Ministry of Health and Social Welfare

Në vitin 2026 shëndetësia dhe mirëqenia sociale shqiptare do të hyjnë në një etapë të re zhvillimi, me buxhetin më të madh – një buxhet prej 108.8 miliard lekësh, ose 12.3% të buxhetit të shtetit dhe 3.9% të prodhimit të brendshëm bruto.

Shëndetësia është një nga sektorët prioritar të qeverisë, siç evidentohet edhe nga niveli i financimit të parashikuar. Krahasuar me planifikimin buxhetor të vitit 2025 (104.5 miliard lekë) kemi një rritje prej 4.3 miliard lekë ose 4.2%.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala gjatë fjalës së saj në Komisionin Parlamentar për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale relatoi shpërndarjen e fondeve në drejtim të investimeve në infrastrukturë, pajisje, rimbursimin e barnave, rritje e pagave, duke theksuar shërbimet risi që do të ofrohen për herë të parë.

“Programi i shërbimit të kujdesit spitalor, për herë të parë do të financojë 300 pacientë që do të marrin shërbimin e Trombektomisë në QSUNT, me një vlerë financimi 480 milion lekë. 350 pacientë që do t’u ofrohet për herë të parë rikonstruksioni i gjirit, me një vlerë financimi 70 milion lekë. 50 pacientë që do t’u ofrohet për herë të parë procedura e transplantit të kornesë, me një vlerë 25 milion lekë” – deklaroi ministrja Sala.

Po ashtu, ministrja Sala ritheksoi se në projektbuxhetin 2026 është planifikuar financim i dedikuar për rimbursimin e barnave onkologjike.
“Në projektbuxhetin 2026 është përfshirë rimbursimi i të gjithë barnave antitumorale, për të sëmurët që trajtohen në spitalin Onkologjik, duke shtuar buxhetin për barna me 1.5 miliardë lekë” – nënvizoi ajo.

Si një tjetër pjesë e rëndësishme e buxhetit 2026 ministrja Sala theksoi rritjen e pagave për personelin shëndetësor, e cila do të hyjë në fuqi në janar 2026. Për herë të parë, vjetërsia në punë do të llogaritet në mënyrë të unifikuar, me një përqindje të diferencuar nga 1 deri në 30 vite pune, ndërkohë që pagat do të indeksohen me 2.5%. Në financimin prej 2.4 miliardë lek, do të përfitojnë 4,600 mjekë dhe farmacistë si edhe 14,200 teknikë të shkencave mjekësore e laborantë në sistemin publik, një masë që synon të rrisë motivimin e stafit shëndetësor dhe të garantojë një standard më të lartë shërbimi për pacientët.

Përsa i përket Programit të Shërbimeve të Kujdesit Parësor, do të vijojë mbulimi universal i kontrollit bazë mjekësor (Check-Up) për grupmoshën 35–70 vjeç, me një fond prej 699 milionë lekësh, si dhe rimbursimi i fishave për matjen e diabetit për të moshuarit mbi 65 vjeç dhe personat me aftësi të kufizuar, me 166 milionë lekë.

Paralelisht me financimet në shërbime do të vijojë edhe investimi në infrastrukturat spitalore, duke përfshirë rikonstruksionin e një sërë strukturash spitalore si Spitali Rajonal Korçë, spitali bashkiak Mat, Tropojë, urgjenca e Durrësit dhe qendra shëndetësore në mbarë vendin.

Veç programit të Shëndetësisë, gjithashtu, buxheti 2026 përfshin 29.3 miliard lekë të akorduara për programin e mirëqenies sociale dhe të ish të përndekurve politik, ku të gjitha kategoritë përfituese do të marrin trajtimin me pagesat përkatëse. Dy programet së bashku zënë 3.3% të buxhetit të shtetit dhe 1.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Me këto masa, projektbuxheti 2026 përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kujdesit shëndetësor në vend. Ai synon jo vetëm të përmirësojë kushtet e punës për profesionistët e mjekësisë, por edhe të garantojë që çdo qytetar të ketë akses të barabartë në trajtim cilësor, modern dhe të përballueshëm.