Ministry of Health and Social Welfare

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, inspektoi godinën e re të Korpusit të Laboratorëve Referencë Kombëtare të Institutit të Shëndetit Publik, një investim strategjik kombëtar me buxhetin e shtetit, që pritet të vihet në funksion brenda vitit 2026.

Korpusi i ri do të krijojë një nga kapacitetet laboratorike më të mëdha dhe më moderne në rajon, duke garantuar standarde të reja sigurie, mbrojtjeje dhe gatishmërie ndaj kërcënimeve shëndetësore. Laboratorët do të organizohen sipas kritereve të Bashkimit Europian dhe do të pajisen me teknologji të avancuar për diagnozë laboratorike të shpejtë dhe të saktë.

Risi kryesore e këtij investimi është shtimi i kapaciteteve të biosigurisë përmes ndërtimit të dy laboratorëve të nivelit të lartë, nga një që funksionon aktualisht, duke mundësuar trajtimin dhe studimin e agjentëve biologjikë me rrezik të lartë dhe duke forcuar ndjeshëm kapacitetet kombëtare për diagnostikim, kërkim shkencor dhe reagim ndaj emergjencave shëndetësore.

Korpusi i ri do të përfshijë gjithashtu laboratorë të specializuar për sëmundjet infektive emergjente dhe riemergjente, HIV/AIDS, hepatitet, IST-të, biologjinë molekulare, mikrobiologjinë, sigurinë ushqimore dhe monitorimin mjedisor, duke mbështetur programet kombëtare të depistimit dhe forcimin e sigurisë shëndetësore në vend.

Rritja e kapaciteteve laboratorike të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndësishëm në shëndetin publik. Numri i analizave që mund të kryhen në vit mund të kalojë nivelin e 30.000 – 35.000 ekzaminime në periudha normale/të qeta.

Me këtë korpus të ri laboratorik, Instituti i Shëndetit Publik hedh një hap cilësor drejt rritjes së kapaciteteve diagnostikuese dhe kërkimore në nivel kombëtar, duke forcuar rolin e tij si pikë referimi për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe përballimin në kohë të çdo situate që cenon sigurinë shëndetësore të vendit.