Ministry of Health and Social Welfare

Bashkëpunimi ndërkombëtar, praktika të reja të menaxhimit shëndetësor,
Beqaj: “Analiza e kostove dhe DRG-të,  standarde të larta të kujdesit, shërbime të efektshme, transparencë dhe llogaridhënie”

Tiranë, 11/9/2014 – Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, mori pjesë sot (11/9/2014) në kursin e kualifikimit për drejtuesit e sistemit shëndetësor të vendeve ballkanike: “Sistemi i financimit të shërbimit shëndetësor kombëtar: Analiza e kostove dhe DRG-të” Edicioni i V-të – Moduli i II-të, i organizuar nga “Observatori i Sistemeve Shëndetësore të Ballkanit” pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë,  Rajonin e Toskanës dhe me Universitetin e Firences, Itali.

Në fjalën e tij përshëdetëse për aktivitetin, në të cilin morrën pjesë dhe do të referojnë personalitete të shquara të sistemi të kujdesit shëndetësor nga rajoni dhe Italia, siç janë z. Azis Pollozhani, ish-ministër i Shëndetësisë së Maqedonisë, z. Xhemali Mezahi, Drejtor i Fondit Shëndetësor të Maqedonisë, z. Myzafer Kalenderi, Drejtor Financiar i Bordit të SHSKUK të Kosovës, Dr. Massimo Braganti dhe Dr. Francesco Taiti, nga Rajoni i Toskanës, Itali, Prof. Niccolò Persiani, Universiteti i Firences, Itali,  Ministri Beqaj theksoi, ndërmjet të tjerash, rëndësinë e krijimit të një kulture menaxheriale të përbashkët, nëpërmjet realizimit të projekteve të tilla të asistencës teknike dhe me përhapje të gjerë për shërbimet shëndetësore të këtyre vendeve, të domosdoshme për këtë periudhë tranzicioni.

“Krijimi i një strukture menaxheriale,” vazhdoi më tej ai, “është i domosdoshëm për funksionimin normal të shërbimit spitalor dhe të shërbimit shendetësor në tërësi. Trajnimi i drejtuesve të spitaleve është domosdoshmëri e proçesit, nëpërmjet të cilit, synojmë një menaxhim shumë më të kujdesshëm të financimit të sistemit të kujdesit shëndetësor,” tha ministri. “Një nga zotimet madhore në programin tonë qeverisës është vendosja e parimeve të qeverisjes klinike në spitalet tona, duke synuar standarde të larta të kujdesit, shërbime të efekteshme, transparencë dhe llogaridhënie,” tha z. Beqaj

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Të nderuar pjesëmarrës,

Të dal pak nga thelbi i temës por, besoj se është e nevojshme të kujtojmë veçantinë që ka kjo datë.

Sot është 11 shtator, dhe para 13 vjetesh ndodhi në botë një ngjarje tragjike. Besoj se nuk do të rreshtim kurrë së kujtuari dhe nderuari viktimat, në vijimësi, së bashku, për t’ju kundërvënë thelbit të së keqes që kishte ajo ngjarje, thelb i cili, për fat të keq, mesa duket vazhdon edhe sot të davaritet nëpër qiejt e botës sonë.

Dhe gjithashtu, është momenti për të falenderuar Kishën Katolike që jo vetëm mbështet në me seriozitet këtë fondacion, por për të gjithë përpjekjet që vazhdon të bëjë për përmirësimin e jetës në Shqipëri, dhe harmonisë fetare në Shqipëri, dhe padyshim, qoftë ngjarja e madhe që do të kemi në 21 shtator – vizita e Papa Franceskut në Shqipëri, – por unë besoj, qoftë dhe ngjarja e madhe që do të jetë me 6 shtator 2015, e cila sapo është njoftuar nga drejtuesit e Komunitetit Sant’ Egidio-s, që Takimi Botëror i Paqes 2015 do të bëhet në Tiranë, besoj se meritojnë dhe një herë falenderimin për kontributin e Kishës Katolike në Shqipëri, dhe padyshim, të asaj cfarë vjen dhe rrezatohet nga Vatikani.

Të nderuar pjesëmarrës, punonjës e drejtues të sistemit shëndetësor,

Jam i gëzuar që jam sërish i pranishëm në një forum të tillë të formimit profesional shëndetësor, i cili vjen natyrshëm në vijim të procesit tashmë pesëvjecar të bashkëpunimit ndërkombëtar për adoptimin e praktikave të reja të menaxhimit shëndetësor.

Kështu, në përmbushje të angazhimit të marrë qysh në takimin e dt. 5 dhjetor të vitit të kaluar, së bashku me kolegun (Ferid) Agani dhe përfaqësuesit e Rajonit të Toskanës në Itali, e Prof. (Niccoló) Persianin nga Universiteti i Firences, si dhe realizimit me sukses të edicionit të V-të të  kursit tre-ditor 1-3 Korrik 2014, fillojmë sot, ciklin dy-ditor të kursit të kualifikimit për drejtuesit e sistemit shëndetësor të vendeve ballkanike: “Sistemi i financimit të shërbimit shëndetësor kombëtar: Analiza e kostove dhe DRG-të”.

Pas një viti në drejtim të sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, jam personalisht, më i bindur se kurrë, për rëndësinë e krijimit të një kulture menaxheriale të përbashkët, nëpërmjet realizimit të projekteve të tilla të asistencës teknike dhe me përhapje të gjerë për shërbimet shëndetësore të këtyre vendeve, të domosdoshme për këtë periudhë tranzicioni

Dhe këtu, dëshiroj të përgëzoj edhe një herë Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” për nismën, gatishmërinë dhe shkallën e lartë profesionale të organizimit të këtij aktiviteti, dhe natyrisht, Rajonin e Toskanës dhe Universitetin e Firences për gatishmërinë dhe mbështetjen e pakursyer që japin për përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri.

Krijimi i kësaj struktureje menaxheriale është i domosdoshëm për funksionimin normal të shërbimit spitalor dhe të shërbimit shendetësor në tërësi. Trajnimi i drejtuesve të spitaleve është domosdoshmëri e proçesit, nëpërmjet të cilit, synojmë një menaxhim shumë më të kujdesshëm të financimit të sistemit të kujdesit shëndetësor.

Një nga zotimet madhore në programin tonë qeverisës është vendosja e parimeve të qeverisjes klinike në spitalet tona, duke synuar standarde të larta të kujdesit, shërbime të efektshme, transparencë dhe llogaridhënie.

Kështu, kemi theksuar se spitalet do të administrohen në mënyrë efikase dhe do të financohen në bazë të paketave të shërbimit që paguesi i vetëm do të kontraktojë për kujdesin e nevojshëm spitalor të çdo individi, duke synuar që të kalojmë nga pagesa e shërbimeve sipas kostove në zbatimin e “Algoritmeve Klinike” (Clinical Pathways) dhe më pas në vendosjen e DRG-ve (Diagnosis – Related Groups). Të gjithë spitalet publike dhe jopublike do t’i nënshtrohen procesit të akreditimit fillestar dhe rivlerësimit periodik. Shërbimet spitalore universitare do të kenë rol parësor edhe në udhëheqjen profesionale të shërbimeve spitalore në të gjithë vendin.

Pa dashur të hyj në hollësira teknike që u takojnë më së shumti specialistëve e profesionistëve të shëndetit, do të doja të ndalesha pak në historikun dhe procesin e zhvillimit të sistemit të rimburismit të kostove të kujdesit shëndetësor, të njohur me emërtimin DRG (Diagnosis Related Groups).

Sistemi i DRG-ve, i krijuar nga Robert Barclay Fetter dhe John D. Thompson në Yale University, me mbështetjen materiale nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor të SHBA-ve [ish-Health Care Financing Administration(HCFA), tashmë, e njohur me emërtimin The Centers for Medicare & Medicaid Services (CMS)], u zbatua fillimisht në New Jersey, në fillim të viteve 1980 në një numër të vogël spitalesh, të grupuara në tre grupe, sipas pozicioneve të tyre buxhetore – përkatësisht, tepricë, rentabël dhe defiçit, përpara zbatimit të modelit DRG të pagesave. Eksperimenti i New Jersey-t vazhdoi për tre vjet, duke shtuar njësi të tjera shërbimi spitalor çdo vit, derisa të gjitha spitalet e këtij shteti adoptuan tërësisht këtë sistem pagesash.

DRG-të u hartuan për të shërbyer si njësi homogjene të aktivitetit spitalor, ndaj të cilave mund të aplikohen përkatësisht, çmime të detyrueshme të shërbimeve të rimbursueshme. Një nga temat qendrore që citohet shpesh nga përkrahësit e sistemit të DRG-ve është mundësia që ky sistem rimbursimi ofron nëpërmjet presionit pozitiv ndaj shërbimeve spitalore, duke i detyruar administratorët e tyre për të ndryshuar sjelljen e mjekëve dhe kirurgëve në përbërje të ekipeve të tyre mjekësore. Kështu, spitalet detyrohen të braktisin kushtet gati të parrezikshme të rimbursimit të kostos, duke u përballur me pasojat e pasigurisë financiare që lidhet me sigurimin e kujdesit shëndetësor.

Për më tepër, DRG-të janë projektuar për të ofruar një model praktik informacioni, i cili do të mund të përdorej nga administratorët për të ndikuar në sjelljen individuale të mjekëve.

Kështu, sistemi i pagesave sipas DRG-ve, i projektuar fillimisht për të kufizuar pjesën e të ardhurave spitalore që rridhnin nga buxheti i programit Medicare, në vitin 1983 u vendos për t’u zbatuar në mbarë SHBA-të.

Qysh atëherë, historia, procedurat e hartimit, si dhe rregullat e klasifikimit e aplikimit të sistemit të DRG-ve, pasqyrohen në Manualin CMS DRG, i cili përditësohet çdo muaj Tetor. Në 2007, një nga specialistët më në zë të fushës, autori Rick Mayes i përshkruan DRG-të si “…inovacionin më të veçantë e më influencues të pasluftës në financimin e shërbimeve mjekësore.” Sipas tij, “…sistemi i pagesave të DRG-ve shkaktoi një ndryshim rrënjësor në balancën e fuqisë politike dhe ekonomike ndërmjet ofruesve të shërbimit të kujdesit mjekësor (spitaleve dhe mjekëve) dhe atyre që paguajnë për këtë shërbim – fuqi, ofruesit e së cilës e patën grumbulluar në mënyrë të suksesshme për më tepër se gjysëm shekulli.

Duke shpresuar, se ky kurs i kualifikimit profesional është një hap i mëtejshëm në këtë drejtim,

Ju uroj punë të mbarë,

Faleminderit!

—###—{:}