne si qeveri jemi angazhuar përpara qyetetarëve shqiptarë se do t’u rikthejmë atyre besimin e humbur tek shërbimi shëndetësor, duke iu dhënë mbrojtjen e merituar përmes një sistemi shëndetësor me mbulim universal dhe do t’u krijojmë profesionistëve kushtet e nevojshme për të shërbyer me cilësi. Jam i bindur se, tashmë, kemi hedhur hapat e para në drejtimin e kahun e duhur, për përmbushjen e këtij angazhimi madhor.

Si të ndryshosh një perceptim gri

Jam i ndërgjegjshëm se sot ka ende një perceptim të rëndë në opinionin publik, për sistemin e kujdesit shëndetësor në vend. Mëse e kuptueshme, duke parë trashëgiminë që morëm në dorëzim nga një çerek shekulli tranzicion. Eshtë e tepërt të risjell në kujtesën e lexuesve se mbi çfarë trualli zuri rrënjë ky perceptim me kalimin e viteve. Nga përvoja di se është shumë e lehtë ta thuash diçka, por shumë e vështirë ta bësh. Shëndetësia i përkon këtij mësimi jete më mirë se çdo sektor tjetër. Pasi është sistemi i cili ka nevojë për një ristrukturim rrënjësor, për një reformë të gjithanshme.

Teksa shoh reagimet e kuptueshme të qytetarëve për standartin aktual të sistemit shëndetësor, dëshëroj t’u kërkoj atyre vetëm pak durim, për t’u sjellë në vëmendje gjendjen mjerisht të rrënuar në të cilën e gjetëm vendin, dhe posaçërisht, shëndetësinë shqiptare.

Shëndetësia, një pazar i madh anakronik

Në shtator 2013 spitalet tona i gjetëm të pafurnizuara me barna dhe materiale mjekësore. Shumë prej pajisjeve të rëndësishme diagnostikuese nuk punonin, dhe në rast defektesh, ishte praktikisht e pamundur t’i rregulloje, pasi papërgjegjshmëria e ministrit paraardhës i kish lënë pa kontrata mirëmbajtjeje. U përballëm me mjekë dhe infermierë të dekurajuar në tërësi nga mosfunksionimi i sistemit dhe me një ndjenjë thuajse përtokë motivimi, për të përditësuar dijet e tyre profesionale, ndërkohë që borxhet për detyrime financiare të papaguara ndaj furnitorëve dhe ofruesve të ndryshëm të shërbimeve vlerësoheshin rreth 40 milionë USD, – aq të larta sa furnitorët kishin stopuar furnizimet. Sigurisht, që kjo nuk ishte e papritur për ne. Në çdo aspekt, përfshirë edhe shëndetësinë.

Por sot situata është krejt ndryshe. Kemi arritur të shlyejmë 55% të borxheve të prapambetura. Janë fondet e disponueshme për të shlyer të gjithë shumën prej 40 milionë USD deri në fund të vitit.

Ja kemi dalë të sigurojmë furnizim më të plotë e të vijueshëm të spitaleve tona me barna e materiale mjekësore. Kemi një listë që për vitin 2014 kishte shumë më tepër barna se sa në vitin 2013, dhe sasitë janë më të mëdha, duke ia dalë të dyfishojmë fondet për barnat citostatikë.

Një problem i madh ka qenë ai paisjeve biomjekësore. Mundëm të sigurojmë funksionim të vijueshëm të tyre, sepse së pari, arritëm t’i vëmë në gjendje të plotë pune dhe aktualisht i kemi vënë nën regjimin e kontratave të mirëmbajtjes afatgjatë, të mirëmbajtjes me mbulim të plotë të rrezikut nga defektet e mundshme apo zëvendësimi i pjesëve që konsumohen nga volumi i përditshëm i përdorimit.

Investimet në aparaturë

Gjatë kësaj periudhe kemi fuqizuar kapacitetet diagnostikuese imazherike dhe biokimiko-klinike, duke ofruar 60 EKG më shumë; 60 spirometra më shumë; 3 ECHO zemre më shumë; 3 pajisje të provës së ngarkesës kardiake më shumë; Skaner të ri në spitalin e Traumës; Rezonancë të re magnetike për spitalin e Traumës (SUT); Angiograf të ri për QSUT-në; Angiograf të ri për spitalin rajonal të Shkodrës; 2 mamografë të lëvizshëm; Kemi vënë në punë akseleratorin linear në shërbimin e neurokirurgjisë; Pajisje të reja për laboratorët e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, spitalit rajonal të Durrësit, spitalit rajonal të Fierit, spitalit të Vlorës; Për analizën  e markuesve tumoralë në QSUT.

Çmimi i barnave, thembra e Akilit

Më vjen mirë që në këtë fillim-viti të mund flitet më në fund për ulje të çmimeve të barnave, e jo për ngritjen e tyre. Ka një situatë krejt të re në tregun e barnave. Kemi ulje të çmimit të tregtimit të barnave, prej jo më pak se 20%, ulje e cila do të thellohet edhe më tej këtë vit. U angazhuam se do ta hiqnim taksën e sëmundjes, TVSH-në mbi shërbimet e kujdesit shëndetëtsor dhe barnat. Dhe e bëmë realitet që nga data 1 prill 2014. E rikonfirmuam edhe në korrik me ligjin e ri të TVSH-së. Kështu edhe barnat, edhe shërbimet spitalore kushtojnë më pak. Me ligjin e ri të TVSH-së, madje shkuam përtej angazhimit programor. Hoqëm TVSH-në 20% për të gjitha pajisjet mjekësore të implantueshme, përfshirë pra, ato të kardiologjisë, stomatologjisë, ortopedisë, etj.

Sigurisht, që ligji i ri barnave dhe ligji i ri i materialeve mjekësore që miratuam në korrik 2014, si dhe Agjencia e re Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të rrisin sigurinë e barnave dhe materialeve mjekësore, duke synuar që as barnat, dhe as materialet mjekësore, të mos kushtojnë më shumë se sa në vendet e origjinës.

Ndjehem mirë gjithashtu pasi kemi mundur ta zgjerojmë listën e barnave të rimbursueshme në 2014, me 55 barna të reja. Duke futur edhe molekula të reja, edhe alternativa të reja të origjinatorëve ekzistues. Për t’i ardhur sa më pranë shërbimit të pacientëve disa barna të të sëmurëve kronikë i ofrojmë prej 1 shtatorit 2014 edhe në spitalet rajonale.

Një kantier i madh kombëtar

U angazhuam në Programin Qeverisës, se do të hapim kantierin e shëndetësisë. Sot  kemi shërbim të ri urgjence në spitalin rajonal të Vlorës; në spitalin rajonal të Kukësit; kemi shërbim të ri të pediatrisë në spitalin rajonal të Vlorës; kemi kabinet të ri të kimioterapisë dhe kujdesit paliativ në spitalin rajonal të Durrësit; Po punojmë për kabinete të reja të kimioterapisë në spitalin (universitar) “Shefqet Ndroqi” dhe në spitalet rajonalë Korçë, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër; Kemi pajisje të reja në vlerën 410 mijë USD në shërbimin e kardiokirurgjisë në QSUT; Kemi 10 inkubatorë të rinj në dy maternitetet e Tiranës; Kemi 5 respiratorë të rinj dhe 10 monitorë të rinj në reanimacionin e spitalit (universitar) të Traumës; Kemi reanimacion të ri të kardiologjisë në spitalin (universitar) “Shefqet Ndroqi”; Kemi kabinet të ri të fertilizimit in vitro në maternitetin “Koço Gliozheni”; Pajisje të reja për spitalin e rikonstruktuar të neurologjisë me vlerë 200 mijë USD; Kemi vënë në punë akseleratorin linear në shërbimin e neurokirurgjisë në QSUT; Pajisje të re për mikromanipulime me lazer në shërbimin e ORL-së; Filluam ndërtimin e bunkerit të ri për akseleratorin linear në shërbimin e onkologjisë (QSUT) me kapacitet për dy njësi.

Por ja dolëm të përfundojmë financimin e të gjitha investimeve ndërtimore të nisura dhe të “lëna rrugëve pa financim”, si: Ndërtimin e spitalit të ri psikiatrik në Vlorë, me vlerë 1,4 milionë USD; Bunkerin e neurokirurgjisë dhe rikonstruksionin e spitalit të neurologjisë në vlerën 1 milionë USD; Zgjerimin e spitalit (universitar) “Shefqet Ndroqi” në Vlerën 1,1 milionë USD; Rikonstruksionin e maternitetit “Koço Gliozheni” në vlerën 350 mijë USD.

Ndërkohë, gjatë këtij viti po përgatisim projektet e zbatimit të: Spitalit të ri rajonal në qarkun  e Fierit; Godinës së qendrës së Shërbimit të Urgjencës Mjekësore; Godinës së konsultave në QSUT; Shtëpisë të shëndetit mendor në qytetin e Korçës. Investime janë realizuar dhe po realizohen edhe në shërbimin parësor, ku përfshihen: Rikonstruksioni i poliklinikës së specialiteteve nr 2 në Tiranë; Qendër e re shëndetësore në Divjakë; Qendra shëndetësore në Koplik; Qendra shëndetësore në Rrogozhinë; Qendra shëndetësore në komunën e Anës së Malit (Shkodër); Realizimi i dhomave të plumbosura ku do të vendosen pajisje diagnostikuese në Korçë e Tiranë.

Për të forcuar kapacitet e shërbimit të urgjencës mjekësore këtë vit, kemi marrë një program asistence teknike nga USAID-i dhe kemi blerë tashmë 20 autoambulanca të reja dhe 1 helikopter të ri.

Po ashtu, në funksion të mbarëvajtjes së sezonit turistik, por edhe në shërbim të kujdesit të shëndetit të qytarëve nga rreziqet që vijnë nga vektorët, ne realizuam për herë të parë pas rreth 25 vjetësh dezinsektimin e bregdetit tonë. Përvoja e këtij viti na shërben për të realizuar, duke nisur nga viti i ardhshëm, një program të përvitshëm më të gjerë, më të plotë e më të shtrirë në kohë gjatë vitit.

Shëndetësia falas, vërtet e pamundur?!

Sfida jonë për një mbulim universal, apo siç quhet ndryshe për shëndetësinë falas, për shëndetësinë që garanton këdo, pavarësisht nëse ka apo jo burime të mjaftueshme financiare, ka shkaktuar jo pak zhurmë gjatë një viti e gjysëm. Dëshiroj ta nënvizoj edhe një herë publikisht, përballë atyre që na thonë se kemi premtuar të parealizueshmen: mbulimi universal nuk është vetëm një kërkesë për një shëndetësi më të mirë, por është një kusht për drejtësi sociale!

Në programin e Qeverisë mbulimi universal është një prej pikave kryesore të strategjisë sonë për shëndetësinë. Dhe për të shkuar tek mbulimi universal na duhet jo vetëm të përballojmë një sërë sfidash, por dhe të bëjmë më parë disa hapa të rëndësishëm dhe themelorë.

Këtë vit ne kemi hedhur hapat e parë duke nisur me sukses zbatimin e programit për kontrollin bazë falas për grupmoshat 40-65 vjeç, i cili është një hap madhor që shkon në këtë drejtim. Po ashtu, të gjithë jemi tashmë dëshmitarë të zbatimit me rigorozitet të ndryshimeve që hynë në fuqi në shtator të ligjit antiduhan, pas shumë tentativash të dështuara.

Dhe ky është një prej investimeve të rëndësishme për shëndetin dhe një prej përpjekjeve që janë shumë më tepër se kaq për ta zvogëluar gradualisht prevalencën e sëmundjeve vdekjeprurëse kardiovaskulare dhe atyre tumorale. Ashtu sikundër shkon në këtë drejtim edhe rritja dy herë që ne i kemi bërë taksës mbi duhanin.

Është e tepërt të kujtojmë se, pas një mungese tre-vjecare, hapëm 365 kuota specializime ku konkurruan 734 mjekë. Ndërkohë, me rikthimine taksës progresive, që këtë vit të gjithë infermierët kanë përfituar njëpagë netto shtesë (një pagë të 13-të) dhe të gjithë mjekët një gjysëm-page netto shtesë.

Edhe miratimi, dhe tashmë, zbatimi i 10 paketave të shërbimeve shëndetësore të dializës dhe transplantit të veshkës, ndërhyrjeve kardiologjike dhe kardiokirurgjike, transplantit koklear, të financuara 100% nga Qeveria, si në shërbimin publik spitalor, ashtu edhe në atë jo-publik, është një arritje e shkëlqyer dhe tashmë, shqiptarët janë të gjithë të barabartë për përfitimin e kësaj pakete qoftë në spitalet publike, ashtu edhe ato jopublike.

Nëse do të vazhdonim me atë çka është ndërtuar dhe investuar këto 15 muaj, lista është ende e gjatë, por sigurisht, askush nuk duhet të mendojë

se renditja e tyre na bën që të dalim para lexuesit e të krehohemi se kemi sjellë ndryshimet që shqiptarët prisnin në sistemin e kujdesit shëndetësor.

Jo, jemi plotësisht të vetëdijshëm se sa shumë punë, mund dhe energji do të duhet që të shpenzojmë ende në këtë drejtim.

Një video e shëmtuar dhe një reagim i menjëhershëm

Sigurisht, ngjarja e videos së publikuar në rrjetet sociale online, e rimarrë më tej edhe nga mediat, është një ngjarje e shëmtuar, tërësisht e dënueshme, dhe në analizën tonë, dicka e izoluar që nuk ka asgjë të përbashkët me punën e përditshme të mjekëve dhe punonjësve të shëndetit në QSUT dhe shërbimin e saj të ugjencës.

Ajo që dua të theksoj, është se që në momentin e parë kur u njohëm me përmbajtjen e saj, Ministria e Shëndetësisë ngriti menjëherë një grup të posaçëm pune, të drejtuar nga Zëvendësministrja, znj. Milva Ekonomi, për verifikimin e rrethanave, zbardhjen e të dhënave të ngjares, si dhe marrjen e masave ndaj autorëve dhe përgjegjësve, nëse vërtetohej diçka e tillë.

Pra, reagimi ynë ishte i menjëhershëm. Dhe po ashtu, edhe policia dhe organet e drejtësisë vepruan menjëherë duke sjellë pëpara drejtësisë autorët dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje brenda më pak se 24-orëve nga lajmi i ngjarjes.

Ndërkohë, siç dëshmohet qartësisht pas gjetjeve paraprake të grupit të punës, vajza e ka marrë ndihmën e pare mjekësore dhe shërbimin e nevojshëm nga mjekët e urgjencës, si dhe specialistja e toksikologjisë që ishte e pranishme, Ekipi mjekësor rezulton të ketë vepruar plotësisht në përputhje me protokollet e parashikuara në shërbimin e urgjencës, menjëherë pas sjelljes së saj në këtë shërbim nga dy shokët e vet. Po ashtu, nga personeli i urgjencës janë marrë masat për të informuar menjëherë familjarët e saj, dhe pacientja është larguar me vullnetin e saj pas rreth 150 minutave qëndrim në shërbimin e urgjencës.

Kjo ngjarje nuk mund ta zbehë punën që kemi bërë deri më tash për rimëkëmbjen e sistemit të kujdesit shëndetësor, dhe veçanërisht shërbimin e urgjencës.

Gjithashtu, do të doja të sillja në vëmendje të lexuesit masat që kemi marrë deri më tani, dhe projektet që kemi nisur për përmirësimin e shërbimit të urgjencës, duke minimizuar mundësinë e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Kështu, kemi shërbim të ri urgjence në spitalin rajonal të Vlorës, dhe atë të Kukësit. Për të forcuar kapacitet e shërbimit të urgjencës mjekësore këtë vit, sapo kemi blerë 20 autoambulanca të reja dhe një helikopter të ri për urgjenca mjekësore, që besoj do të vihen në shërbim brenda një kohe shumë të shkurtër.

Ndërkohë, gjatë këtij viti po përgatisim projektet e zbatimit për Godinën e qendrës së Shërbimit të Urgjencës Mjekësore.

Më mendjehapur, kolegë të opozitës!

Sigurisht, që jam tepër i vëmendshëm ndaj reagimeve dhe kritikave që vijnë nga përfaqësuesit e Opozitës për punën dhe përpjekjet që po bëjmë në sektorin e shëndetësisë. Por, ashtu siç e ka nënvizuar më se një herë edhe Kryeministri Rama, ndërsa detyra e Opozitës është fjala, detyra jonë është puna dhe përkushtimi për përmbushjen e angazhimeve programore përpara shqiptarëve. Dhe rezultatet e deritanishme të punës në këto muajt e parë të qeverisjes e faktojnë më së miri këtë.

Ka një koncept të thjeshtë në historinë e një shteti demokratik, i cili bazohet mbi vijimësinë e administrimit të tij nga qeverisjet që mandaton populli me votë të lirë. Për tetë vjet, deri në vjeshtën e vitin 2013, Shqipërinë e drejtuan ata që sot anatemojnë gjithçka. Përfshirë edhe shëndetësinë, ku qeverisën edhe disa prej atyre kolegëve të pakicës, që janë veçanërisht aktivë në kritika dhe akuza. Me dashamirësi do t’i ftoja të jenë pak më mendjehapur dhe më të logjikshëm, për arsyen e thjeshtë, se po atakojnë një qeverisje që ende nuk ka konsumuar gjysmën e mandatit në krye të punëve të shtetit. Shumëkush e kujton degradimin, korrupsionin dhe tarafet e një epoke në shëndetësinë shqiptare, kur drejtonin eksponentët e opozitës së sotme. Pikërisht me atë trashëgimi të rëndë po merremi sot, kur kemi ndryshuar shumëçka në një terren të mbytur nga pesimizmi dhe apatia.

—###—

Burimi: Revista Java | Nr. 142 | e Shtunë | 10/1/2015 | www.revistajava.al;{:}