Ministry of Health and Social Welfare

Në Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Drejtave të Fëmijëve, u inaugurua zyrtarisht Qendra për Mbështetjen e Fëmijës dhe Familjes, një hap i rëndësishëm në transformimin e shërbimeve rezidenciale drejt shërbimeve alternative dhe komunitare, të bazuara në nevojat reale të fëmijëve dhe familjeve.

Qendra do të ofrojë shërbime të specializuara për fëmijët dhe familjet në nevojë, duke kontribuar në forcimin e mekanizmave mbrojtës, parandalimin e formave të ndryshme të dhunës dhe sigurimin e kujdesit cilësor pranë komunitetit.

Zv.ministrja e MShMS, Denada Seferi në fjalën e saj solli në vëmendje nismat që po ndryshojnë realitetin e kujdesit social si:deinstitucionalizimi, ligji i ri për kujdesin alternativ, transformimi i institucioneve publike dhe zgjerimi i shërbimeve që i afrohen më shumë familjeve.

Kjo qendër u mundësua falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Bashkisë Durrës, UNICEF, Delegacionit të Bashkimit Europian, si dhe organizatave partnere të shoqërisë civile World Vision dhe Nisma/Arsis, në kuadër të programit “BE për Kujdesin Social”.

Inaugurimi i kësaj qendre shënon një angazhim tjetër të përbashkët për garantimin e të drejtave të fëmijëve dhe ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm mbështetjeje sociale, që promovon zhvillim, siguri dhe mirëqenie për çdo fëmijë.