Ministry of Health and Social Welfare

Zbatimi i ligjit anti-duhan, Takim i inspektorateve për bashkërendimin e punës
Rjepaj: “Sfidë për mbrojtjen e shëndetit të popullatës, dhe sfidë social-kulturore”

Tiranë, 9/9/2014 – Nën kujdesin e Ministrit të Shëndetësisë u organizua sot (9/9/2014) një takim ndërinstitucional me institucionet përgjegjëse, që Ligji nr. 9636, datë 6/11/2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” i ndryshuar,” – ose të njohur ndryshe edhe si Ligji Anti-Duhan, – i ngarkon  për kontrollin dhe zbatimin e tij. Në takimin e drejtuar nga Zëvendësministri i Shëndetësisë z. Klodian Rjepaj, ishin të pranishëm Kryeinspektori i Përgjithshëm Shtetëror z. Ilir Zela,  Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor (ISHSH) z. Eltar Deda, Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së (Autoritetit Kombëtar të Ushqimit) z. Arif Bakaj, Kryeinspektori i Inspektoratit të Arsimit z. Bashkim Muça, përfaqësuesë nga inspektorati i punës, nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Kryeinspektori Shtetëror Shëndetësor, Qarku Tiranë, z. Gjergji Koja dhe Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik pranë Ministrisë së Shëndetësisë z. Gazmend Bejtja.

Në takim u përcaktuan modalitet për bashkërendimin e punës së inspektorateve përgjegjëse, ku theksi kryesor ishte bashkërendimi, njohja me kompetencat dhe raportimi i punës pranë Inspektoratit të Përgjithshëm Shtetëror në lidhje me prezencën dhe detyrimet që rrjedhin nga ligji. Zëvendësministri Rjepaj theksoi se është e rëndësishme  që të përçohet në publik mesazhi se zbatimi i ligjit është detyrë e institucioneve shtetërore dhe serioziteti i kryerjes së punës për ligjin në fjalë është domosdoshmëri dhe prioritare. Z. Rjepaj theksoi ndërmjet të tjerash se “zbatimi i ligjit anti-duhan është, përveç të tjerash, një çështje madhore e mbrojtjes së shëndetit publik, si dhe një problem social-kulturor, prandaj, për këtë qëllim është i nevojshëm angazhimi i të gjithë strukturave, duke synuar edhe përgjigjen qytetare ndaj shkeljes së ligjit, që do të thotë jo vetëm ekzekutimi i gjobave, por edhe pjesëmarrje aktive qytetare në zbatim të ligjit anti-duhan.”

Gjithashtu, nga Kryeinspektori i Përgjithshëm z. Zela u nënvizua rëndësia që ka informimi i përmuajshëm rreth ecurisë së punës për zbatimin e këtij ligji nga të gjithë inspektoratet. Një pasqyrë e përgjithshme rreth ecurisë dhe problematikës së punës së deritanishme u trajtua nga Kryeinspektori i ISHSH-së z. Deda, i cili vuri theksin në respektimin e ligjit, në shkallën e lartë të profesionalizmit dhe evokimin e parimeve të etikës qytetare gjatë inspektimit të çdo subjekti, dhe rritjen e shkallës së vetëdijes se puna fillon në rradhë të parë nga vetë grupet e punës duke inspektuar institucionet e varësisë dhe duke përcjellë një frymë edukuese në zbatimin e ligjit.

Në takim u përcaktuan gjithashtu modalitetet për hartimin e planeve të përbashkëta të punës dhe mbledhjet e përmuajshme për bashkërendimin e punës me të gjitha inspektoratet, përgatitja e udhëzuesve të përbashkët për cështje të cilat mbivendosen dhe janë përgjegjësi e të gjithë inspektorateve, trajnimi i inspektorateve të tjera në lidhje me cështjet e zbatimit të ligjit anti-duhan, standardizimi i procedurave të penaliteteve, trajnimin e inspektorëve. Në përfundim të takimit u la për detyrë, si domsdoshmëri e veçantë, ngritja e grupeve inspektuese të veçanta të përbëra nga të gjithë institucionet e parashikuara në ligj, dhe realizimi i takimeve ndërinstitucionale periodike të përmuajshme.

—###—

 {:}