Ministry of Health and Social Welfare

Sot. u zhvillua ceremonia e inaugurimit të Qendrës së parë Multifunksionale në Bashkinë Vorë, një hapësirë e dedikuar për mbështetjen e çdo fëmije, të riu, nënë apo familjeje, duke ofruar mundësi të barabarta dhe një të ardhme më të mirë.

Qendra është ngritur në kuadër të programit EU for Social Care, financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, dhe zbatohet nga UNICEF dhe World Vision Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Në fjalën e saj, zv.ministrja e MSHMS, Denada Seferi, theksoi se kjo qendër i bashkohet 84 shërbimeve të reja të krijuara nga Fondi Social i MSHMS- së, të cilat kanë përfshirë rreth 44 mijë qytetarë që nga viti 2019. Ajo nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të shërbimeve sociale të integruara, të ofruara sa më pranë qytetarëve, dhe angazhimin e qeverisë për të garantuar mbështetje gjithëpërfshirëse.

Qendra e re synon të prezantojë një model të qëndrueshëm dhe inovativ për ofrimin e shërbimeve sociale, duke u fokusuar kryesisht tek fëmijët dhe familjet më në nevojë. Ajo ofron hapësira funksionale për aktivitete të përditshme, mbështetje psikosociale dhe edukim joformal, si dhe promovon ndërgjegjësimin mbi të drejtat e individëve që kanë nevojë për mbrojtje.
Aktualisht, qendra u shërben 165 fëmijëve, 125 të rinjve dhe 48 prindërve, përmes mbështetjes psikosociale, edukimit joformal, aftësive dixhitale, aktiviteteve për zhvillim personal dhe fuqizimin e familjes, si dhe orientimit drejt shërbimeve lokale të disponueshme në komunitet.

Ky hap tregon një angazhim konkret për krijimin e një mjedisi më mbështetës dhe gjithëpërfshirës, ku çdo qytetar ka mundësi të zhvillohet dhe të ndjehet i mbrojtur.