Ministry of Health and Social Welfare

Në seancën plenare të datës 6 nëntor 2025, Kuvendi i Shqipërisë miratoi me shumicë votash projekt-ligjin e ri “Për Barazinë Gjinore”, një nismë e rëndësishme që forcon angazhimin e vendit për drejtësi, respekt dhe mundësi të barabarta për gratë dhe burrat në të gjitha fushat e jetës, si pjesë e rrugëtimit e Shqipërisë drejt standardeve më të larta evropiane dhe drejt një shoqërie më të drejtë e gjithëpërfshirëse.
Ky projektligj, i hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë dhe me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, është rezultat i një procesi të gjerë konsultimi me shoqërinë civile, ekspertë, rrjete të grave, media, institucionet publike dhe partnerët ndërkombëtarë, duke reflektuar eksperiencën dhe sfidat e hasura ndër vite në fushën e barazisë gjinore.
Ky projekt-ligj nuk përbën një politikë të re në vetvete, por forcon dhe zhvillon më tej politikën për barazi gjinore. Ai përmirëson kuadrin ekzistues ligjor të miratuar në vitin 2008 dhe e përafron atë me legjislacionin dhe direktivat e Bashkimit Europian, në kuadër të procesit të anëtarësimit dhe harmonizimit të legjislacionit kombëtar me Kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”.
Ai pasqyron gjithashtu rekomandimet e Komisionit Europian dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për përputhje me Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021–2030 dhe me parimet e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Në thelb, ligji synon të sigurojë përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, si në qeverisjen qendrore dhe vendore, ashtu edhe në sektorin publik e privat. Brenda dhjetë viteve të ardhshme parashikohet që përfaqësimi i grave të arrijë në 50 për qind, duke reflektuar barazinë reale në proceset politike, ekonomike dhe shoqërore.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është vendosja e detyrimit për institucionet publike dhe private që të ndërmarrin masa konkrete për nxitjen e barazisë gjinore në strukturat e tyre, si dhe parashikimi i buxhetimit gjinor në të gjitha nivelet e qeverisjes. Kjo do të garantojë që burimet publike të planifikohen dhe shpërndahen në mënyrë të drejtë, në funksion të mundësive të barabarta..
Po ashtu, risi e rëndësishme është përfshirja e Kuvendit të Shqipërisë si institucion mbikëqyrës, i cili do të shqyrtojë raportin vjetor për barazinë gjinore dhe do të kryejë kontrollin post-legjislativ të zbatimit të ligjit.
Projekt-ligji i ri përforcon parimet e trajtimit të barabartë në marrëdhëniet e punës, duke siguruar që gratë dhe burrat të kenë të njëjtat të drejta në punësim, profesion, pagë dhe kushte pune. Ai njeh rëndësinë e punës së papaguar si një element i vlefshëm për politikat e reja të barazisë ekonomike, duke kontribuar në zhvillimin social dhe ekonomik të familjeve shqiptare.
Në arsim synohet rrëzimi i stereotipeve gjinore dhe krijimi i kushteve të barabarta që çdo fëmijë të ndjekë rrugën e tij, vajzat në fushat e shkencës dhe teknologjisë, djemtë në fusha sociale apo kujdesi njerëzor. Ndërkohë, në bujqësi, ligji garanton që gratë të kenë të njëjtin akses si burrat në pronësi, kredi dhe programe zhvillimi, ndërsa në fushën e teknologjisë parashikon masa për mbylljen e hendekut digjital dhe mbrojtjen nga bullizmi në hapësirën kibernetike.
Projekt ligji i ri për barazinë gjinore nuk ndryshon kuptimin e gjinisë, por e vendos theksin në respektimin e të drejtave dhe mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët, pa dallim. Kjo është një nismë që shkon përtej përfaqësimit politik, duke synuar që barazia gjinore të bëhet realitet në çdo aspekt të jetës, nga punësimi dhe arsimi, te ekonomia dhe jeta publike.
Në thelb, kjo është një nismë për familjet shqiptare, për mirëqenien dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë. Me këtë projekt-ligj, Shqipëria dëshmon se ecën me dinjitet krah vendeve të Bashkimit Europian, duke përqafuar vlerat dhe standardet e një Europe të barabartë, moderne dhe demokratike.