Ministry of Health and Social Welfare

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpreh distancimin e plotë dhe të prerë ndaj rastit të mashtrimit të një qytetareje, të investiguar dhe zbardhur nga emisioni investigativ “Stop”.

MSHMS konfirmon me përgjegjësi të plotë se, numrat e telefonit dhe adresat e email-it të paraqitura si “zyrtare”, të përdorura nga shtetasja O. H, nuk kanë qenë dhe nuk janë në përdorim nga Ministria. Nuk ka pasur asnjë komunikim shkresor apo telefonik të kësaj shtetaseje me Ministren, Prof. Evis Sala, apo me Zëvendësministren, Asc. Prof. Eugena Tomini.

Kuadri ligjor në fuqi përcakton qartë procedurat administrative që duhet të ndiqen për transferimin e pacientëve jashtë vendit për arsye shëndetësore, si dhe për rimbursimin e trajtimeve shëndetësore jashtë vendit.

U bëjmë thirrje qytetarëve që, për çdo shqetësim shëndetësor apo kërkesë për trajtim, të ndjekin vetëm rrugët zyrtare të komunikimit me MSHMS.

Ministria nuk përdor dhe nuk autorizon asnjë formë ndërmjetësimi apo komunikimi jozyrtar, si rasti në fjalë apo raste të ngjashme.

MSHMS falenderon stafin e emisionit, për rolin profesional në investigimin dhe pasqyrimin e plotë të ngjarjes, për evidentimin e një rasti mashtrimi një familje shqiptare dhe në mbrojtjen e interesit publik.