Ministry of Health and Social Welfare

Dita Botërore e Mbulimit Universal Shëndetësor,
Ministri Beqaj: “Shëndet për të gjithë, një objektiv i arritshëm”
Dr. Jakab, OBSH/Evropë: “Në ditën e parë të Mbulimit Universal në Shqipëri, ju nisni një kapitull të rëndësishëm të shëndetit publik të vendit tuaj”

Tiranë, 12/12/2014 – ‘Shëndet për të gjithë’, është një objektiv i arritshëm. Ky ishte mesazhi i konferencës së organizuar sot në Tiranë nga Ministria e Shëndetësisë, Zyra e OBSH-së për Evropën dhe Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me temë: “Mbulimi Universal dhe Burimet Njerëzore në Sistemet e Kujdesit Shëndetësor”.

Kjo konferencë, në të cilën morrën pjesë Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, dhe drejtuesë të lartë të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, deputetë, drejtues e përfaqësues të Zyrës së OBSH-së për Evropën, Bankës Botërore, OKB dhe UNDP-së, si dhe donatorë e partnerë të tjerë të sektorit të shëndetësisë në vend, organizohet pikërishët në dt. 12/12/2014, në mbështetje të thirrjes së një koalicioni global për ta shënuar atë si Dita Botërore e Mbulimit Universal Shëndetësor [“Health for All” – Universal Health Coverage Day].

“Jam veçanërisht i gëzuar,” – tha midis të tjerash në fjalën e tij Ministri Beqaj, “që ky takim i është bashkuar 39 aktiviteteve të tjera simotra që janë duke u zhvilluar njëkohësisht sot në të gjithë Botën, nën moton: ‘Shëndet Për Të Gjithë’, nga një koalicion global aktorësh, organizatash e shtetesh”. Vërej me kënaqësi, vazhdoi më tej ai, “se ky koalicion global që po rritet dita-ditës, bën thirrje që mbulimi universal shëndetësor të kthehet në çështjen kryesore të rendit të ditës përsa i përket zhvillimit të qëndrueshëm dhe një objektiv me përparësi absolute për të gjithë kombet”.

Ndërsa, në mesazhin e saj drejtuar konferencës, znj. Zsuzsanna Jakab, Drejtore e Zyrës Rajonale të OBSH-së për Europën, thekson se “mbulimi shëndetësor universal është gur themeli i politikave shëndetësore dhe sociale të vendeve anëtare të Evropës,” dhe si i tillë, “mundëson dhënien e mbrojtjes financiare, parandalimin e varfërisë dhe forcimin e barazisë. Askush nuk ka pse të falimentojë kur sëmuret”.

“Sot, në ditën e parë të Mbulimit Universal në Shqipëri,” – tha më tej znj. Jakab, “ju nisni një kapitull të rëndësishëm të shëndetit publik të vendit tuaj. Angazhimi i Shqipërisë për këtë është një zotim për barazi më të madhe në shëndetësi, dhe kjo meriton respektin dhe mbështetjen time të plotë”.

Nisma për kremtimin e kësaj date si Dita Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal u shpall për herë të parë më 19/9/2014 në një takim në Nju Jork, SHBA, nga një grup, tashmë, prej 533 partnerësh nismëtarë nga 103 vende, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Bankën Botërore (BB). Dy vjet më parë, më 12 dhjetor, OKB-ja miratoi njëzëri një rezolutë, e cila i’u kërkon qeverive të shteteve anëtare sigurimin e qasjes universal të qytetarëve ndaj kujdesit shëndetësor pa pengesa ose kufizime financiare.

Duke e quajtur mbulimin universal një angazhim referencial dhe manifestim global solidariteti, partnerët nismëtarë vlerësojnë se kjo është një mundësi historike, duke argumentuar se “shëndet për të gjithë” është një objektiv i arritshëm. Tashmë, më shumë se 70 vende të të gjitha niveleve të të ardhurave kanë ndërmarrë tashmë hapa të qenësishëm drejt mbulimit universal shëndetësor. Gjithashtu, partnerët besojnë se përfshirja e mbulimit universal shëndetësor në axhendën e zhvillimit të qëndrueshëm do të rrisë edhe shkallën e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së këtyre vendeve ndaj qytetarëve të vet.

—###—

Fjala e plotë e z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë, në Konferencën Kombëtare për Mbulimin Universal dhe Burimet Njerëzore në Sistemin e Kujdesit Shëndetësor – Tiranë, 12 dhjetor 2014

Të nderuar pjesëmarrës,

Jam veçanërisht i gëzuar që marr pjesë në një takim të tillë, i cili organizohet në një ditë tepër domethënëse për sistemin që kemi zgjedhur tashmë të kujdesit shëndetësor, atë të Mbulimit Universal.

I është bashkuar sot kjo konferencë, 39 aktiviteteve të tjera simotra që janë duke u zhvilluar njëkohësisht në të gjithë Botën, nën moton: “Shëndet Për Të Gjithë”, nga një koalicion global aktorësh, organizatash e shtetesh.

Është me të vërtetë një ngjarje e shënuar, dhe tepër e rrallë, që një grup kaq i madh, – tashmë prej 533 partnerësh nismëtarë nga 103 vende, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Bankën Botërore (BB), – t’i bashkohen thirrjes së nismës për kremtimin e datës 12 Dhjetor, si Dita Botërore e Mbulimit Shëndetësor Universal [“Health for All” – Universal Health Coverage Day].

Dy vjet më parë, më 12 dhjetor, OKB-ja miratoi njëzëri një rezolutë, e cila i’u kërkonte qeverive të shteteve anëtare sigurimin e mbulimit universal të qytetarëve me kujdes shëndetësor pa pengesa ose kufizime financiare.

Kështu, sot, më 12 dhjetor 2014, ky koalicion global që po rritet dita-ditës, bën thirrje që mbulimi universal shëndetësor të kthehet në çështjen kryesore të rendit të ditës përsa i përket zhvillimit të qëndrueshëm dhe një objektiv me përparësi absolute për të gjithë kombet.

Duke e quajtur mbulimin universal një angazhim referencial dhe manifestim global solidariteti, partnerët nismëtarë të koalicioni vlerësojnë se kjo është një mundësi historike, duke argumentuar se “Shëndet për të Gjithë” është një objektiv i arritshëm.

Sot, më shumë se 70 vende të të gjitha niveleve të të ardhurave kanë ndërmarrë tashmë hapa të qenësishëm drejt mbulimit universal shëndetësor.

Gjithashtu, partnerët besojnë se përfshirja e mbulimit universal shëndetësor në axhendën e zhvillimit të qëndrueshëm do të rrisë edhe shkallën e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së këtyre vendeve ndaj qytetarëve të vet.

Në këtë këndvështrim, më lejoni të jap një përmbledhje të shkurtër për atë çka kemi bërë këto 15 muaj për vendosjen e sistemit të Mbulimit Universal.

Vetëm një javë më parë kemi lançuar një fushatë intensive komunikimi, – siç besoj se keni pasur mundësi të njiheni tashmë, – e cila i’u bën thirrje të gjithë shtetasve rezidentë në grupmoshën 40–65 vjeç të kontrollojnë shëndetin e tyre, duke marrë pjesë në programin kombëtar të kontrollit bazë shëndetësor.

Janë rreth 900 mijë shqiptarë që janë të fuar, që një herë në vit të paraqiten në qendrën shëndetësore të vendbanimit dhe të bëjnë kontrollin bazë shëndetëtsor, i cili ofrohet pa pagesë për çdo qytetar, pavarësisht nëse është, apo jo, i siguruar për kujdes shëndetësor.

Është hapi i parë, madhor dhe konkret drejt Mbulimit Universal. Është pa pagesë për qytetarët, por sigurisht që kushton.

Mbulimi Universal është një objektiv madhor, por për ta bërë të prekshëm për këdo duhet ta shoqërojmë me Aksesin Universal.

Për këtë qëllim, përveç se në secilën prej 415 qendrave shëndetësore, kontrolli bazë do të ofrohet edhe me anë të 5 njësive të lëvizshme, të cilat do të jenë në dispozicion të qytetarëve që banojnë larg qendrës shëndetësore, dhe sidomos, për zonat e thella, ku ndryshe nga procedura e zakonshme, ku kushdo do të mund ta bëjë kontrollin bazë gjatë muajit të lindjes, kontrolli do të ofrohet në periudhën 1 maj – 30 shtator të çdo viti.

Por nuk u ndalëm këtu.

Kemi filluar, gjithashtu, prej pak ditësh zbatimin në terren të një marrëdhënieje shumë më të ngushtë bashkëpunimi me institucionet shëndetësore jopublike me paketat e ndërhyrjeve të kardiologjisë që u miratuan nga Qeveria në muajin qershor.

Të vetëdijshëm për mungesat e mëdha që trashëguam në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor, si dhe për faktin se do të duhet të qeverisim në një kontekst burimesh të kufizuara financiare dhe njerëzore në një të ardhme jo vetëm të afërt, jemi angazhuar në Programin tonë Qeverisës se do të bashkëpunojmë me institucionet jopublike shëndetësore, duke financuar 100% elementë të caktuar të kujdesit shëndetësor, apo siç njihen ndryshe, paketat e shërbimeve të kujdesit shëndetëtsor.

Për këtë, që pas miratimit të 10 paketave në muajin qershor, kemi lidhur tashmë kontratat me 5 spitale jopublike në Tiranë për të ofruar këtë shërbim shumë të nevojshëm për sëmundjet kardiake, për shëndetësinë tonë.

Ndërkohë, ligji i ri për shërbimin kombëtar të urgjencës mjekësore është miratuar në fillim të muajit nëntor, dhe po punojmë për hartimin e akteve nënligjore, protokollet mjekësore dhe kurrikulat e trainimit.

Kemi marrë një program asistence teknike nga USAID-i për të forcuar kapacitet e shërbimit të urgjencës mjekësore këtë vit, – dhe siç publiku është i njohur, – po blihen 20 autoambulanca të reja dhe 1 helikopter i ri për urgjenca mjekësore.

Gjithashtu, i’u faktuam shqiptarëve këto 15 muaj vendosmërinë në përmbushjen e angazhimeve të Programit tonë Qeverisës për vëmendjne e shtuar ndaj sëmundjeve kardiovaskulare dhe tumorale, si dy grup-sëmundjet që kanë prevalencën më të lartë në Shqipëri, që krijojnë më shumë kosto në shëndet, dhe shkaktojnë më tepër fatalitete, duke shkurtuar më shumë vitet e jetës së shëndetshme.

Gjithashtu, besoj se shihen qartë tashmë edhe rezultatet e para të fushatës së ndërgjegjësimit antiduhan që lançuam në fillim të shtatorit në zbatim të ndryshimeve që bëmë në ligjin për mbrotjen nga produktet e duhanit. Ndonëse, jemi ende larg objektivit që duam të arrijmë në uljen e shkallës së duhanpirjes, dhe sidomos në grupmoshat e reja.

Po ashtu, arritëm që të sigurojmë një buxhet për shëndetësisë, që për herë të parë i kalon 400 milionë USD, ose 6% më i madh se sa ai i vitit 2014, ose me një rritje në dy vite sa 85% e asaj që qeverisja e mëparshme bëri në 4 vjet.

Ne besojmë, se ky është buxheti i fillimit të zbatimit të plotë të programeve të para kombëtare të Mbulimit Universal dhe të Aksesit Universal.

Më lejoni që duke e mbyllur fjalën time në këtë takim, të falënderuar sërish organizatorët dhe mbështetësit e këtij takimi, Zyrën e OBSH-së për Evropën dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, dhe të gjithë partnerët dhe bashkëpunëtorët tanë në rrugën e vështirë, por të bukur të vendosjes së Mbulimit dhe Aksesit Universal.

Le t’i bashkohemi edhe ne thirrjes së  koalicionit global në  këtë  ditë  të  shënuar, “Shëndet për të gjithë!”

Faleminderit!

—###—-

Deklarata e znj. Zsuzsanna Jakab, Drejtore e Zyrës Rajonale të OBSH-së për Europën, në Konferencën Kombëtare për Mbulimin Universal dhe Burimet Njerëzore në Sistemin e Kujdesit Shëndetësor – Tiranë, 12 dhjetor 2014

Aktiviteti që po organizoni sot në Tiranë shënon angazhimin e Shqipërisë për t’iu bashkuar Partneritetit të Mbulimit Shëndetësor Universal. Duke respektuar 12 dhjetorin, ditën e parë të Mbulimit Shëndetësor Universal, ju po demonstroni angazhimin e Shqipërisë për mundësi të barabarta përdorimi nga të gjithë të kujdesit shëndetësor. Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën do të vazhdojë t’ju mbështesë në këtë përpjekje dhe ne jemi të kënaqur të shohim se si përforcohen përpjekjet tona të përbashkëta nga familja e OKB-së dhe Qeveria e Shqipërisë.

Mbulimi shëndetësor universal është gur themeli i politikave shëndetësore dhe sociale të vendeve anëtare të Evropës. Ai mundëson dhënien e mbrojtjes financiare, parandalimin e varfërisë dhe forcimin e barazisë. Askush nuk ka pse të falimentojë kur sëmuret. Shëndeti është një e drejtë, jo privilegj. Aktualisht, në më shumë se 70 vende në mbarë botën po ndërmerren hapa për të siguruar mundësinë e pasjes së kujdesit shëndetësor cilësor pa hasur në vështirësi financiare. Kjo provon se mbulimi shëndetësor universal është i arritshëm. Kur cilido ka mundësinë e pasjes së shërbimeve shëndetësore bazë, ne mund të parandalojmë dhe të trajtojmë sëmundje vdekjeprurëse dhe të shpëtojmë jetë njerëzish.

Zyra Rajonale ndihmon Shtetet Anëtare të punojnë për financimin e shëndetësisë. Ajo i ndihmon ata që të hartojnë politika dhe t’i shndërrojnë këto në ligje. Ajo jep këshilla rreth drejtimit të procesit të zbatimit dhe organizon dialogje për politikat mbi tema kyçe të financimit të shëndetësisë, me pjesëmarrje të gjerë të palëve të interesuara.

Lidershipi energjik i shëndetit publik të Shqipërisë njeh faktin që nëpërmjet mbulimit shëndetësor universal vendi mund të parandalojë padrejtësi që përndryshe do të ndodhnin në rastet e sëmundjeve kur njerëzit nuk janë pjesë e mbulimit të sigurimeve shëndetësore.

Theksi që po i vihet sot në nivel kombëtar trajtimit të barrës së sëmundjeve joinfektive është në sintoni si me aksionet globale ashtu edhe me ato rajonale. Konsumi i duhanit është një nga tre faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundje në Shqipëri. Unë jam e kënaqur që vendi po ndërmerr një aksion energjik kundër tij. Do të doja të përmendja sidomos fushatën “Shqipëria Jo Duhanit”. Kjo fushatë përforcon zbatimin e ligjit antiduhan dhe e përmirëson shëndetin e njerëzve në dy mënyra: së pari, duke e ndaluar duhanin në vende publike, dhe, së dyti, duke rritur të ardhurat për shëndetësinë me anë të rritjes dhe dedikimit të taksave mbi produktet e duhanit. Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të Konventës Kuadër të OBSH-së për Kontrollin e Duhanit.

Shqipëria po punon për gjetjen e mekanizmave financiare për zgjerimin e mbulimit shëndetësor universal. Unë gjithashtu jam e kënaqur kur shoh se ju e njihni rëndësinë e burimeve njerëzore të përshtatshme dhe kompetente të shëndetësisë, për mbështetjen e një suksesi afatgjatë të veprimtarive tuaja.

Sot, në ditën e parë të Mbulimit Universal në Shqipëri, ju nisni një kapitull të rëndësishëm të shëndetit publik të vendit tuaj. Angazhimi i Shqipërisë për këtë është një zotim për barazi më të madhe në shëndetësi, dhe kjo meriton respektin dhe mbështetjen time të plotë. Unë ju uroj sa më shumë suksese në fushatën tuaj.

Ju faleminderit.

—###—

Për foto të tjera nga takimi, konsultoni faqen zyrtare të MSH në Facebook: http://tinyurl.com/nhqpvln

dhe Twitter: @BeqajIlir{:}