Ministry of Health and Social Welfare

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Eugena Tomini, zhvilloi një takim me Raportuesin e Përhershëm të Parlamentit Evropian për Shqipërinë, z. Andreas Schieder, dhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri ku u diskutuan prioritetet kyçe të bashkëpunimit dhe hapat e mëtejshëm në kuadër të agjendës së integrimit evropian.

Znj. Tomini vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve të Bashkimit Evropian në mbështetje të reformave sektoriale dhe nënvizoi angazhimin e MSHMS për përmbushjen e standardeve evropiane dhe përparimin e qëndrueshëm në kuadër të kapitujve përkatës të negociatave.

Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit institucional dhe në ecurinë e reformave në fushën e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, si pjesë e detyrimeve që burojnë nga procesi i integrimit evropian.

Gjatë diskutimeve u trajtuan prioritetet kryesore të sektorit, përfshirë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, rritjen e aksesit për qytetarët, si dhe avancimin e politikave të mbrojtjes sociale për grupet në nevojë.

Ky takim rikonfirmon partneritetin e fortë mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian në funksion të ndërtimit të sistemeve më të forta shëndetësore dhe sociale, në shërbim të qytetarëve.