Ministry of Health and Social Welfare

Kujdesi shëndetësor për fëmijët, Ministri Beqaj: “Të vendosur për përmbushjen e angazhimeve”

Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, në Konferencën e organizuar nga Save The Children: “Rritja e Investimeve Publike për Fëmijët në Shqipëri” | Tiranë, 18/12/2014

—###—

Përshëndetje,

Kënaqësi të marr pjesë në këtë konferencë, në qendër të së cilës është diskutimi për rritjen e investimeve publike për fëmijët në Shqipëri.

Dëshiroj të përgëzoj organizatorët për nismën e tyre lidhur me studimin që merr në shqyrtim analizën e buxhetit dhe shpenzimeve për fëmijët në Shqipëri, si dhe për organizimin e këtij forumi, si një mundësi për të diskutuar e ndarë vlerësime e këndvështrime rreth një çështjeje kaq të rëndësishme.

Kujdesi për shëndetin është një nga treguesit themelorë të rritjes së vëmëndjes mbi mirëqenien dhe cilësinë e jetës të qytetarëve. Dhe veçanërisht, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve për mirëqënie, shëndet dhe zhvillim, janë qëllimi i punës së kujdesit tonë shëndetësor.

Në këtë këndvështrim, politikat e kujdesit shëndetësor të nënës dhe fëmijës kanë synuar përmirësimin e vazhdueshëm të treguesve të ushqyerjes dhe shëndetit të nënës dhe fëmijës, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve dhe arritjeve, sistemi i kujdesit shëndetësor, në veçanti, sistemi i kujdesit shëndetësor të nënës dhe fëmijës, përballet me sfida, të përkthyera në tregues jo gjithmonë optimalë të shëndetit dhe mirërritjes tek fëmijët.

Ashtu siç citohet edhe në gjetjet e studimit tuaj, ndonëse treguesit e vdekshmërisë foshnjore e fëminore mbeten ende relativisht të larta, në vitet e fundit vihet re një prirje uljeje, ku këta tregues duhet të vlerësohen krahasimisht me vendet e tjera, me përfaqësimin e tyre në zona të ndryshme të vendit, si edhe ecurinë e punës për të përmbushur indikatorët e përcaktuar sipas Objektivave të Zhvilllimit të Mijëvjeçarit.

Qëllimi i mbrojtjes së shëndetit dhe zhvillimi optimal për fëmijët e të rinjtë është që të arrijmë që çdo grua të ketë një shtatzani të shëndetëshme, çdo fëmijë të lindë dhe zhvillohet normal, si dhe çdo i ri të gëzojë një shëndet të mirë fizik dhe mendor.

Kështu, Ministria e Shëndetësisë punon në këtë drejtim me programe dhe ndërhyrje, që synojnë përmirësimin e ushqyerjes së tyre, pakësimin e sëmundjeve kryesore të fëmijërisë, rritjen e mbulesës vaksinale, zgjerimin e shërbimeve miqësore për të rinjtë, ndryshimin e sjelljeve të rrezikshme, shmangien e përdorimit të alkolit, duhanit dhe drogave, etj.

Përqindja e fëmijëve të vaksinuar sipas kalendarit rutinë vazhdon të jetë mbi 97%. Për të gjithë fëmijët e lindur që nga 1 Mars 2014 dy dozat e para të vaksinës së poliomielitit bëhen me IPV (injektueshme). Kjo përbën një element të rëndësishëm në lidhje me përditësimin e kalendarit me vendet e BE dhe rritjen e sigurisë të vaksinave.

Parandalimi i transmetimit të HIV nga nëna tek fëmija është konsideruar si një nga komponentët kryesorë të Strategjisë Kombëtare të HIV/AIDS që po hartohen nga ekipi i punës. Përgatitja e protokollit kombëtar të PAINF (protokolli i paradalimit të transmetimit vertikal nga nëna te fëmija) dhe udhëzuesit të kujdesit shëndetësor parësor për këtë shërbim në qendrat e këshillimore të nënës dhe fëmijës synojnë të adresojnë nevojat e identifikuara për përmirësim e shërbimit, aksesin dhe uljen e rasteve të trasmetimit.

Në kuadrin e punës në vijimësi për zbatimin e reformës për përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor për të gjithë popullsinë janë zhvilluar tashmë udhërrëfyesit për kujdesin para lindjes pas lindjes për gruan dhe fëmijën, ushqyerjen e fëmijës, mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijës, me mbështetjen e UNICEF-it. Në përfundim të këtij procesi, deri në shkurt 2014 u hartuan 4 Udhërrëfyes dhe 25 Protokollet përkatëse.

Të gjitha protokollet përmbajnë udhëzime dhe rekomandime pikërisht për kujdesin para lindjes pas lindjes për gruan dhe foshnjën e porsalindur. Gjithashtu ato janë risi sepse për herë të parë kemi PKK dhe udhërrëfyes të cilët synojnë ndjekjen e rregullt sipas përvojave edhe të vendeve të zhvilluara të BE-së për shëndetin amtar dhe foshnjor e fëminor deri në 5 vjeç.

Paralelisht me hartimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike vijon puna edhe për hartimin e setit të treguesve të performancës dhe atij të standardeve të cilësisë së këtyre shërbimeve.

Puna për unifikimin e udhëzuesve dhe protokolleve standarte për ndjekjen e shëndetit të fëmijës, është hapi i duhur në drejtim të përmirësimi të cilësisë së shërbimeve të fëmijës në tre nivelet e kujdesit shëndetësor.

Në punën për rishikimin e paketës bazë të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor i është kushtuar vëmendje dy komponentëve që lidhen me kujdesin për fëmijët dhe kujdesin për shëndetin riprodhues të gruas.

Giithashtu, i gjithë shërbimi i kujdesit për shtatzëninë dhe lindjen ofrohet pa pagesë (përfshirë edhe gratë pa sigurim shëndetësor). Këtë e rikonfirmoi edhe përjashtimin nga aplikimi i tarifave për shërbimet mjeksore të ofruara për të sëmurët me sëmundje tumorale dhe gratë shtatzëna (Urdhër i Ministrit të Shëndetësisë, Nr. 528, dt. 9/10/2013).

Pra, kujdesi paranatal për këto gra është falas.

Shtrirja dhe vlerësimi i vazhdueshëm i ecurisë së këtyre ndërhyrjeve është thelbësore për t’i institucionalizuar dhe integruar si pjesë përbërëse e sistemit të ofrimit të shërbimit.

Edhe lidhur me promocionin shëndetësor janë organizuar programe e ndërhyrje të edukimit dhe promocionit lidhur me kujdesin për nënën dhe fëmijën në komunitete të qarqeve të ndryshme, apo për grupe vulnerable, si p.sh., popullatat rome, komunitetet në zona rurale të vendit lidhur me kujdesin për mëmësinë e sigurt dhe foshnjërinë e shëndetëshme.

Por, ministria e shëndetësisë bashkëpunon tashmë me strukturat dhe ministritë e tjera të linjes lidhur me kapjen, parandalimin dhe menaxhimin e dhunës me baze gjinore dhe dhunes ndaj femijes nga personeli shëndetësor. Çështjet e dhunës ndaj gruas dhe fëmijës janë e pjesë e Paketës Bazë të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor e cila ofrohet nga shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor në fshat dhe qytet.

Reformimi i sistemit të kujdesit shëndetsor me qëllim sigurimin e shërbimeve cilësore gjithëpërfshirëse, është një nga objektivat themelore të programit të qeverisë. Mbrojtja dhe përmirësimi i vazhdueshëm i shëndetit të nënës dhe fëmijës, ndonëse nuk trajtohet si komponent i veçantë i reformës shëndetsore të sapo ndërmarrë, ka qenë dhe mbetet prioritetet i politikës publike të kujdesit shëndetësor.

Gjithashtu, në përmbushje të angazhimeve tona programore, në 10 paketat e shërbimeve të kujdesit shëndetëtsor që miratuam në qershor, përfshihet edhe ajo e implantit koklear, prej të cilit do të përfitojë një kategori fëmijësh me problem të dëgjueshmërisë.

Së fundi, dëshiroj të theksoj se Ministria e Shëndetësisë është plotësisht e angazhuar të zbatojë objektivat e saj, që do të jenë pjesë e Planit Kombëtar të Veprimit për Fëmijet, – mbështetur sigurisht mbi rekomandimet OBSH-së, UNICEF-it dhe organizatës Save The Children për përmirësimin e situatës së shëndetit të nënave dhe foshnjeve të porsalindura, për të arritur qëllimin kryesor: përmirësimin e vazhdueshëm të shëndetit të nënave, fëmijëve, të rinjve dhe të cilësisë së jetës së tyre, duke ndikuar ne uljen progresive të vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë së tyre.

Faleminderit!

—###—{:}