Ministry of Health and Social Welfare

“Pedalojmë për Jetën” – Aktivitet sportiv në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese të Programit të Kontrollit Shëndetësor Bazë 40-65 Vjeç / Beqaj “Mbrojmë shëndetin, përmes një jete të shëndetshme”

Tiranë, 20/12/2014 – Ministra e Shëndetësisë, FSDKSH-ja (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) dhe ISHP-ja (Instituti i Shëndetit Publik) organizuan sot (20/12/2014) një aktivitet me mjete lëvizëse, duke nisur nga Sheshi “Nënë Tereza”, në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese dhe informimit publik “Si Je?”.

Organizatorët, drejtues dhe punonjës të sistemit të kujdesit shëndetësor, pedaluan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me bicikleta që bartnin mesazhet e fushatës së check-up, duke ftuar të gjithë qytetarët shqiptarë të grupmoshës 40-65 vjeç, që një herë në vit, të paraqiten në qendrën e tyre shëndetësore pranë vendbanimit dhe të kryejnë kontrollin shëndetësor bazë pa pagesë.

Në mesazhin e tij, Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj duke tërhequr vemendjen e qytetarëve për të mbrojtur shëndetin, tha: “Edhe ky aktivitet që bëmë sot, i bashkohet pa dyshim përhapjes së këtij mesazhi. Por edhe një veprim simbolik, që është veprimi i aktivitetit sportiv”. Më tej, vijoi: “Sepse në radhë të parë, shëndeti duhet mbrojtur vetë, me sa më shumë jetë të shëndetshme, me sa më shumë aktivitete sportive dhe sigurisht, ushqim të shëndetshëm, në mënyrë që sëmundjet të vijnë sa më vonë”.

Në përgjigje të interesit të mediave të pranishme, Ministri Beqaj shpjegoi se pse kjo grupmoshë duhet të shkojë pranë qendrës shëndetësore të vendbanimit, për të bërë Kontrollin Shëndetësor Bazë: “Programi i Kontrollit Pa Pagesë është deklaruar që në Programin e Qeverisë, që përfshin grupmoshën 40-65 vjeç, kur provohet shkencërisht që është një moshë që shfaqen sëmundje të ndryshme, në mënyrë që t’i diagnostikojmë në stad sa më të hershëm, që pastaj të kemi më pak kosto për shëndetin, për ekonominë, për familjen, kosto sociale”.

Kontrolli Shëndetësor Bazë është një program kombëtar, pa pagesë për përfituesit e tij, që synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundshmërinë më prevalente me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore, prej të cilit do të përfitojnë të gjithë shtetasit e grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë.

Në vijim, fjala e Ministrit Beqaj për mediat:

—###—

Prej pak ditësh, ka filluar përhapja e mesazhit të Programit Shëndetësor Bazë. Sigurisht, është një gjë e angazhuar prej nesh që në Programin e Qeverisë, por tani jemi gati të fillojmë zbatimin konkret.
“Si je?” është një thirrje që i bëjmë të gjithë qytetarëve të kujdesen për veten edhe kur janë të shëndetshëm.  Pra, të kujdesemi për shëndetin dhe jo të kujtohemi vetëm kur jemi sëmurë, kur kemi një sëmundje.

Ka një program, – që bëhet nga profesionistë, – të përhapjes së mesazheve. Por, sot, ne vendosëm t’i bashkohemi edhe vetë, duke shfrytëzuar mjetet lëvizëse, – që prej ditësh janë në Tiranë, – bashkë me automjetet, që do të jenë pjesë e shërbimit të përditshëm të marrjes së mostrave nga qendrat shëndetësore, në laboratoret ku do të përpunohen analizat.

Kemi filluar një fushatë intensive, për të informuar qytetarët shqiptar, për fillimin e zbatimit të Programit të Kontrollit Bazë Shëndetësor pa pagesë, apo ajo që ne e kemi quajtur “Si je?”, do të thotë: Prej disa javësh, qytetarët shqiptarë po informohen, që do të fillojë një program, – në themel të tij, ka kujdesin për shëndetin, të kujdesemi për jetën tonë kur jemi të shëndetshëm.

Edhe ky aktivitet që bëmë sot, i bashkohet pa dyshim përhapjes së këtij mesazhi. Por edhe një veprim simbolik, që është veprimi i aktivitetit sportiv.
Sepse në radhë të parë, shëndeti duhet mbrojtur vetë, me sa më shumë jetë të shëndetshme, me sa më shumë aktivitete sportive dhe sigurisht, ushqim të shëndetshëm, në mënyrë që sëmundjet të vijnë sa më vonë.

Programi i Kontrollit Pa Pagesë është deklaruar që në Programin e Qeverisë, që përfshin grupmoshën 40-65 vjeç, kur provohet shkencërisht që është një moshë që shfaqen sëmundje të ndryshme, në mënyrë që t’i diagnostikojmë në stad sa më të hershëm, që pastaj të kemi më pak kosto për shëndetin, për ekonominë, për familjen, kosto sociale.

—###—

 {:}