Ministry of Health and Social Welfare

Në kuadër të reformave për modernizimin e sistemit shëndetësor dhe forcimin e politikave sociale, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, zhvilloi një vizitë zyrtare në Austri, ku u takua me Ministren Federale për Punën, Çështjet Sociale, Shëndetësinë, Kujdesin dhe Mbrojtjen e Konsumatorit të Austrisë, Korinna Schumann, si dhe me përfaqësues të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB), në funksion të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Gjatë takimit me homologen austriake, u vlerësuan marrëdhëniet e qëndrueshme dypalëshe dhe mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në forcimin e sistemit shëndetësor dhe politikave të përfshirjes sociale në Shqipëri.

“Shqipëria çmon mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në forcimin e sistemit shëndetësor dhe në avancimin e politikave të përfshirjes sociale”, u shpreh ministrja Sala.

U diskutua thellimi i bashkëpunimit përmes një Marrëveshjeje të re në Shëndetësi për periudhën 2026–2030, si dhe investime strategjike në modernizimin e infrastrukturës shëndetësore, shërbimet e urgjencës mjekësore, teknologji të avancuara dhe rindërtimin e spitaleve rajonale. Ky bashkëpunim synon rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe përmirësimin e mirëqenies sociale për qytetarët.

Në qendër të diskutimeve me përfaqësues së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore ishte forcimi i programit kombëtar të radioterapisë, si pjesë e reformës për ngritjen e Institutit të Onkologjisë dhe konsolidimin e Rrjetit Kombëtar të Kancerit.

Ministrja Sala theksoi se investimet në shkencë dhe teknologji përfaqësojnë themelin e transformimit të shëndetësisë, duke e orientuar sistemin drejt shërbimeve më cilësore, më të sigurta dhe më pranë nevojave të pacientëve.

“Shqipëria ka një vizion të qartë: shfrytëzimin e shkencës për të forcuar kujdesin ndaj kancerit, mjekësinë bërthamore dhe sigurinë nga rrezatimi”, komunikoi ajo.

Takimet riafirmuan angazhimin për partneritete afatgjata që mbështesin zhvillimin profesional, rritjen e kapaciteteve dhe forcimin e sigurisë për pacientët dhe personelin shëndetësor.

Ky bashkëpunim i zgjeruar ndërkombëtar përforcon rrugën e Shqipërisë drejt standardeve bashkëkohore europiane në kujdesin shëndetësor dhe mbrojtjen sociale.