Ministry of Health and Social Welfare

Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit rajonal në fushën e shëndetësisë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, priti në një takim homologun e Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Azir Aliu.

Gjatë bisedës, palët u ndalën në rishikimin e Planit të Veprimit që buron nga Marrëveshja e Bashkëpunimit mes dy vendeve, duke vënë theksin te nevoja për ta përshtatur atë me zhvillimet dhe sfidat aktuale të sistemeve shëndetësore. Si vende fqinje që përballen me problematika të ngjashme, u theksua potenciali i madh për zhvillimin e projekteve të përbashkëta rajonale, veçanërisht në drejtim të bashkëpunimit ndërmjet spitaleve dhe shkëmbimit të praktikave më të mira profesionale.

Ministrja Sala dhe ministri Aliu diskutuan gjithashtu për ecurinë e procesit të integrimit evropian, duke vlerësuar faktin se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë avancuar paralelisht në shqyrtimin dhe përafrimin e legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, u riafirmua angazhimi i përbashkët për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe harmonizimin e mëtejshëm të politikave shëndetësore, në funksion të kapitujve përkatës të negociatave.

Takimi dypalësh është një hap i rëndësishëm drejt thellimit të partneritetit rajonal dhe ndërtimit të një qasjeje të koordinuar për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e të dy vendeve.