Ministry of Health and Social Welfare

Në qendrën spitalore më të madhe në vend është përmbyllur me sukses projekti për riorganizimin funksional të shërbimit të urgjencës së sëmundjeve të brendshme, duke përmbushur parametrat e një urgjence të klinikave private jashtë vendit

Tiranë, 30/07/2014 – Në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është kurorëzuar me sukses projekti i organizimit funksional të këtij shërbimi, i cili synon ofrimin e një shërbimi sa më cilësor, duke përcjellë më shumë siguri, orientim, informacion dhe cilësi shërbimi për pacientët.

Kështu, pacienti është dhe mbetet përherë në qendër të punës sonë në institucionet e sistemit të kujdesit shëndetësor, dhe vecanërisht në shërbimet që ofrohen nga ekipi mjekësor dhe ai mbështetës në QSUT “Nënë Tereza”, ku një ndër shërbimet më delikate është Shërbimi i Urgjencës, i cili pret rreth 200 pacientë në ditë dhe kërkon shpejtësi dhe profesionalizëm në dhënien e ndihmës së parë.

Projekti, i cili u realizua në sajë të përmirësimit të elementëve të sistemit të komunikimit me pacientin, kodifikimit, recepsionit, përmirësimit të infrastrukturës ndihmëse si barrelat profesionale dhe aksesorë ndihmës në zonën e triazhit si dhe vendosjes së një sistemi elektronik në hyrjen e Zonës së Observimit dhe Zonës së Kuqe të Emergjencës.

Duke folur për mediat e pranishme me rastin e përurimi të realizimit me sukses të këtij projekti, Drejtorja e QSUT-së, znj. Ogerta Manastirliu, theksoi se çdo përmirësim po bëhet në konsultë me ekipet e mjekëve për të ofruar një shërbim shëndetësor cilësor. “Ne kemi nisur këtë organizim funksional me ekipin mjekësor të adaptuar nga standardet evropiane të zonifikimit dhe kodifikimit të urgjencës, përmirësimit të funksionimit të saj me një infrastrukturë të re, me aksesorët e duhur për urgjencën dhe me një sistem sigurie sa i përket dy pikave kryesore: zona e kuqe, e aksesuar vetëm nga mjekët; dhe dhoma e observimit”, tha më tej ajo.

Në mjediset e shërbimit të urgjencës janë vendsour tabela orientuese me informacionin e nevojshëm për funskionimin e këtij shërbimi, por ndërkohë një grup punonjësish socialë informojnë të afërmin që shoqëron pacientin në lidhje me ecurinë e të sëmurit, analizat që po i bëhen e të tjera. Shefi i urgjencës së sëmundjeve të brendshme, Dr. Edmond Zaimi. duke vlerësuar përmirësimin e infrastrukturës në urgjencë, thotë se “Gjithë këto ndërhyrje në infrastrukturë i shërbejnë cilësisë së shërbimit dhe racionalizimit të burimeve që kemi në dispozicion, për të vajtur aty ku duhet, pra tek pacienti që ka më shumë nevojë”.

Më parë, pacientët një rast urgjence humbisnin më shumë kohë duke u sorollatur pa ditur se si dhe ku orientoheshin, tashmë, falë përmbylljes me sukses të këtij projekti, që në hyrje të urgjencës janë vendosur ndihmësa që presin dhe çojnë pacientin drejt bokseve të triazhit, të cilat janë pajisur me shtretër trasnportues dhe sigurojnë privatësinë e secilit.

Më pas mjeku përcakton se ku do të drejtohet pacienti për të marrë shërbimin e duhur mjekësor. Por për të ndryshuar dhe mentalitetin tonë, për rastet kur një pacient shoqërohet nga disa të afërm dhe të gjithë kërkojnë të komunikojnë me mjekun, është bërë një sallë pritjeje ku ata do të akomodohen.

Ndërkohë, personeli infermieror po i nënshtrohet një cikli trajnimesh profesionale për punën në shërbimin e urgjencës. Në organizimin e ri të urgjencës është përfshirë edhe ekipi i punonjësve socialë, të cilët ndjekin ecurinë e punës në shërbim, informojnë rastet si dhe lehtësojnë komunikimin me familjarët dhe të afërmit e pacientëve.

—###—

Për më tepër informacion dhe foto nga Projekti i Ri-organizimit Funksional të Shërbimit të Urgjencës së Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, mund të klikoni në faqen online të QSUT:

http://www.qsut.gov.al/index.php/urgjenca-ne-qsut-standard-i-ri-sherbimi/{:}