Ministry of Health and Social Welfare

Hapet kantieri i “nxënies në vazhdim”
Fillon trajnimi për 6,392 profesionistë të shërbimit parësor shëndetësor

Tiranë, 24/07/2014 – Ka nisur këtë javë (21-25 Korrik) kursi i parë 5-ditor i trajnimit për trajnerë me mjekë e punonjës të sistemit të kujdesit shëndetësor nga rrethet e Lezhës, Gjirokastrës, Shkodrës dhe Kukësit, i cili u përshëndet sot (24/07/2014) edhe nga Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, i shoqëruar nga Zëvendesministri z. Klodian Rjepaj. Cikli i trajnimit, i cili pritet të vazhdojë edhe në javën në vijim (29 Korrik – 2 Gusht) me trajnimin e dy qarqeve të Korcës dhe Fierit, shënon edhe hapin e parë të zbatimit në terren të Paketës së Kontrollit Bazë Falas të Popullatës 40-65 vjeç të miratuar nga Qeveria Shqiptare.

Siç është njoftuar tashmë, kjo Paketë synon kotrollin e disa sëmundjeve kronike që më shumë prekin këtë grup-moshë të popullatës shqiptare, përmban ekzaminime dhe vlerësime mjekësore sipas listës në vijim: (1) Vlerësime për depresionin dhe stresin; (2) Ekzaminime për diabetin tipi 2; (3) Ekzaminime për hipertensionin arterial; (4) Ekzaminime për sëmundjet kardiovaskulare të zemrës dhe ekzaminimi i EKG-së; (5) Ekzaminime laboratorike në shërbim të mjekësisë familjare; (6) Promovimi i stilit të jetesës (vlerësimi për ushqyerjen, aktivitetin fizik, alkolin dhe duhanin).

“Për ne është sfidë shumë e madhe, është një nga tre prioritetet kryesore që kemi në programin e shëndetësisë këto 4 vjet,” – tha midis të tjerash në takim Ministri Beqaj, duke theksuar se ky proces is sapofilluar trajnimi “është elementi i parë real drejt mbulimit universal dhe është ndoshta edhe përpjekja serioze për të patur një qasje të re për të vendosur në qendër të sistemit qytetarin, që ende nuk është pacient: të shëndetshmin, që ende nuk është diagnostikuar si i sëmurë”.

Me qëllim njohjen dhe zbatimin efikas të shërbimeve shëndetësore lidhur me këtë paketë, Ministria e Shëndetësisë do të organizojë dhe mbështesë nje proçes trajnimi për të gjithë 6,392 mjekët dhe infermieret e familjes që shërbejne në kujdesin shëndetësor parësor në të gjithë vëndin. Nga ky trajnim do të përjashtohen personeli mjekësor specialistik që shërben në kujdesin e shërbimit parësor (si p.sh., konsultoret e fëmijëve/grave, mjekët specialistë etj). Ky proçes do të nisë me trajnimin e trajnerëve mbi baza rajonale, nëpërmjet të cilëve ministria e shëndetësisë më pas do ta shtrijnë në kaskadë për të gjithë personelin shëndetësor në kujdesin parësor. Ekipet e trajnerëve do të përzgjidhen në bazë qarku, duke mbuluar të gjithë rrethet e çdo qarku, ku çdo ekip do të përbëhet nga mjekë dhe infermierë.

Numri total i trajnerëve do të jetë 100, ndërsa raporti mes mjekëve dhe infermierëve, dhe sipas çdo qarku do të reflektojë numrin e personelit mjekësor që punon në sistemin e kujdesit shëndetësor parësor.

Në vijim, fjala e plotë e Ministrit Beqaj në takim.

—###—

Mirëdita!

Mirë se ju gjeta!

Faleminderit që pranuat të shkëputeshit pak nga trajnimi. Në fakt, duhet të kishim ardhur që ditën e Hënë kur filluat. Por, axhenda ishte e tillë që na detyori të vijmë në një moment më të papërshtatshëm. Tashmë, ju keni ecur (me trajnimin, shën. red.,) edhe me këtë modul të parë.

Për ne është sfidë shumë e madhe, është një nga tre prioritetet kryesore që kemi në programin e shëndetësisë këto 4 vjet. Është elementi i parë real drejt mbulimit universal dhe është ndoshta edhe përpjekja serioze për të patur një qasje të re për të vendosur në qendër të sistemit qytetarin, që ende nuk është pacient: të shëndetshmin, që ende nuk është diagnostikuar si i sëmurë.

Tashmë, pranohet në botën e zhvilluar, se parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm janë rrugët kryesore, ku bota duhet të ecë në mënyrë që të bëjë një balancë të mirë, të burimeve që do vazhdojnë të jenë të shtrënguara e të kufizuara, dhe një botë që bëhet më globale, por që ndërkohë, nuk po them plaket, por moshohet, ku stile të ndryshme të jetesës, të zakoneve, i shtojnë rreziqet.

Nga ana tjetër, unë besoj se ky ushtrim, pasi të bëjë disa cikle vjetore dhe të plota në të gjithë vendin, do të na ndihmojë që të kemi një profil shumë më të plotë epidemiologjik të shqiptarëve. Dhe kjo, duke patur nga njëra anë objektivin madhor, mbulimin universal, duke patur dhe profilin e plotë, do të jemi në gjendje të programojmë politika afatmesme, afatgjata, që të jenë të qëndrueshme, se me këtë synim dhe me këtë gjendje të shëndetit, si duhet të orientojmë investimet në njerëz, në dije, në mjedise pune dhe në pajisje.

Besoj, se është momenti për të falenderuar ata që kanë punuar deri më sot. Në radhë të parë zëvendësministrin (z. Klodian Rjepaj, shën. red.,), i cili e udhëheq këtë proçes në mënyrë të përditshme, me shumë përgjegjshmëri, që nga vjeshta; profesorët e nderuar që kanë kontribuar në përmbajtjen e këtij manuali; por, padyshim edhe bujarinë e Qeverisë Zviceriane, që me Agjencinë Zviceriane për Zhvillim dhe Bashkëpunim mori përsipër të financojë këtë fazë të parë të trajnimit. Po ashtu, është moment për të falënderuar Qeverinë Zviceriane, që pas shumë vitesh ka vendosur që në shëndetësi të jetë prezente edhe me një program disa-vjeçar të qëndrueshëm, që është, në mos gaboj, rreth 10 milion franga zviceriane.

Ne tashmë jemi në një fazë që po bëjmë këtë trajnim të parë të trajnerëve. Do të fillojmë intensivisht në Shtator me trajnimet në të gjithë Shqipërinë. Në ditët e afërta shpallim edhe garën për kontraktorin që do ta marrë përsipër gjithë logjistikën e këtij proçesi.

E rëndësishme është që edhe në tavanet që kemi ne si shëndetësi në buxhetin afatmesëm, janë fondet e nevojshme për të mbuluar këtë program deri në 900 mijë vetë, që është objektivi ynë maksimal. Sepse ajo, në fakt, është popullsia 40-65 vjeç rezidente në Shqipëri.

Ndërkohë, besoj se bashkë me trajnimin që do të bëjmë për personelin mjekësor, me sa më ka informuar zëvendësministri janë rreth 7 mijë mjekë dhe infermierë, që do të kenë këtë detyrë të përditshme, që do të duan të hyjnë në këtë fazë të parë të trajnimit. Vitin tjetër do të duhet t’i rikthehemi për të parë plotësimet e atyre nevojave, kolaudimeve, që patjetër do na mësojë eksperienca e vitit të parë.

Unë besoj se, për zbatimin me sukses, – në kuptimin e pjesëmarrjes, – sfida më e madhe është pjesëmarrja. Unë besoj se në shtator-tetor do të kemi një komunikim, le ta quajmë agresiv me shqiptarët për t’i ftuar. Besoj se funksionimi normal i këtij programi, do ta rrisë peshën e qendrës shëndetësore, do ta rrisë peshën e mjekut të familjes. Duhet ta pranojmë që sot është një marrëdhënie mosbesimi, të gjithë ne rendim me vrap në spital, kur kemi ndonjë shqetësim sado të vogël, duam që edhe shqetësimin më të vogël ta ndajmë me profesorin më të mirë që është në Shqipëri, jo se bëjmë keq, por s’është gjithmonë e mundur dhe nuk ndodh kështu në asnjë vend tjetër.

Gjithashtu, njerëzve do t’u rrëzojmë murin e drojes që kanë, se nuk shkojnë dot atje se kanë frikë mos paguajnë nën-dorë, as këtë s’do ta kenë. Por, me thënë të drejtën, deri më sot, një pjesë e mirë e kohës e mjekut të familjes shpenzohet për praktika burokratike. Këtu kemi një plan afatmesëm, me shtrirjen, zbatimin dhe përdorimin shumë të gjerë të teknologjisë së informacionit.

Këtu s’kemi në fakt përfaqësues nga Fondi (FSKDSH – Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor), por Fondi që këtë vjeshtë po e lehtëson shumë pjesën burokratike të librezave të shëndetit, sepse një pjesë e mirë e kohës shpenzohet më shumë seç duhet të jetë.  Qendrat shëndetësore zakonisht frekuentohen nga të sëmurët kronikë. Kjo është një qasje krejt e re. shumë e rëndësishme, që në këtë moment të parë, njerëzit të priten mirë, komunikimi njerëzor të jetë sa më i mirë. Ushtrimi do të jetë i përvitshëm, por  me sa ka vendosur grupi i punës, në këtë ushtrim të parë ka një pjesë më të gjatë intervistimi, ku merren të dhëna për problemet që mund të jenë të bartura gjenetikisht në familjen e të intervistuarit.

Mua s’më mbetet të flas më shumë, t’ju uroj vazhdim të mbarë të këtij programi trajnimi që po bëni këto ditë. T’i urojmë njëri-tjetrit suksese të përbashkëta në këtë angazhim shumë të madh dhe sigurisht, zbatim sa më të plotë dhe më të përpiktë të manualit. Faleminderit!

—###—{:}