Ministry of Health and Social Welfare

Rreth 60 mijë banorë të bashkisë së Krujës tashmë do të marrin shërbim shëndetësor cilësor, në kushte moderne, pas përfundimit të plotë të rikonstruksionit dhe pajisjes me aparatura të reja të spitalit bashkiak “Dr.Stefan Gjoni”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof Evis Sala, gjatë inspektimit të ambienteve të reja të këtij spitali theksoi rolin e shërbimit shëndetësor cilësor pranë vendbanimit.

“Investime të tilla, me kushte shumë më të mira pune për mjekët dhe infermierët, dhe pajisje të standardeve të larta, jo vetëm krijojnë mundësinë që qytetarët të marrin shërbimin shëndetësor në vendbanimin e tyre, por gjithashtu ulin ndjeshëm mbingarkesën në spitalet universitare apo ato rajonale. Shtimi i stafit mjekësor dhe kushtet moderne kërkojnë tani menaxhim të mirë, sepse një menaxhim i mirë sjell rezultatin e duhur tek pacientët”, u shpreh ministrja Sala.

Krahas kujdesit shëndetësor dinjitoz për banorët e rajonit, këto investime ndihmojnë mbi të gjitha në përmirësimin e shërbimit në zonat turistike, mes tyre edhe Kruja, ku vetëm për muajt janar – tetor 2025, numri i turistëve ka arritur në 400 mijë.

Rikonstruksioni i spitalit të Krujës është investim i MSHMS-së në bashkëpunim me Bankën Botërore, duke sjellë një sërë përmirësimesh që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë e shërbimit spitalor si: krijimi i dhomave të triazhimit për menaxhimin e urgjencave mjekësore, integrimin e maternitetit me spitalin, zgjerimin e gamës së analizave dhe ekzaminimeve laboratorike dhe pajisjen me aparatura moderne si Digital X-Ray, ECG, Holter etj.

Me një kapacitet prej 84 shtretërisht dhe insfrastrukturë tërësisht të transformuar, spitali Bashkiak “Dr.Stefan Gjoni”, ofron shërbime të specializuara radiologji, kirurgji e përgjithshme, pediatri, obstretri gjinekologji, urgjencë mjekësore etj.